Lajme

Rreth 50 milionë euro planifikohet të ndahen subvencione për bujqësi

Autori: Gazeta inFokus 08:23 | 14 March 2022

Rreth 50 milionë euro planifikohet të ndahen subvencione nga Ministria e Bujqësisë, në përpjekje të stimulimit të zhvillimit të bujqësisë.

Ekspertë të bujqërisë thonë se në kohën kur ka rritje të çmimit të naftës, plehrave artificiale e inputeve bujqësore, rritja e subvencioneve është hap i drejtë dhe ndikon pozitivisht në bujqësi.

Në kohën kur bujqit ankohen për ngritje të theksuar të çmimit të inputeve bujqësore, naftës apo plehrave artificiale, deri në 200%, më 9 mars, kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin e Bujqërisë, Faton Peci, njoftuan do të ndajnë rreth 50 milionë euro subvencione për bujqit.

-Advertisement-

Programi për Pagesa Direkte, që fillimisht planifikohej të ishte 31 milionë euro, parasheh ndarjen e 5 milionë eurove për subvencionimin e naftës për bujq dhe 8 milionë të tjera për subvencionimin e plehërimit.

Subvencionimi i një hektari me grurë është rritur nga 150 në 474 euro, ndërsa për më shumë se 100%, hektarët me misër, patate e perime. Në përqindje më të ulët janë rritur edhe subvencionet për kultura të tjera.
Ngritja e subvencioneve, është hap i mirë që do të ndikojë në bujqësi, tha për Radio Kosovën, profesori universitar, Imer Rusinovci.

“Meqenëse që në fillim të vitit patëm shtrenjtim të prodhimeve bujqësore, si rezultat i shtrenjtimit të plehrave minerale dhe inputeve të tjera, dhe kur kësaj ia shtojmë edhe konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, normalisht, rritja e subvencioneve është ide e qëlluar. Kjo do të ndikojë në rezultate të mira në bujqësi”, tha ai.

Edhe largimi i akcizës së naftës që do të përdoret për bujqësi është hap i mirë, pohon profesor Rusinovci, sipas të cilit, pas çrregullimeve të tregjeve ndërkombëtare, është jetike punimi masiv i tokës.

“Porosis të punohet çdo pëllëmbë toke, në mënyrë që të sigurojmë ushqim në përmasa më të mëdha dhe të kemi nevoja më të vogla për importe. Është fakt se importet, gjegjësisht kontingjentet e mëdha të importeve deri tani na kanë koenciduar me eksport të madh të parasë së gatshme që e kemi larguar jashtë vendit dhe nuk ka qarkulluar këtu për zhvillim”, tha ai.

Përveç subvencioneve, me qëllim të zhvillimit të bujqësisë, Ministria e Bujqësisë këtë vit planifikon të ndajë miliona euro për grante. Thirrja dhe kriteret për përfitimin e tyre planifikohet të shpallet gjatë muajit mars.

Buxheti i ndarë për bujqësi për vitin 2022 është rreth 71 milionë euro, apo rreth 10 milionë më shumë se në vitin paraprak.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera