Lajme

Osmani udhëton për vizitë në Tajlandë dhe Singapor

Autori: Gazeta inFokus 09:51 | 24 June 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi mori pjesë në ditën e parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor, shkruan Gazeta Infokus.

Kështu është bërë e ditur nga Presidenca përmes një komunikate drejtuar mediave, ku ndër të tjera u njoftua se Osmani do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

“Kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore. Gjatë qëndrimit në Tajlandë, Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri i Tajlandës Prayut Chan-o-cha. Kurse në Samitin “Global Summit of Women”, Presidentja Osmani do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri.

-Advertisement-

Presidentja Osmani, gjithashtu do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik të organizuar nga Këshilli Diplomatik dhe Oda Ekonomike e Tajlandës ku do të diskutohen mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, por edhe mundësive ekonomike që i ofron Kosova”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Gjithashtu, është bërë e ditur edhe agjenda e të parës së vendit në vizitën e saj në Singapor.

“Pas vizitës në Tajlandë, Presidentja Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, Presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit z.Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, znj. Sim Ann dhe me Ministrin e Lartë të Shtetit, dr. Mohamad Maliki Bin Osman”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Kujtojmë se kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera