Promovohet libri historik “YJET E LIRISË”, i autorit Sadik Krasniqi
Autori: Islam Morina 22:26 | 16 February 2022
Nën patronatin e kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi, në Kuvendin komunal të kësaj komune, është promovuar libri “YJET E LIRISË”, i autorit Sadik Krasniqi.
Ky libër historik, biografi dëshmorësh, u promovua në vigjilje të festes së 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.
Redaktori i këtij libri Imer Pantina, shpalos rëndësinë e këtij libri që i shpalos vlerat atdhetarëve të 7 dëshmorëve të kombit, duke dhënë mesazhin e rëndësisë së kultivimit të kujtesës historike ndër breza në brumimin patriotik të gjeneratave të reja.
“Në këtë vijë autori na i shpalos copëzat e historisë së gjenealogjisë familjare të dëshmorëve Naser Krasniqi, Sahit Krasniqi, Visar Hoti, Safet Latifi, Islam Krasniqi, Lulzim Hoti, Jahë Hoti, duke na rrëfyer kështu të bëmat e stërgjyshërve të tyre, të gjyshërve dhe baballarëve, të cilët kishin jetuar nëpër zjarrin e mbijetesës. Nëpër këtë rrugë familja ngrit kodin moral dhe edukues, kultivon dashurinë familjare dhe atdhetare, e pastaj vijnë natyrshëm aktivitetet në shërbim të kombit”, ka shkruar pos tjerash Imer Pantina, në recensionin e tij për librin.
Në vijim recensioni i plotë i librit “YJET E LIRISË”:
Histori që rrëfen shtegtimin nëpër zjarrin e mbijetesës
Shkruan: Ma. Imer Pantina (Redaktor i librit)
YJET E LIRISË (Kontributi atdhetar i shtatë dëshmorëve të kombit nga fshati Ratkoc), Sh.B. “Lena”, Prishtinë, 2021
Libri YJET E LIRISË, Kontributi atdhetar i shtatë heronjve të kombit nga fshati Ratkoc i autorit Sadik Krasniqi përmes rrëfenjës së biografive për shtatë dëshmorët e kombit shtegton atyre rrugëve që përcaktojnë kriteret shkencore historike, i hulumton ato për t’i prezantuar me faktografi dhe, kam bindjen se lexuesi kreativ, përmes këtij shkrimi historik do t’i hetojë elementet kryesore që e formojnë luftëtarin atdhedashës. Rruga e formimit të personalitetit luftarak në këtë libër ka shkaqet identitare duke zënë fill nga konfliktet dhe luftërat e hershme, njëqindvjeçare e më shumë, të cilët pushtuesit i bënin për të zhdukur nga faqja e dheut një popull të tërë, pra shqiptarët. Nga këtu zë fill kultivimi i idesë së ekzistencës, madje, me të gjitha format e mundshme ku nuk përjashtohet as vetësakrifica dhe flijimi, por, që në plan të parë vëhet dashuria për familjen, farefisninë, kombin dhe njeriun si qenie që meriton jetë të dinjitetshme. Kështu, ky libër parashtron argumente të qarta se formimi i vetëdijes atdhetare e ka bazën tek institucioni i quajtur familje dhe fis, dhe nga këtu fillon të kultivohet rendi social për t’u formuar vetëdija shoqërore me ideale të qarta, me synime për të ndërtuar organizim shoqëror, që nënkupton shtetin në baza të shëndosha kombëtare, me organizmin e pushtetit që buron nga populli dhe jo nga pushtuesit. Kështu, nevoja për jetë të dinjitetshme, e formuluar qartë në fillim brenda fisit dhe familjes, e propaganduar në rrethe të ngushta miqësore dhe në rrethe të gjera shoqërore, e kultivon dashurinë për atdheun nga shtegu konservator për të kaluar në vijën tjetër, atë të institucionalizimit, duke filluar nga ai ushtarak, që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë vijë autori na i shpalos copëzat e historisë së gjenealogjisë familjare të dëshmorëve Naser Krasniqi, Sahit Krasniqi, Visar Hoti, Safet Latifi, Islam Krasniqi, Lulzim Hoti, Jahë Hoti, duke na rrëfyer kështu të bëmat e stërgjyshërve të tyre, të gjyshërve dhe baballarëve, të cilët kishin jetuar nëpër zjarrin e mbijetesës. Nëpër këtë rrugë familja ngrit kodin moral dhe edukues, kultivon dashurinë familjare dhe atdhetare, e pastaj vijnë natyrshëm aktivitetet në shërbim të kombit.
Përmes këtij zjarri dhe nën kërcënimin e mynxyrës së okupatorit serb libri fillon ta shfaqë trungun kryesor të shtjellimit hulumtues. E kaluara e cila s’bën të harrohet, evoluimi i vetëdijes intelektuale dhe dashuria e madhe për të parë popullin e lirë, fillon të japë koncepte të qarta veprimi, që variojnë nga një shoqëri që kapërcen sfidat nga okupimi, ku bërthamën e lirisë e ruante me sakrifica pothuajse mitike, të udhëhequra me kuvende miqësish, me grupe studentore e pastaj me ato më të zgjeruara shoqërore, e deri tek ngritja e institucioneve në rrethana lufte ku tashmë kishte udhëheqje, komandantë, togje e brigada.
Dëshmorët tanë që shpalosen në këtë libër janë produkt i këtij vetëdijësimi që thellë ka aspiratën për dinjitet shoqëror, për paqe ndaj njeriut, por që rrethanat historike, mjerisht me një trashëgimi të hershme, kishin sjellur zgjidhjen ose të mbijetesës përmes luftës ose të zhdukjes fizike.
Ky libër është i pasuruar edhe me shumë të dhëna historike të luftës së UÇK-së e veçmas në rajonin e Anadrinisë. Kështu, kemi të dhënat kryesore të betejave të zhvilluara, të zingjirit komandues të Zonës Operative të Pashtrikut, të kompanisë së dytë të kësaj zone, të përpjekjeve të popullatës së kësaj zone për të fituar lirinë, të dëmeve gjer në likuidim fizik, të shkaktuara nga armiku serb, të dëmeve të ekonomive familjare, të dhëna këto të marrura nga vet protagonistët e ngjarjeve. Autori ka shfrytëzuar edhe të dhënat nga publikimet e mediave të kohës, nga arkivi personal (sepse autori është studiues i historisë), nga arkivat e familjeve të dëshmorëve dhe protagonistëve të ngjarjeve të cilave iu referohet, dhe, gjithsesi se faktografia kryesore mbetet deklarimi i vet protagonistëve të ngjarjeve, pra, i njeriut të gjallë, i njeriut i cili ka qenë pjesë e zhvillimeve të historisë më krenare të mundshme, të luftës sakrifikuese për liri, të gjithë asaj drame jetësore me të cilën u përball një popull i tërë.
Autori është edhe vet protagonist i ngjarjeve, pjesë e udhëheqjes së luftës, vëllai i dëshmorit Naser Krasniqi dhe duke qenë edhe historian profesionist, mbase, edhe nuk kishte se si të mos e shkruante këtë libër. Autori duke i shpalosur veprat atdhetare të heronjve tanë, në sfond të kësaj shpalos edhe traditën e pasur të familjeve të tyre e cila është e rrezonuar gjithnjë me bujari tradicionale. Është e vështirë në këtë rast që të ruhet ajo distanca emocionale e njohjes së drejtpërdrejtë me protagonistët të cilëve i kushtohet ky libër, por, kjo tejkalohet me profesionalizëm prej studiuesi që i njeh mirë kriteret e faktografisë historike. Dhe, pikërisht kjo e bën librin edhe më të fuqishëm. Janë ngjarjet madhore, të luftës për mbijetesë, jeta dinamike e dëshmorëve me sakrificën e tyre sublime, të rreshtuar nën uniformën e UÇK-së, ato që e bëjnë lexuesin e këtij libri ta ndjejë peshën e madhe të dashurisë së bijve tanë për ne, për kombin tonë, për shqiptarinë tonë.
Ky libër do të mbetet një material i çmueshëm arkivor i historisë së luftës së UÇK-së që do t’u rrëfejë brezave pastërtinë e asaj lufte, heroizmin, vigjilencën e këtyre bijve, të cilët ndonëse kishin mundësi të bënin karrierë personale në vende të ndryshme të botës, me potencialin e tyre edhe intelektual që kishin, ata bën zgjedhjen tyre: Sakrificën për lirinë tonë! Sa rrugë e gjatë dhe e vështirë! Sa shumë mund duhej nga ata që ishin gjithmonë të gatshëm dhe kishin potencialet morale, fizike dhe intelektuale ta bënin ëndrrën e popullit tonë realitet – ëndrrën për të jetuar të lirë.
Autori, duke e botuar këtë libër, ka shënuar në të shëmbëlltyrën e heronjve tanë se si duhet sakrifikuar për lirinë, cila është ajo dashuri kaq e madhe për t’u ngritur mbi interesant personale, si fitohet beteja e brendshme për të triumfuar pastaj mbi çdo betejë që cënon atdheun./Gazeta Infokus/
Të tjera
-
Ish-ambasadori i Shqipërisë: Asociacioni, kusht që nuk lidhet me Këshillin e Evropës
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, ka thënë se vendosja e As...
-
Momenti kur Edi Rama i përkulet shqiptarëve në Greqi
Në një fjalim të mbajtur në Athinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori...
-
Ja kur pritet të hapet pishina e Gërmisë
Stina e verës po afron, ndërsa për qytetarët e kryeqytetit, Pishina e Gërmisë...
-
“I vdiq djali përpara…”- Halil Kastrati rrëfen historinë prekëse me ish-ushtarin e UÇK-së!
Humanisti i njohur, Halil Kastrati, në një intervistë dhënë për dokumentarin ...
-
Çejku: Presidentja Davkova, e pamatur në shmangien e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut
Arben Çejku, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Qeverisje të Mirë tha për Zërin ...
-
Nesër takohen Kurti e Krasniqi, në tavolinë dy tema
Kryeministri Albin Kurti do të presë të hënën në takim kryetarin e Partisë De...
-
Sveçla dhe Hoxha vizitojnë policin që u plagos gjatë intervenimit në një vjedhje në Kishën e Zllakuqanit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Koso...
-
Rama reagon pas takimit me shqiptarët në Athinë: Faleminderit nga zemra, hapim një kapitull të ri vëllazërimi me Greqinë
Kryeministri Edi Rama përmbylli ndalesën e parë të rrugëtimit në komunitetet ...
-
Falsifikimi i euros, Banka e Shqipërisë apelon tek qytetarët për kujdes
Monedha kombëtare në qarkullim, në fund të vitit 2023, arriti në 408 miliardë...
-
Sveçla shfaqet duke lundruar në Ujman
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla këtë të diel ka lundruar në Liq...
-
Kurti flet për projekte infrastrukturore: Do kontribuojnë në lidhjen e shqiptarëve
Kryeministri Albin Kurti, ka folur dje në Prizren për projekte infrastrukturo...
-
Haradinaj: Rahoveci e dëshmoi kontributin ndaj Atdheut përmes shumë luftëtarëve të zotë, sa që edhe historia do të rrëfejë për ta
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marr...