Opinione

Ngushticat detare që mund ta ngulfasin botën

Autori: Gazeta inFokus 12:13 | 10 January 2022

Shkruan: Agron HOTI

Arsyeja pse SHBA historikisht ka zhvilluar luftëra në tokë e jo në detëra e oqeane ka qenë ruajtja e supremacisë detare në glob, pra supremacisë së navigimit nëpër detërat dhe oqeanet e botës. Kjo taktikë i ka sjellë avantazhe të papara SHBA-së, sepse bota është përqendruar në armë tokësore e jo detare. E janë pikërisht detërat dhe oqeanet përmes të cilave kalon mbi 80 % e tregtisë globale.

I vetmi vend në glob, përpos SHBA-së, që ka filluar të investojë fuqishëm në flotë ushtarake detare është Kina e varuar nga burimet energjetike të jashtme. Fuqizimi i flotës detare ushtarake kineze, ndërtimi i ishujve artificialë si dhe militarizimi i tyre në Detin e Kinës Jugore, tensionet mes Kinës dhe Japonisë për ishujt Senkaku, kërcënimet e Kinës për pushtimin e Tajvanit, rritja e ndikimit të Kinës në Azi Juglindore, janë projeksione që mund ta sfidojnë seriozisht supremacinë detare amerikane në Oqeanin Indian and atë Paqësor. Pastaj, tensionet mes SHBA-së dhe Izraelit në njërën anë dhe Iranit në anën tjetër përbëjnë sfidën tjetër për furnizimet e SHBA-së dhe tërë Perëndimit me energji nga Gjiri Persik.

-Advertisement-

Janë dy ngushtica në glob që mund ta paralizojnë ekonominë e botës brenda pak orëve: e para është Ngushtica e Hormuzit që ndahet mes Omanit dhe Iranit dhe që lidh Gjirin Persik me Detin Arab, ndërsa  e dyta është Ngushtica e Malaccas në Azi Juglindore që ndahet mes Singaporit, Malajzisë dhe Indonezisë.

Përmes Ngushticës së Hormuzit (shih hartën e mëposhtme) kalon një e treta e naftës së tërë botës. Sipas Robert Straus Center for Internationl Security and Law “Ngushtica e Hormuzit përmban tetë ishuj të mëdhenj, shtatë prej të cilëve kontrollohen nga Irani. Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk pajtohen në lidhje me pronësinë e ishujve të vendosur strategjikisht Abu Musa, Tunb i Madh dhe Tunb i Vogël… Megjithatë, Irani ka mbajtur një prani ushtarake në këto ishuj që nga vitet 1970… Kontrolli de-fakto iranian i këtyre ishujve sigurisht që forcon ndikimin iranian në ujërat e ngushticës”.

Sipas U.S. Energy Information Administration “Ngushtica e Hormuzit është pika më e rëndësishme e naftës në botë për shkak të vëllimeve të mëdha të naftës që rrjedhin nëpër ngushticë. Në vitin 2018, fluksi ditor i naftës ishte mesatarisht 21 milionë fuçi në ditë, ose ekuivalente me rreth 21% të konsumit global të produkteve të naftës… Më shumë se një e katërta e tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm kishte kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit në vitin 2018.”. Prandaj, prezenca e fuqishme ushtarake e SHBA-së në Gjirin Persik, tregon për rëndësinë jetike që ka kjo ngushticë për qarkullimin e energjisë globale. Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së përbëjnë rrezik potencial për bllokimin e qarkullimit të kësaj ngushtice, pasoja e së cilës për ekonominë globale do të mund të ishin fatale.

Ndërkohë, Ngushtica e Malaccas (shih me të kuqe shigjetën në hartën e mëposhtme në të majtë) përbën njërën nga pikat më nevralgjike për tregtinë ndërkombëtare në glob. Që nga shekulli 17 kjo ngushticë përbënte rrugën kryesore detare të tregtisë mes Indisë dhe Kinës. Kjo ngushticë shtrihet mes Singaporit, Malajzisë dhe Indonezisë dhe është porta kryesore që lidh Oqeanin Indian me Oqeanin Paqësor përmes Detit të Kinës Jugore. Është rruga më e shkurtër detare midis furnizuesve të Gjirit Persik dhe tregjeve kryesore aziatike.

Sipas U.S. Energy Information Administration “gati një e treta e 61% të prodhimit të përgjithshëm global të naftës dhe likuideve tjera që lëvizën në rrugët detare në 2015 kanë kaluar tranzit nëpër Ngushticën e Malacca, pika e dytë më e madhe e tregtisë së naftës në botë pas Ngushticës së Hormuzit. Nafta dhe likuidet tjera që kalojnë tranzit në Ngushticën e Malacca-s u rritën për herë të katërt në pesë vitet e fundit në vitin 2016, duke arritur në 16 milionë fuçi në ditë… Dërgesat e naftës përmes ngushticës së Malacca-s furnizojnë Kinën dhe Indonezinë, dy nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë. Ngushtica e Malacca-s është pika kryesore e kyçe në Azi, dhe vitet e fundit, midis 85% dhe 90% e flukseve totale vjetore të naftës nëpër këtë pikë ishin naftë bruto. Ngushtica e Malacca është gjithashtu një rrugë e rëndësishme tranziti për Gazin Natyror të Lëngshëm (Liquified Natyral Gas –LNG-) nga Gjiri Persik dhe furnizuesit afrikanë, veçanërisht Katari, në vendet e Azisë Lindore me kërkesë në rritje për LNG. Importuesit më të mëdhenj të LNG-së në rajon janë Japonia dhe Koreja e Jugut”.

Pikërisht pse është jetike presidenti i atëhershëm kinez, Hu Jintao, në vitin 2003 këtë ngushticë e kishte quajtur “Dilema e Malacca”, që mund ta pengonte zhvillimin ekonomik të Kinës si importuesen më të madhe të naftës në botë. Për ta ulur varësinë dhe pse jo rrezikun e importeve nga vetëm kjo ngushticë, Kina është duke kërkuar rrugë alternative për transport të energjisë siç është porti Gwadar-Xinjiang, si pjesë e investimit kinez prej mbi 50 miliardë dollarësh për Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan (shih hartën lartë në të djathtë), i fokusuar në importimin e naftës përmes portit Gwadar (Pakistan) që e lidh atë me vendet e Gjirit Persik dhe Afrikës.

Mirëpo, sipas Financial Times të datës 8 dhjetor 2021 “interesi i Pakistanit për projekte të reja kineze ka filluar të bie….Transporti i mallrave nuk ka arritur të fillojë deri më tani nga Porti Gwadar (drejt Kinës v.i.) ….Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani në gusht 2021 dhe kthimi i talebanëve në Kabul mund ta përkeqësojnë sigurinë” për importet e Kinës përmes Pakistanit. Sipas U.S. Energy Information Administration “nëse ngushtica e Malacca-s do të bllokohej, gati gjysma e flotës së anijeve botërore do të duhej ta ndryshonte rrugën përreth arkipelagut indonezian….Ndryshimi i rrugës do të ngushtonte kapacitetin global të transportit, do të shtonte kostot e transportit dhe do të ndikonte potencialisht në çmimet e energjisë”. Prandaj, fuqizimi i flotës detare kineze për të siguruar, ndër të tjera, importin e energjisë, sfidon SHBA-të, të cilat si kundërpërgjigje ndaj Kinës janë duke i fuqizuar aleancat në Azi Jugore, Lindore dhe Juglindore deri në Australi për ta penguar synimin e Kinës për dominimin e Paqësorit.

Pra, janë pikërisht dy ngushticat e lartëpërmendura (Hormuzi e Malacca) ato që janë kyçe për zhvillimin e tregtisë globale, krahas kanalit të Panamasë, si dhe dy portave të Mesdheut (në perëndim me ngushticën e Gjibraltarit që është nën kontrollin britanik dhe në lindje me Kanalin e Suezit që është në kontroll të Egjiptit). Çdo bllokim i ngushticave dhe kanaleve të lartëpërmendura paraqet rrezik të madh për tërë ekonominë globale, kjo sepse, para se gjithash, do të rriste eksponencialisht çmimet e energjisë, të cilat më pas do të kishin efekte zinxhirore të pandalshme në çmimet e konsumit dhe jo vetëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera