Opinione

Sfida kryesore e SHBA-së është në Pacifik e jo në Atlantik

Autori: Gazeta inFokus 13:02 | 21 April 2022

Që nga shpallja e pavarësisë së saj e deri me sot SHBA vazhdon ta shohë botën nga prizmi i sigurisë së saj nacionale. Evropa dhe Atlantiku janë ana lindore e SHBA-së që duhet me çdo kusht të jenë nën kontrollin e plotë të saj.

Mbi këtë bazë, SHBA kishte mundur Perandorinë Spanjolle më 1898, atë gjermane në 1945, kishte rrëzuar Britaninë e Madhe dhe Francën në 1956 dhe kishte riformësuar Evropën përmes Bashkimit Evropian, me qëllimin madhor të garantimit të sigurisë së saj në lindje, pra që Atlantiku të jetë nën kontrollin e SHBA-së dhe Evropës së kontrolluar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga SHBA.

Mbështetja e Ukrainës nga SHBA është parandalimi i depërtimit të Rusisë në Evropë nga ku mund të dalë në Atlantik për ta rrezikuar sigurinë nacionale të SHBA-së. Sa më shumë që SHBA e shtynë NATO-n dhe BE-në drejt lindjes aq më e sigurtë bëhet në lindje të saj. Parandalimi i çfarëdo aleanceje ruso-evropiane, rënia e Rusisë si aktor global dhe demokratizimi i saj vetëm sa i përforcojnë sigurinë nacionale krahut lindor të SHBA-së. Prandaj, lufta në Ukrainë ka vëmendje të madhe amerikane, sepse Ukraina nuk bën të mbetet nën Rusi, sepse një gjë e tillë rrezikon tërë Evropën.

-Advertisement-

Sfida serioze e SHBA-së ka qenë dhe mbetet ana perëndimore e saj, pra Pacifiku. Kjo për faktin se qendra e zhvillimit ekonomik global në shekullin 21 do të jetë saktësisht në Zonën e Pacifikut me Kinën dhe Japoninë si dy rivalë historikë rajonalë dhe SHBA-të si kontrolluese e rrugëve detare pranë Kinës e Japonisë. Gara edhe sot për armatim mes vendeve të Pacifikut (Kinë, Japoni, Kore Jugore e Veriore, Vende të Indokinës, Azi Juglindore dhe Australi) është një imitim i Luftës së Ftohtë mes SHBA-së dhe BRSS-së. Vetë hedhja e bombave bërthamore në Japoni në vitin 1945 tregon më së miri burimin e rrezikut potencial për SHBA-në në Perëndim të saj.

Bombat bërthamore i ishin hedhur Japonisë edhe për t’i dhënë mesazhin BRSS-së së asaj kohe se çfarëdo tentim përparimi i saj në Pacifik do të përballej me përgjigje amerikane sikurse në Japoni, gjersa Kina atëherë ende s’ishte aktor global siç është sot. Përderisa interesat e Rusisë janë të drejtuara kryesisht kah Evropa, atëherë Kina, Koreja Veriore dhe Japonia mbeten dy sfiduesit seriozë të SHBA-së në Perëndim të saj, pra në Pacifik. Përderisa, SHBA ka raporte partneriteti me Australinë, Japoninë e Korenë Jugore, Indokinën dhe Azinë Juglindore, raportet me Kinën e varur nga importi i energjisë vazhdojnë të mbesin sfiduese.

Varësia e madhe e Japonisë nga importi i energjisë mund ta kthejnë edhe Japoninë në rival potencial të SHBA-së siç e kishte kthyer gjatë Luftës së Dytë Botërore me sulmet e saj në Parl Harbur pikërisht për shkak të energjisë. Kontrolli i ujërave të Pacifikut, përfshirë rrugët detare mes Kinës dhe Tajvanit mund të gjenerojnë konflikt mes Kinës së varur nga importi i energjisë përmes detërave e oqeaneve të kontrolluara nga SHBA.

Prandaj, për SHBA-në është interes jetik që Rusia të bie si aktor global, të demokratizohet bashkë me të gjitha shtetet përreth (p.sh. Ukraina, Bellorusia, Kazakistani, etj.), të cilat Rusia vazhdon t’i shfrytëzojë si pararojë e kufirit të saj që është i gjati në botë dhe pse jo më i kushtueshmi ushtarakisht e financiarisht. Një rënie e Rusisë dhe demokratizim i saj me shtetet përreth saj e afron Rusinë me Evropën për të bashkëprojektuar të ardhme sipas kushteve të SHBA-së. Lufta në Ukrainë është në funksion të këtij projeksioni sipas kushteve amerikane.

E përqendrimi i SHBA-së do të jetë Perëndim të saj, më saktësisht në Pacifik. Përballja me Kinën në ujërat e Detit Kinez Jugor dhe në Tajvan do të mund të jetë pika e kthesës kur edhe Kina do të poshtërohet nga SHBA dhe të bie si aktor global. Me rënien e Rusisë dhe Kinës si aktorë globalë, SHBA do të heqë një barrë të madhe në aspektin e sigurisë në shekullin 21.

Sfida e radhës për SHBA-në do të mund të jetë Japonia, të cilën zhvillimi i hovshëm i rajonit të Pacifikut mund t’ia rrudhë tregjet dhe rrezikojë furnizimet me energji. Kjo mund ta bëjë më agresive Japoninë dhe ky agresivitet pashmangshëm që mund të shpie në përballje me SHBA si kontrolluese e ujërave në Pacifik. Aq është jetike siguria e SHBA-së në Pacifik saqë SHBA nuk do të zgjedhë mjete ndaj askujt për të ruajtur supremacinë detare në atë rajon të trazuar me qëllim final të saj, garantimin e sigurisë kombëtare në Perëndim të saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera