Sport

Kombëtarja U21 po përgatitet për duelin me Izraelin

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 11 October 2018

Kombëtarja U21 ka mbajtur dje dy stërvitje në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Izraelin, e cila do të zhvillohet më 16 tetor në Tel Aviv, shkruan Gazeta inFokus.

Përzgjedhësi Rafet Prekazi edhe në këtë grumbullim ka ftuar disa futbollistë të rinj me synimin që ngadalë ta përgatisë ekipin në të cilin do të llogarisë për edicionin e ardhshëm të kualifikimeve.

Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, ashtu sikurse edhe gjendja e futbollistëve, të cilët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin dhe për ta mbyllur në mënyrën më të mirë ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian 2019. Kombëtarja U21 do të vazhdojë me stërvitje edhe nesër në fushën “Top Football” në Mazgit, në orën 15:00.

-Advertisement-

Deklaruan pas stërvitjes
Kreshnik Hajrizi: Ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar që më është dhënë mundësia ta përfaqësoj Kosovën. Të gjithë djemtë më kanë pritur shumë mirë dhe vërtet shihet që ekipi ka harmoni. Tash shpresoj të përgatitemi sa më mirë dhe t’i gëzohemi fitores në Izrael.

Arbnor Muja: Jam i lumtur që jam ftuar nga përzgjedhësi Prekazi. Deri vonë kam luajtur në skuadrën e Trepçës kurse tash e disa muaj jam transferuar në Gjermani. Trajneri më ka njohur edhe më parë ngase e kam pasur trajner skuadre, por e ka përcjellë zhvillimin tim edhe në Gjermani. Tani jam i vetëdijshëm se duhet të punoj shumë, ngase konkurrenca është e fortë, por atmosfera në ekip është shumë e mirë.

Ismajl Beka: Kam qenë edhe në Kombëtaren U19 dhe ndjenja e veshjes së kësaj fanelle është shumë e veçantë. Atje kam kaluar jashtëzakonisht mirë, por edhe këtu në Kombëtaren U21 më kanë pritur shumë mirë dhe tash pres që të gjithë të jemi sa më kompakt në lojë. Natyrisht se është ndjenjë e mirë kur kalon nga Kombëtarja U19 në atë U21, ku pa dyshim intensiteti është më i madh dhe konkurrenca më e fortë. Shpresoj të kundër Izraelit të japim më të mirën dhe të fitojmë.

Donat Hasanaj: Ndihem i nderuar që jam ftuar pjesë e këtij grupi dhe falënderoj përzgjedhësin Prekazi për mundësinë që ma ka ofruar. Fanella e Kombëtares është të jep një ndjenjë të papërshkrueshme, prandaj do të mundohem që ta jap më të mirën time dhe t’i dëshmoj cilësitë e mia. Atmosfera në grup është mjaft e mirë dhe pres që të përgatitemi sa më mirë për përballjen me Izraelin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera