Fokus

Faturoi kundërligjshëm qytetarët – Autoriteti Rregullator për shërbimet e ujit gjobit “KRU Prishtinën”

Autori: Gazeta inFokus 15:47 | 23 January 2025

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit e ka gjobitur me 12 mijë euro, Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për shkak të shkeljeve të rënda në faturim, shkruan Gazeta Infokus.

Në vendimin të cilën ka siguruar Gazeta Infokus thuhet se KRU “Prishtina është gjobitur për shkak se ka faturuar kundërligjshëm 472 konsumatorë shtëpiakë duke mos u bazuar në konsumin real të tyre.

Këto shkelje sipas vendimit janë vërejtur në bazë të raporteve të inspektimit të këtij autoriteti.

-Advertisement-

“ARRU duke marr parasysh gjendjen e krijuar me kujdes e ka analizuar dhe shqyrtuar raportin e inspektimit si dhe ka vlerësuar secilën provë veç e veç dhe të gjitha së bashku, të cilat mbështesin raportin e inspektimit, dhe ka konstatuar se, KRU “Prishtina” ka faturuar dhe vazhdon të faturojë kundërligjshëm 472 konsumatorë shtëpiakë (269 konsumatorë të shtëpive urbane, 39 konsumatorë të apartamenteve dhe 164 konsumatorë të shtëpive rurale) pa u bazuar në konsumin real të lexuar në ujëmatës, duke ngarkuar konsumatorët, pa bazë ligjore, vetëm me tarifa fikse mujore”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Gjithashtu ARRU-ja ka konstatuar se mos-faturimi real i konsumatorëve rezulton në humbje të konsiderueshme të të ardhurave dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimit.

Në vendim po ashtu thuhet se edhe pse me ligj kërkohet paraqitja e një deklarate me shkrim, “KRU Prishtina” nuk e ka bërë një gjë të tillë duke mos marrur asnjë përgjigje dhe sqarim nga ta.
Kjo gjë nga Autoriteti Rregullues për shërbimin e ujit po konsiderohet si mungesë e përgjegjësisë.

“Vendimi për shqiptimin e gjobës për kundërvajtje është marrë me qëllim të rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës në operimin e KRU “Prishtina”, duke e nxitur atë që të përmbushë detyrimet ligjore dhe të përmirësojë praktikën e saj të faturimit për të siguruar shërbime të cilësisë së lartë për konsumatorët. Vlen të theksohet se KRU “Prishtina” ka një histori të shkeljeve të ngjashme, pasi për veprime të njëjta lidhur me moszbatimin e normave ligjore në procedurat e faturimit të shërbimeve të ujit është dënuar me vendimin Nr. 416/D, të datës 04.05.2018”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Ndryshe nga ARRU-ja kanë thënë që kjo nuk është hera e parë që KRU “Prishtina”, gjobitet për shkelje të ngjashme. Në 04.05.2018 kompania ishte gjobitur për moszbatimin e normave të faturimit./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera