Opinione

Diaspora potente e Kosovës

Autori: Mehmet GJATA 10:07 | 20 August 2021

Këta muaj të verës na binden gjithanshëm se diaspora jonë numerikisht shumë e madhe e do vendin e vet, vendlindjen dhe mbetët akoma shumë e lidhur me trevën  e tyre dhe e përkushtuar ndaj familiarëve të tyre. Erdhën shumë, shpenzuan shumë, lanë në Kosovë shumë para. Në këtë mënyrë ngjallën ekonominë familjare te ne, rriten ndjeshëm të hyrat e vendit amë, shpërfaqen lojalitetin dhe  dashurinë e madhe për vendlindjen. Treguan edhe potencën e tyre financiare

Sot e kësaj dite, ende  nuk dihet saktësisht as për së afërmi numri i mërgimtarëve tanë nëpër botë. Nuk dihet sa kosovarë kanë braktisur nëpër vite Kosovën. Sidomos janë  të panjohura shifrat e ikjes së qytetarëve tanë në shtetet e botës pas luftës. Asnjëherë nuk janë mbajtur evidenca të sakta për numrin e kosovarëve që kanë lënë vendin e tyre. Dhe kjo verë shpërfaqi edhe një herë lajthitjen tonë rreth numrave të mërgimtarëve kosovarë të degdisur dhe të shpërndarë anembanë botës, veçmas në shtetet e Perëndimit. Pra ardhja masovike e kosovarëve në vendlindje gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit i përgënjeshtroi shifrat  e supozuara zyrtare dhe jo zyrtare për  diasporën kosovare. Në këta muaj u dëshmua se mërgata jonë është shumë më e madhe numerikisht se sa që supozohet nga autoritetet që përmendin publikisht shifra të bazuara në rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës. Metodologjia e përllogaritjes së numrit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, në bazë të rezultateve të regjistrimit të tyre u dëshmua edhe në këtë verë e gabuar dhe aspak e saktë. Lumi i pasosur i margimtarëve të ardhur në vendlindje, ose numri i avionëve, autobusëve dhe automjeteve private që sollën ata në këtë verë, i përgënjeshtrojnë bindshëm të dhënat zyrtare se numri i mërgimtarëve të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. Janë shumë më shumë, madje edhe dyfishi e më shumë se ky numër i regjistrimit të tyre.

Për të qenë më konkret po bëjmë të njohura të dhënat zyrtare që tregojnë për numrin e personave që kanë hyrë në Kosovë përmes transportit rrugor dhe ajror gjatë muajit korrik dhe gusht dhe që pak a shumë flasin për shifra enorme të numrit të mërgimtarëve tanë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës të bëra bublike për medien kosovare, në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugor ka qenë 1.858,533, kurse ky numër  në muajin korrik është rritur për 1.032,318.

-Advertisement-

Vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë 1.409,502 persona. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte 340.446. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019, ka pasur rritje për 60.433 udhëtarë. Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me 91.634 udhëtarë.

Këta muaj të verës na binden gjithanshëm se diaspora jonë numerikisht shumë e madhe e do vendin e vet, vendlindjen dhe mbetët akoma shumë e lidhur me trevën  e tyre dhe e përkushtuar ndaj familjarëve të tyre. Erdhën shumë, shpenzuan shumë, lanë në Kosovë shumë para. Në këtë mënyrë ngjallën ekonominë familjare te ne, rriten ndjeshëm të hyrat e vendit amë, shpërfaqen lojalitetin dhe dashurinë e madhe për vendlindjen duke dëshmuar gjithanshëm se ata nuk i meritojnë asnjëherë dhe kurrë epitetet e gërditshme që persona të papërgjegjshëm me raste ua mveshën dhe vazhdojnë t’i etiketojnë paturprisht  mërgimtarët tanë.

“Diaspora bëjnë shpenzime kur vijnë në Kosovë dhe na krijojnë mundësi të zhvillimit ekonomik. Vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht mbi 50 për qind ka pasur rritje të shitjes së prodhimeve tona”,  ka thënë për medie pronari i një fabike për prodhimin e lëngjeve në Kosovë. Pak a shumë, për rritje të shitjes që njëherësh do të thotë edhe rritje të prodhimit në këtë verë flasin edhe shumë prodhues të tjerë kosovarë.

Në  Organizatën joqeveritare Germin,  që merret kryesisht me çështje të diasporës, vlerësojnë se nga fundi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, rreth 1 milion qytetarë nga diaspora kanë ardhur në Kosovë. Sipas vlerësimeve të  tyre,  shpenzimet e mërgimtarëve gjatë sezonit të verës, sillen ndërmjet 300 e 500 milionë euro.

Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon shuma të mëdha të remitencave. Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën mbi një milliard euro, që ishte vlera më e  madhe e remitencave për një vit e shënuar në vitet e pasluftëss. Sipas përllogaritjeve të njohësve  të këtyre rrethanave, sivjet deri në fund të vitit remitencat pritet të shënojnë akoma rritje. Ndërsa, sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitet pas pavarësisë, në Kosovë si remitenca janë dërguar 12.6 miliardë euro.

Bashkëatdhetarët tashmë sa e sa herë kanë treguar zemërgjërësi, solidaritet dhe gatishmëri për ta ndihmuar në mënyrë të ndryshme vendin. Çdo ftesë të institucioneve  shtetërore, qoftë për ndonjë investim, qoftë për ndonjë donacion pa një pa dy i janë përgjigjur shpejt dhe në besim. Iu përgjigjën edhe apelit të kryeministrit, Albin Kurti  që të investojnë në Bonot e Diasporës, investim ky i premtuar nga kryeministri për zhvillimin e shtetit.

Në ditën e fundit të afatit për t’u regjistruar në Bonot e Diasporës ( më 18 gusht), siç ka njoftuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, 10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës.

“Ky emetim u përmbyll me sukses, duke arritur shumën totale prej mbi 10 milionë euro në emetimin e parë. Mjetet nga Bonot e Diasporës ne do t’i përdorim për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, shkruan Murati.

Kuponi i parë i interesit, siç dihet, do të paguhet në muajin shkurt, kurse i dyti në gusht dhe kështu do të vazhdojë pagesa çdo gjashtë muaj, deri në përfundimin e marrëveshjes. Krejt në fund, kur përfundon koha e maturimit, personi që i ka lëshuar kredi shtetit, i merr të gjitha paratë e investuara.

Bashkëatdhetarët tanë u treguan të vendosur, solidar dhe me potencë financiare në gatishmërinë për ta  ndihmuar vendin. Në anën tjetër, shteti i Kosovës jo gjithëherë ka shprehur gatishmëri dhe interes të bollshëm për një bashkëpunim më të gjithanshëm me diasporën dhe për një trajtim më serioz të mërgatës sonë. Nuk mjafton në asnjë mënyrë, një takim i kreut të komunës më përfaqësues të mërgimtarëve, as vetëm një koncert apo një mbrëmje tjetër artistike me ndonjë nga artistët e skenës sonë muzikore. Duhet të ndryshojë qasja institucionale e joshjes së diasporës për ta dashur edhe më shumë vendlindjen, për të investuar realisht në ndonjë kapacitet prodhues industrial apo bujqësor. Të mbahen saktësisht premtimet e dhëna ndaj tyre në takimet më rastin e ardhjes këtu, por edhe të vizitave të ndryshme të zyrtarëve të Kosovës në mesin e diasporës. Në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, siç ndodhi në shumë raste deri më tani. Askush nuk mund ta mohojë se nuk pati deri tash anashkalime të bisnesmenëve nga diapora, qoftë në procesin e privatizimit të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme në procesin e prodhimit  dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bisneset e tyre.

Për secilin vizion a plan konkret për kapacitete të reja prodhuese e të shërbimeve, paraprakisht duhet të njoftohet deri në detaje diaspora jonë. Të njoftohen me përparësitë e këtyre investimeve eventuale, për procedurat, çmimet e materialeve të nevojshme vendore dhe nga tregu i jashtëm. Dhe të vlerësohen si të barabartë në garën eventuale konkurruese. Në këtë kontekst, të studiohen përvojat e mira të vendeve me diasporë të madhe numerikisht dhe pse jo, të mësohet nga këto përvoja.

Ndërkohë, për të arritur e gjithë kjo, duhet shpejtuar përfaqësimi politik i diasporës sonë në institucionet e vendit. Nuk ka më kuptim të pritet për tu vendosur përfaqësimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës nëpërmjet deputetëve të nevojshëm. Dy tre deputetë nga diaspora, sa është përfolur qe sa kohë si të domosdoshëm për të përfaqësuar diaporën tonë në legjislativin e vendit do të shërbenin si urë ndërlidhëse dhe afrimin e njëmendtë të mërgatës dhe institucioneve të vendit, për të njoftuar më konkretisht për shqetësimet, preokupimet dhe interesin e mërgimtarëve kosovarë dhe për mundësitë e invsetimit të kapitalit të tyre në vendlindje. Këto punë nuk duhet të neglizhohen nga qeveria Kurti, ndryshe diapora kosovare potente financiarisht detyrimisht diku do t’i orientojë paratë e veta.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera