Lajme

Ministria e Arsimit u kërkon falje mediave për “gabimin” në komunikatë

Autori: Gazeta inFokus 17:22 | 24 May 2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka kërkuar falje pas gabimit të bërë në njoftimin për shpalljen e tenderit për “monitorim të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare”.

Ky njoftim ka nxitur reagime për shkak se Ministria në njërën nga detyrat e specifikuara kishte shkruar: “Është përgjegjës për monitorimin dhe analizimin e paraqitjes së Ministrisë dhe titullarit në media, monitorimin e lajmeve të cilat atakojnë institucionin dhe ndërlidhen me proceset në arsim”.

Ministria ka sqaruar se është përdorur termi “joadekuate” dhe paqëllimshëm

-Advertisement-

“Divizioni për Komunikim Publik (DKP) ka hapur tender me datë 23.05.2024 për shërbime të veçanta, respektivisht për kontraktor individual për monitorimin e media, qasje në dokumente publike dhe financiare me qëllim rritjen e transparencës me publikun, por edhe informimin e stafit menaxherial dhe politik lidhur me lajmet që kanë të bëjnë me arsimin”, thuhej në njoftim.

“Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, DKP ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhej më tej.

Monitorimi i mediave është detyrë të cilën, sipas Divizionit për Komunikim Publik, e kryen për shumë vite dhe kjo i ka shërbyer në vazhdimësi MAShTI-t për ta mbajtur të informuar për lajmet që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është qëllim i MAShTI-it për t’i kritikuar mediat lidhur me lajmet që i publikojnë, apo për të ndikuar në politikat e tyre redaktoriale.

Divizioni është ankuar se “ka kohë që funksionon me numër të vogël të zyrtarëve dhe duke qenë se muaj më parë edhe një zyrtare e Divizionit është transferuar në një ministri tjetër, ka krijuar vështirësi edhe më të mëdha në funksionimin e tij”.

“Prandaj, duke ju kërkuar falje, kërkojmë mirëkuptimin e mediave dhe qytetarëve për këtë lëshim të paqëllimshëm”, thuhej në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera