Opinione

Fustanella e Ramushit

Autori: Gazeta inFokus 09:38 | 24 July 2019

Shkruan: Sokol Shameti

Dorëheqja e Ramush Haradinajt në Kosovë ka ekspozuar për të disatën herë jo vetëm rrafshësinë me të cilën perceptohet në Tiranë relievi i thepisur politik i Prishtinës, por edhe vetë naivitetin fëminor ku noton politika dhe shoqëria e Shqipërisë marinare.

Dhe ndonëse me siguri vetë Ramushi ka shënjestruar për tjetër gjah gjatë ekspeditës së vet të fundit, kjo dhuratë ekstra nga Tirana i vjen atij e gatshme si pasojë e miopisë të cilën audienca e këtushme mediatike, e ka strukturore ndaj Kosovës politike. Ajo ia përligj atij një përqeshje të mirë surratit ndaj atyre që e tallën dhe e përçmuan si “gomar” pak kohë më parë.

-Advertisement-

Në një farë mënyre, teksa sheh sesi thuajse këtu po i thurin rapsodi, teksa e quajnë luan, Gjergj Elez Ali e Rambo, teksa i mbushin faqet e mediave dhe statuset e profileve me jetëshkrime e citate trimërore të huazuara nga fondi i tij heroik, Ramushi shkulet gazit me udhëheqësinë e Shqipërisë duke u thënë: a mos vallë ju duket ndonjë mjeshtëri e madhe me kenë kryetarë të kësi të papjekurish?

Prej se kinse u përlot në kamera, Ramushi po luan një komedi të shkëlqyer me Shqipërinë. Një komedi, ku ashtu si te “Cosi fan tutte” e Lorenzo Da Ponte-s, ai ka mbathur fustanellën legjendare dhe ka ujdisur mustaqet romantike të bandillit shqiptar që hyn në skenë për t’i shpallur dashurinë një dame napolitane të trishtuar nga shtegtimi i të fejuarit.

Sigurisht, ky bandill me fustanellë, është vetë i fejuari origjinal qëllimi i të cilit është të vërtetojë se e vluara e tij s’i shpëton dot fatalitetit të supozuar të mendjelehtësisë femërore që bie viktimë e çdo aventurieri.

Dhe vërtet, në Shqipëri ai gjeti plot çupëlina të përvëluara që lanë mendtë për fustanellën dhe mustaqet e tij patriotike dhe burrërore, duke vërtetuar se kësaj ane të bjeshkëve, botëkuptimi për politikën është ende në stad virgjëror. Ndaj për këtë, Ramush, chapeau!

Është e qartë, tashmë prej vitesh në mungesë të plotë të ekspertizës apo së paku, thellimit, realiteti politik i Kosovës përftohet nga mediat tona dhe autoritetet e jetës së këtushme publike, i përthyer në një narrativë aq të thjeshtuar sa s’ke si të mos revoltohesh.

Krejtësisht e zënë me pazarin e vet lokal të politikës, audienca mediatike e Republikës së Shqipërisë i kushton studimit dhe vëmendjes ndaj politikës në Kosovë të njëjtën rëndësi me atë që ajo u jep ngjarjeve – në rastin më të mirë – nga rajoni!!!

Kësisoj, teksa ngrihej në Kosovë reputacioni i Ramushit si kryeministër i korruptuar deri në palcë, i shantazhuar deri në votim pro dorëzimit të mbi 8 mijë hektarëve tokë Malit të Zi, i diskredituar nga premtimi i shndërruar tashmë në barsoletë për liberalizimin e vizave, ndërsa pra në Kosovë Ramushi u bë e qartë se po qëndronte në këmbë vetëm ngaqë s’po e shtynte ende askush, në Shqipëri i gjithë ky degradim as që u rrok kurrë.

Që një publik ta bëjë të vetën një të vërtetë, duhet që ai ta jetojë shqetësimin e saj në terma përditshmërie. Dhe kjo është puna që bën një media informuese, e prirë ndaj interesit të publikut dhe qytetarëve të kombit të vet, si ajo që nuk kemi.

Çfarë media jonë bën, është theksimi deri në hiperbolë i anormales, tronditëses dhe spektakolares, teksa ndërkohë ka anashkaluar deri në injorim të plotë të zakonshmen transformuese e cila shpuri gradualisht deri te kjo shpërfaqje e së pazakontës.

Për publikun e shërbyer prej medias së Shqipërisë, taksa 100% e Ramushit mbi mallrat serbe, nuk ka një histori moderne pos asaj me lahuta dhe dyfekë që ofshëtijnë nga epoka e Isa Boletinit.

E reduktuar në një tregim fare bipolar, bardhezi, dydimensional, për të mirin dhe të keqin, heroin dhe tradhtarin, trimin dhe frikacakun, pritshmëria e publikut të këtushëm për produktin e politikës së Kosovës e ka thuajse të pamundur të pranojë diçka të ndryshme nga Eposi i Kreshnikëve. Dhe kjo është qesharake.

Sigurisht, një dorë të mirë në këtë ngjarje turpëruese e kanë luajtur edhe dy faktorë jo pak të rëndësishëm. Së pari, amplifikimi deri në mitizim i aktit kalorësiak të dorëheqjes së Ramushit u pompua edhe më me zell nga ata që synuan ta përdorin ndershmërinë e Ramushit të vogël si theks të imoralitetit që portretizon Ramën e madh.

Së dyti, një rol të madh në ngritjen e kësaj legjende që vjen si ekranizim modern i vetëmohimit të Mic Sokolit apo Ganimete Tërbeshit, është ajo që u quajt me të drejtë, uria për heronj. Kemi të bëjmë në Shqipëri me një urgjencë kronike për shembuj pozitivë altruizmi dhe sakrifice.

Sikurse profetizon Bertold Brehti, “I mjerë është vendi që ka nevojë për heronj”. Por kjo verë komike e ka zbërthyer deri në një nivel edhe më fundor këtë aksiomë: “Edhe më i mjerë vendi që e merr këdo për hero”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera