Fokus

Ministria e Drejtësisë jep detaje se kur dhe si do të formohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 14 April 2022

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të themelohet së shpejti, shkruan Gazeta Infokus.

Por, si do të formohet kjo byro?

Në një përgjigje për Gazetën Infokus nga Ministria e Drejtësisë, kanë thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim, pasi që më parë ishte miratuar edhe nga qeveria.

-Advertisement-

Gjithashtu, nga kjo ministri kanë njoftuar se projektligji rregullon kompetencat dhe detyrat e Byrosë në aspektin e verifikimit të pasurisë.

Kurse, konfiskimi i pasurisë do të bëhet vetëm nga gjykata.

“Projektligji rregullon kompetencat dhe detyrat e Byrosë në aspektin e verifikimit, ndërsa konfiskimin mund ta bëjë vetëm Gjykata, pasi ta propozojë atë Byroja. Pala që është pjesë e procedurës sipas projektligjit ka të drejtë që të paraqes prova, fakte, ankesa dhe kërkesa në lidhje me procedurën që zhvillohet”, kanë thënë nga MD-ja për Infokusin.

Ndërkaq, pasuria e konfiskuar nga gjykata mund të jetën në shfrytëzimin e shtetit të Kosovës, vetëm pasi që aktgjykimi i gjykatës të merr formën e prerë.

Në dhjetor projektligji është proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë vërejtje të shumta kanë pasur organizatat që merren me trajtimin e çështjeve juridike.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka thënë se sipas Projektligjit aktual, Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është objektivisht jo e pavarur.

“Sipas Projektligjit aktual, Byroja do të udhëhiqet nga drejtori i saj, i cili do të jetë autoriteti kompetent për vendosur inicimin e hetimeve dhe parashtrimin e propozimit për konfiskim të pasurisë. Drejtori i kësaj Byroje do të zgjidhet vetëm me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, derisa dispozitat që flasin për shkarkimin e tij nuk janë specifike. Sipas këtij rregullimi, Byroja objektivisht nuk mund të jetë e pavarur dhe rrezikon që të shndërrohet në mashë të partisë në pushtet, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, është zgjidhje e gabuar koncentrimi i lëndëve të Byrosë në vetëm Divizionin Civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili nuk paraqet asnjë specifikë në raport me divizonet civile të gjykatave të tjera themelore dhe degëve të tyre.

Edhe Jeton Hasani, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Projektligji nuk ka një standard adekuat të provimit në gjykatë, qoftë në masën e përkohshme apo në konfiskimin përfundimtar.

“Në rastet para se të paraqitet propozimi për konfiskim nga Byroja, siç duket gjykata mund të caktojë masën e përkohshme të sigurimit pa një prag adekuat të të provuarit. Përkatësisht, mjafton që të jetë i besueshëm pretendimi i Byrosë që po qe se nuk caktohet masa e përkohshme, pasuria mund të mos jetë më në dispozicion të subjektit. Por nuk kërkohet ndonjë standard i të provuarit se pasuria që kërkohet të sigurohet përkohësisht, në fakt, ka prejardhje të dyshimtë. Në rastin konkret nuk ka fare standard të të provuarit: mjafton që pronësia të rrezikohet nga tjetërsimi, asgjësimi, e të ngjashme. Zaten, çdo pasuri mund të rrezikohet të tjetërsohet nga pronari i cili është i lirë të disponojë me pasurinë e vet; prandaj, një standard i tillë, si i vetëm, është joadekuat që të vendoset masa e sigurisë (para paraqitjes së propozimit për konfiskim)”, ka thënë Hasani.

Sipas, Institutin e Kosovës për Drejtësi, standardi adekuat i të provuarit mungon edhe në fazën e konfiskimit përfundimtar.

“Kalimi i barrës së provës tek pala në procedurë nuk do duhej të ishte automatik, me fillimin e procedurës së konfiskimit. Barra e provës do duhej të kalonte tek pala tjetër vetëm pasi që të argumentohet nga Byroja, para gjykatës, se ekziston baza e nevojshme që sugjeron se pasuria e personit në fjalë është e pajustifikueshme. Jo çdo propozim për konfiskim duhet të cilësohet apriori i bazuar që të sjellë kalimin e barrës së provës tek pala në procedurë. Duhet që së pari Byroja të parashtrojë fillimisht një propozim i cili, në përshtypje të parë, duket të jetë i bazuar për gjykatën, e tek pastaj barra e provës të kalojë tek pala në procedurë dhe të vazhdohet me hapat tjerë proceduralë”, ka përfunduar Hasani./Gazeta Infokus/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera