Lajme

Prokuroria kërkon dënimin e dy ish-zyrtarëve të MI-së të akuzuar për korrupsion, mbrojtja lirimin e tyre

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 30 September 2022

Në fjalën përfundimtare prokurori, Bashkim Zeqaj, ka kërkuar dënimin e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa mbrojtësit ka kërkuar nga gjykata lirimin e tyre.

Prokurori Zeqaj në fjalën e tij përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shpall fajtor dhe t’i dënoj të lartcekurit sipas ligjit, duke kërkuar kështu edhe dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të profesionit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne prokuroria kërkojmë që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit dhe krahas dënimit prokuroria kërkon që t’i shqiptohet ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratën publike dhe të obligohen të pandehurit që shumën prej 29,828.83 euro t’ia paguajnë Qeverisë së Republikës së Kosovës në mënyrë solidare në emër të kompensimit të dëmit”, ka thënë i njëjti.

-Advertisement-

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bekteshi avokati Skender Musa, në fjalën e tij përfundimtare të cilën po ashtu e dorëzoi me shkrim duke e elaboruar, ka deklaruar se është shqetësues fakti se si ndiqen zyrtarët e republikës sonë kur ndryshon pushteti qeverisës.

“Është me të vërtetë jashtëzakonisht shqetësuese të ndiqen dhe përndiqen njerëzit dhe zyrtarët e Qeverisë së Republikës së Kosovës kur ndryshojnë qeveritë, është fakt i ditur botërisht që ky sekretar ka qenë në kohën e Isa Mustafës dhe në momentin e ndryshimit i ngritët aktakuzë”, ka thënë avokati Musa.

I njëjti gjithashtu ka propozuar që gjykata ta hedh poshtë aktakuzën si të pabazuar ose të marr aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të tij.

“Me vendos drejtësinë në këtë rast ju duheni me marrë veç një vendim, me hedh poshtë aktakuzën me aktvendim të pabazuar në ligj dhe në prova ose me marr aktgjykim lirues për shkak se nuk u provu me asnjë provë të vetme se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë”, ka thënë ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, i cili gjithashtu dorëzoi fjalën e tij përfundimtare me shkrim, ka thënë se është vërtetuar që pretendimet në aktakuzë janë të pabazuara dhe si të tilla duhet të refuzohen si të pabazuara duke propozuar kështu që i mbrojturi i tij Tahiri të lirohet nga akuza për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“I gjithë procesi gjyqësor i realizuar deri më tani, dëshmitarë të dëgjuar, fakte të konstatuara si dhe prova të administruara në tërësi në këtë çështje penale kanë vërtetuar se akti akuzues duhet të refuzohet nga ana e gjykatës, i tërë procesi ka konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet që i akuzuari Besim Tahiri të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga barra e fajësisë”, ka deklaruar i njëjti.

Të akuzuarit Bekteshi dhe Tahiri kanë mbështetur tërësisht fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre e gjithashtu Bekteshi gjithashtu që ta lirojë atë.

“Kërkoj që gjykata të merr aktgjykim lirues ndaj meje sepse jam tërësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Bekteshi.

Paraprakisht gjatë kësaj seance avokati Musa ka propozuar që të bëhet një ekspertizë e prokurimit publik, propozim ky që u kundërshtua nga prokurori Zeqaj dhe u refuzua nga trupi gjykues.

Avokati Musa gjithashtu ka dorëzuar edhe një ekspertizë për të cilën ai tha se i mbrojturi i tij ka angazhuar ekspertin Agim Sheqiri dhe të njëjtën e ka propozuar si provë materiale dhe ka kërkuar nga gjykata që ta administrojë si të tillë.

“Në pajtim me nenin 141 par.2 të KPRK-së ,i pandehuri ka nxjerrë ekspertizë në mnëyrë vetanake dhe ka angazhuar ekspertin Agim Shaqiri për të gjitha qështjet që janë përfshirë në dispozitiv dhe arsyetim të aktakuzës. Raportin e kësaj ekspertize e propozoj si provë materiale dhe kërkoj nga gjykata që ta administrojë si provë materiale”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me propozimin për një provë të tillë, prokurori Zeqaj i ka propozuar gjykatës që e njëjta të refuzohet pasi që lidhet me vendimin e mëparshëm të avokatit Musa për ekspertizë të prokurimit public dhe pasi që sipas tij e njëjta nuk ka të bëjë me objektin e akuzës.

“Edhe pse unë nuk kam këtë provë dhe as se kam lexuar i propozoj gjykatës që kjo provë të refuzohet sepse është e lidhtë me vendimin që e murrët ju paraprakisht sepse e njëjta siç e theksova më lartë nuk ka të bëjë asgjë me objektin e akuzës”, ka deklaruar i njëjti.

Trupi gjykues ka refuzuar propozimin e avokatit Musa që të administrohet si provë ekspertiza e ekspertit Sheqiri pasi që e njëjta elaboron kompetencat e ZKA-së.

“Refuzohet propozimi i mbrojtësit të pandehurit Bekteshi që të administrohet si provë ekspertiza e datës 28.09.2022 e ekspertit të pavarur të prokurimit Agim Sheqiri pasi që ekspertiza vetëm elaboron kompetencat e ZKA sipas ligjit për prokurim publik, ndërsa objekt i akuzës për veprën penale e cila i vihet në barrë të pandehurit janë veprime tjera të përshkruara më për së afërmi në dispozitiv të aktakuzës”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike pritet të mbahet më 3 tetor.

Ndryshe, dy të akuzuarit, më 6 gusht 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vite burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të njëjtëve iu ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burg, si dhe ata ishin obliguar që të dëmtuarës MI t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar në shumën prej 29 mijë e 828 euro e 3 centë.

Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar dhe çështjen ia ka kthyer të njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Tahiri akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera