Fokus

“Deri në 500 euro”, numër i lartë i gjobave në rrugën që Përparim Rama e mbylli për qytetarët

Autori: Samire Jaha 14:47 | 09 February 2023

Rruga “Xhorxh Bush”, në qendër të Prishtinës aktualisht është njëra ndër rrugët me më së shumti kontrollë nga Policia e Kosovës, pasi që në këtë rrugë u ndalua qarkullimi i qytetarëve dhe që nga 8 janari mund të kalojnë vetëm trafiku urban, autobusët dhe taksitë.

Mirëpo si duket kjo rregull e re e të parit të Prishtinës, Përparim Ramës, nuk po respektohet nga qytetarët. Kjo në bazë të numrit të gjobave ditore që policia është duke shqiptuar.

Në një përgjigje për Gazetën Infokus nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se në ditë numri i gjobave që po shqiptohen për shkak se qytetarët po futen në këtë rrugë edhe pse nuk e kanë të lejuar është deri në 100.

-Advertisement-

“Njësiti i Trafikut për kryeqytet në rrugën “Xhorxh Bush” për arsye të mos respektimit të shenjave të trafikut që nga data 16 janar ka filluar të shqiptoj fletëparaqitje (Numri i gjobave është rreth 100 brenda ditës)”, janë përgjigjur për Infokus nga zyra për informim të Policisë së Kosovës.

Ndryshe shuma e gjobës sipas ligjit është e paraparë me nga 40 euro për secilin vozitës që po kalojnë në këtë rrugë e që është e ndaluar për qytetarët me veturat e tyre personale.

Ndërkaq nëse këta vozitës bëjnë tejkalim në vijë të plotë, gjoba e tyre po arrin në 150 euro, por bëhet edhe konfiskimi i patentë shoferit për 3 muaj.

“Varësisht prej kundërvajtjes: Për mosrespektim të shenjës së trafikut, gjoba sipas ligjit është e paraparë 40 euro. Por në raste nëse bëhet tejkalimi në vijën e plotë atëherë gjoba është 150 euro dhe shoferit i konfiskohet përkohësisht patentë shoferi 3 muaj”, janë deklaruar nga ana e policisë për Infokus.

Kujtojmë që nga Komuna e Prishtinës kishin deklaruar se shuma e gjobave për qytetarët që kalojnë me veturat e tyre private në këtë rrugë do të jetë 500 euro.

Kështu kishte deklaruar Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.

“Kjo bie ne domenin e Policisë së Kosovës, pra gjobat, mirëpo në një takim që e kemi pasur, nëse nuk gaboj, flasim për një gjobë prej 500 eurove dhe edhe patentë shoferi merret për një vit, ky është dënimi për qytetarët. Ndërsa për taksitë, nëse vetëm nuk presin autobusin dhe duan të kalojnë atë në vijë të plotë atëherë gjoba për ta është 500 euro dhe u merret patentë shoferi për 3 muaj”, ka theksuar Musliu në një intervistë në KTV.

Ndryshe Gazeta Infokus ka raportuar në vazhdimësi që qytetarët nuk po ndalen dhe po futen sërish në këtë rrugë ani pse tashmë qarkullimi i tyre në këtë pjesë është i ndaluar./Gazeta Infokus/

Policia nuk po i falë shoferët që kalojnë në rrugën “Xhorxh Bush”, ju shqipton gjoba

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera