Lajme

Iu ndihmonin në provim për patent shofer, arrestohen dy persona në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 14:53 | 14 February 2023

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘marrje e ryshfetit në sektorin privat’ dhe “bashkryerja”.

“Me datën 14.02.2023 pas hetimeve intensive disamujore të zhvilluara nga hetues të krimeve ekonomike, është realizuar një urdhëresë e gjykatës, me ç’rast është kontrolluar një autoshkollë në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar se pronari i saj në këmbim të parave ua kryen provimet teorike dhe praktike për patentë shofer kandidatëve të interesuar”, thuhet në njoftim.

Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë I.M dhe B.M.

-Advertisement-

Gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur dhe janë sekuestruar si prova materiale: pesë (5) folderë me kopje të testeve që dyshohet se janë të njëjta me teste për patentë shofer, një folder me të dhënat e kandidatëve si dhe dy pajisje që janë përdorur nga të dyshuarit për komunikim në largësi.

Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit të dy personave të dyshuar, ndaj tyre është lëshuar aktvendimi për ndalim 48 orë dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera