Opinione

PRIORITETET EKONOMIKE TË QEVERISË KURTI

Autori: Medain Hashani 12:05 | 27 February 2021

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, në zgjedhjet nacionale të mbajtura në Kosovë në Shkurt 2020, siç po shihet z.Kurti do të jetë Kryeministër i Kosovës. Rezultatet e realizuara nga Vetëvendosje janë mbi 48% ende pa u numëruar votat me kusht dhe votat e diasporës, që në bazë të sistemit zgjedhor të Kosovës, formimi i Qeverisë nga Partia Vetëvendosje është pothuaj se mjaft i lehtë në formimin e Qeverisë si parti e vetme me minoritetet tjera.

Formimi i Qeverisë nga z.Kurti do të paraqes edhe sfidat të cilat e presin këtë Qeveri, duke u bazuar në nevojën imediate të cilën e ka Kosova për të pasur një zhvillim të hovshëm ekonomik. Zhvillimi i hovshëm ekonomik, është nevoja më e madhe që e ka Kosova në përgjithësi e më së shumti qytetarët e Kosovës.

Problemet të cilat vazhdimisht e kanë përcjellur Kosovën e që kanë ndikuar në një mungesë të zhvillimit ekonomik kanë qenë kryesisht të natyrës politike gjë që e kanë penguar zhvillimin në përgjithësi. Një vend për të pasur një zhvillim ekonomik nevoitet që të ketë një rritje ekonomike të qëndrueshme, bilanc tregëtar pozitiv dhe stabilitet buxhetor nga një ekonomi e cila i krijon të hyrat publike të mjaftueshme për të mbuluar nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Qytetarët kërkojnë që tatimet dhe taksat të cilat i kanë paguar t’iu kthehen në mënyrë të drejtë dhe jodiskriminuese nga Qeveria në bazë të nevojave dhe kërkesave të tyre.

-Advertisement-

Kosova momentalisht është në një udhëkryq të papërshtatshëm si në aspektin ekonomik, financiar ashtu edhe në atë shëndetësor. Në mënyrë që të merren për bazë disa rekomandime nga ana ime Qeveria Kurti, unë do të paraqes disa probleme dhe sfida të karakterit ekonomik, të cilat mendoj se i ka momentalisht Kosova dhe cilat do të ishin zgjidhjet e këtyre sfidave dhe problemeve. Identifikimi i problemeve është parësor në mënyrë që të krijohen prioritetet, politikat zhvillimore, strategjitë për realizimin e politikave dhe kontrollin e zbatimit të strategjive.

Sfidat dhe problemet e identifikuara :

  1. Në bazë të të dhënave të cilat janë publikuar nga Banka Botërore rritja ekonomike e Kosovës në vitin 2020 ka qenë e planifikuar të jetë 4.1 %, mirëpo në bazë të të dhënave të përditësuara në vitin 2020 ka një rënje ekonomike prej 6.7 % të GDP-së. Kjo rënje do të reflektohet edhe në vitin 2021 pasi që trendi i pandemisë Covid 19 nuk është duke shkuar nga eliminimi mirëpo nga rritja me variante të reja, dhe mbyllja e vendeve të Bashkimit Evropian përshkak të pandemisë do të ketë një impakt mjaft të lartë negativ edhe te ne në Ekonominë e Kosovës, përshkak se Kosova ka të hyra mjaft të qëndrueshme nga remitencat të cilat e rrisin kërkesën agregate në treg dhe zvogëlimi i remitencave, reflektohet negativisht te ne. Sipas BQK-së në Kosovë gjatë vitit 2020 kemi pasur remitenca prej 589.7 milion euro, ndërsa në vitin 2020 kemi rënje prej 52.90 %, në krahasim me vitin 2019 që kanë qenë 1.2 miliard euro. Poashtu mungesa e investimeve të huaja ka një impakt mjaft të lartë në zhvillimin ekonomik. Investimet e huaja në Kosovë janë të nivelit mjaft të vogël , orientimi i këtyre investimeve ka qenë kryesisht në sektorin financiar, të patundshmërive dhe në sektorin e sigurimeve.
  2. Bilanci tregëtar i Kosovës është një sfidë mjaftë e lartë e Kosovës duke patur parasysh se nëse i kthehemi retrospektivës , Ekonomia e Kosovës edhe paraluftës edhe pasluftës asnjëherë nuk ka patur bilanc tregëtar pozitiv. Ndërsa njëri nga treguesit kryesor të zhvillimit ekonomik të një ekonomie nacionale është bilanci tregëtar. Nëse analizohen statistikat e publikuara nga Dogana e Kosovës për bilancin tregëtar mund te themi se kemi një gjendje alarmante dhe të pafavorshme për Ekonominë e Kosovës. Në vitin 2019 eksporti i Kosovës ka qenë 346 milion euro ndërsa importi 3 miliard e 472 milion euro, deficiti tregëtar i bie të jetë negativ prej 3 miliard e 125 milion. Ne vitin 2020 eksporti i Kosovës ka qenë 439 milion ndërsa importi 3 miliard e 271 milion, deficiti tregëtar i bie të jetë negativ prej 2 miliard e 832 milion, ku edhe pse në vitin 2020 ka qenë vit i pandemisë kemi një zvogëlim të deficitit tregëtar prej 293 milion pasi që kemi rënje të importit prej 201 milion ndërsa kemi rritje të eksportit për 93 milion. Andaj në bazë të kësaj analize vërtetohet se kemi një gjendje alarmante të dhe të pafavorshme në Ekonominë e Kosovës.
  1. Stabiliteti buxhetor i Kosovës është në një fazë gjithashtu mjaft të pafavorshme, pasi që nëse  analizohet nga viti në vit kemi rënje të të hyrave publike dhe kemi rritje të të dalave publike. Rritja e të dalave publike është e jo e definuar mirë dhe jo e analizuar mirë pasi që të gjitha vendimet të cilat janë marrur gjatë vitit 2019 dhe 2020 për shpërndarjen e tyre nuk kanë sjellur ndonjë efekt pozitiv në të mirë të buxhetit. Nëse analizohet buxheti i vitit 2019 dhe buxheti i vitit 2020 dhe 2021 mund të vërtetojmë konkludimet e cekura më lartë. Në vitin 2019 të hyrat publike kanë qenë 1 miliard e 888 milion ndërsa të dalat publike kanë qenë 2 miliard e 93 milion deficiti buxhetor në vitin 2019 ka qenë 205 milion. Në vitin 2020 të hyrat publike kanë qenë 1 miliard e 788 milion ndërsa të dalat publike kanë qenë 2 miliard e 620 milion deficiti buxhetor në vitin 2020 ka qenë 832 milion. Në vitin 2021 të hyrat publike kanë qenë 1 miliard e 887 milion ndërsa të dalat publike kanë qenë 2 miliard e 454 milion deficiti buxhetor në vitin 2021 ka qenë 567 milion. Deficitet buxhetore nga vitet 2019 deri në 2021 vërtetojnë se të dalat publike nuk janë të definuara mirë dhe jo të analizuara mirë sepse ky deficit mjaft i lartë nuk është i mirë për Ekonominë e Kosovës dhe tregon mungesë të planifikimit të mirë të buxhetit. Në bazë të buxhetit të miratuar të vitit 2021 , në të cilin vit parashihet që të jetë në udhëheqje Qeveria Kurti, nuk është paraprë që gjatë vitit 2021 të ndryshohen politikat tatimore në mënyrë që të sigurojnë të hyra publike.Prioritetet që duhet ti ketë Qeveria Kurti për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave :
  1. Qeveria Kurti për të patur zhvillim ekonomik dhe rritje ekonomike, nevoitet që qysh në fillim të formoj grupet punuese në nivel nacional të ekspertëve të ekonomisë që të krijojnë strategjinë e zhvillimit ekonomik në nivel nacional. Në kuadër të strategjisë së zhvillimit ekonomik, nevoitet që të parasheh politika zhvillimore në fushën e krijimit të kushteve për investitorët potencial. Politikat zhvillimore duhet të jenë të fokusuara në tërhjekjen e investimeve të huaja. Për të tërhjekur investime të huaja nevoitet që të shpall një zonë ekonomike në nivel nacional, të orientoj buxhetin e shtetit në këtë zonë në mënyrë që investitorëve t’iu krijohën kushtet e favorshme për të investuar në Kosovë. Kjo zonë duhet të ketë zgjidhjen e problemit të infrastrukturës, sigurimin e rrymës 24 orë pa patur nevojë investitorët të investojnë në fillim për gjenerator, t’iu ofroj investitorëve moratorium fiskal në bazë të vlerave të cilat do ti investojnë dhe numrit të të punësurave që do ti punësojnë , ti subvencionoj për vitin e parë 50 % të pagave të punëonjësve për vitin e parë, t’iu krijohet Gjykata Ekonomike për zgjidhjen e kontesteve eventuale në një afat prej 2 muajve maksimumi, t’iu ofrohet mbështetja për sigurinë e investimeve nëpërmjet zotimeve shtetërore (ku kjo mbështetje do t’iu ofrohej për t’iu treguar se është bërë studimi i fizibilitetit se cili sektor ka nevojë në Kosovë për të investuar) dhe t’iu mundësohen investimet e përbashkëta (Joint Venture) duke zbatuar partneritetin publiko privat.
  1. Në mnëyrë që të kemi zvogëlim të deficitit tregëtar, Qeveria Kurti duhet me përpikëri të zbatoj pikën e parë pasi që ne në Kosovë me një ekonomi të cilën e kemi, në fillim duhet të orientohemi në zvogëlimin e importit me produktet zëvendësuese të cilat do të prodhohen në zonën ekonomike. Gjithashtu Qeveria Kurti duhet të krijoj Diplomacinë Ekonomike, të cilët do të ishin promotorët kryesor të promovimit të zonës ekonomike tek investitorët e jashtëm për ti informuar lidhur me kapacitetet të cilat i kanë për të investuar në Kosovë. Duke i informuar për kostot shumë më të ulëta në raport me vendet e tjera të BE-së, nga kostot tatimore, fuqia punëtore, subvencionimi pagave, zotimi shtetëror, Gjykata Ekonomike, mundësia për Joint Venture të investimeve etj. Andaj me këto intervenime ekonomia e Kosovës do të kishte një impakt në zvogëlimin e deficitit tregëtar nëpërmjet zvogëlimit të importit me produkte zëvendësuese të cilat do të prodhoheshin në Kosovë te zona ekonomike.
  1. Stabiliteti buxhetor i Kosovës do të sigurohej, në ndryshimin e politikave tatimore të cilat janë aktuale në Kosovë. Qeveria Kurti do të duhej që këto politika tatimore ti përshtat në bazë të strategjisë nacionale ekonomike që do të duhej të krijoj pasi që ne si Kosovë me këto politika të cilat janë aktuale rrezikojmë mjaft shumë në të ardhmen me sigurimin e buxhetit. Një shtet i cili të hyrat publike kryesore i sigruon 67% në kufi dhe 27% në vend tregon se ai vend ka një evasion të lartë tatimor. Andaj duhet të bëhen politika tatimore në atë mënyrë që të ndryshohet struktura e pjesëmarrjes në nivel nacional në të hyrat publike. Marrja për bazë e këtyre sygjerimeve nga ana e Qeverisë së ardhshme Kurti, do të ndikonte mjaft shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ku ky zhvillim do të ndikonte në rritjet më të shpejta ekonomike, zogëlimin e papunësisë, zhvillimin e diplomacisë në nivel të Kosovës dhe gjithashtu edhe stabilitetin buxhetor.

Autor Dr.sc Medain Hashani

Profesor i Kontabilitetit dhe Auditimit

Fakulteti Ekonomik, Kolegji AAB

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera