Lajme

Shtatorja e Ibrahim Rugovës e projektuar për t’u vendosur në Tiranë përfundon në një parking të një hoteli

Autori: Gazeta inFokus 11:25 | 22 June 2022

Shtatorja e Ibrahim Rugovës, e projektuar për t’u vendosur në rrugën që mban emrin e tij në Tiranë, prej 9 vitesh ka ngelur në një parking në Durrës. Burokracitë e administratës e kanë harruar veprën që bashkia e kryeqytetit kishte porositur që në vitin 2012.

“Më thërret drejtori i Kulturës i Tiranës që ka qenë në atë kohë dhe më thotë se jeni përzgjedhur për këtë punë e do fillosh nga puna. Fillova nga puna, më dhanë një sasi mjetesh financiare, jo me dokument, për arsye se këto po mblidheshin nga populli i Tiranës. Ishte një dhuratë nga ata për Ibrahim Rrugovën për t’u vendosur tek pallati i Shallvareve, ku është rruga Ibrahim Rrugova,” – u shpreh skulptori Idriz Balani.

E porositur si vepër arti gjatë periudhës kur Lulzim Basha ishte kryetar bashkie, statuja dështoi të vendosej në rrugën që mban të njëjtin emër, pranë Shallvareve.

-Advertisement-

“Kjo ka ndodhur në vitin 2012. Ndërkohë u çua edhe për derdhje në bronz dhe në momentin kur do të fillonte puna për ta vendosur kishin ndodhur zgjedhjet dhe Lulzim Basha i kishte humbur, i kishte fituar Erjon Veliaj, por ama ende Lulzim Basha nuk e kishte dorëzuar detyrën”, shtoi Balani.

Ish-kryebashkiaku kishte harruar të nxirrte lejen e ndërtimit.

“Atëherë policia e shtetit ndërhyn dhe kërkon lejen e ndërtimit. Për fat të keq, nuk kishte asnjë leje ndërtimi. Pra, Lulzim Basha apo punonjësit e tij të bashkisë nuk ishin përgatitur për lejen e ndërtimit dhe kështu kjo u bllokua”, tha skulptori.

Balani tentoi t’ia sillte në vëmendje kryebashkiakut aktual të Tiranës, por çdo tentativë e tij ka rezultuar pa sukses.

“Pastaj unë bëra disa ndërhyrje nëpërmjet disa miqve e deputetëve dhe u mor vendimi që shtatorja do të vendoset, por i mbetej në kompetencë bashkisë. Nga bashkia nuk u dëgjua kush. Pastaj marr përsipër dhe i bëj një letër kryetarit të bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj”, tregoi ai.

Pa përmendur shpenzimet monetare, të cilat ende nuk i ka marrë, Balani lipset të shohë prej 9 vjetësh një punë kolosale në një parking hoteli./EuronewsAlbania/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera