Donika Gervalla e Alban Hyseni për vota “luajnë” me akademinë përkujtimore të Ibrahim Rugovës në “Flakën e Janarit”

Autori: Gazeta inFokus
16:11 | 19 January 2025
Një ndër figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe kryetari i Gjilanit Alban Hyseni e kanë shndërruar në “betejë” mes tyre.
“Flaka e Janarit” është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Komunën e Gjilanit që manifestohet çdo vit nga 11 deri me 31 janar e që përfshin një sërë aktivitetesh në nderim të heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, si dhe emra të tjerë që ranë heroikisht në muajin janar.
Tashmë e disa vite me radhë, kjo ngjarje organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunës e Gjilanit në të cilën ka qenë e përshirë edhe një akademi përkujtimore për ish presidentin Ibrahim Rugova e cila që nga viti 2006 është mbajtur me 21 janar. Mirëpo në dy vitet e fundit me ardhjen në pushtet të Alban Hysenit nga Lëvizja Vetëvendosje, ky aktivitet është larguar nga “Flaka e Janarit”.
Pas dy vitesh me vendim të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në kohë zgjedhjesh, madje e organizuar nën patronatin e saj, akademia e Rugovës u kthye në agjendën e “Flakës së Janarit”, derisa i pari i Komunës, Alban Hyseni ka heshtur përballë kësaj ndërhyrjeje në punët e komunës.
Ndonëse këtë vendim për largimin e akademisë përkujtimore për Ibrahim Rugovën nga agjenda po e konsiderojnë të drejtë ata që e nisën e që patën një kontribut goxha të madh shumë vjeçar në nisjen dhe ngritjen e “Flakës së Janarit”, tani kthimin në agjendë po e shohin si një lëvizje e pushtetit për “të marrë vota”.
Kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politik, Shefik Sadiku dhe njëri ndër ata që nisën “Flakën e Janarit” ka thënë për Gazetën Infokus se me gjithë respektin për kontributin politik të ish presidentit Rugova, sipas tij ai nuk e ka përshëndetur asnjëherë “Flakën e Janarit”.
“Ibrahim Rugova nuk e ka përshëndet asnjëherë “Flakën e Janarit”. Po të flas për gjatë viteve 90-ta. Ndërsa institucionet e shtetit mund të bëjnë ç’të duan sepse ata e kanë pushtetin. Ndërkaq “Flaka e Janarit” e ka filluar veprimtarinë në Dardanë, Kamenicë pastaj në Gjilan dhe më pas është shtrirë në zona të tjera. Sepse nga Kamenica ka qenë Kadri Zeka, ka qenë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. E rëndësishme është që ato personalitete në atë kohë që janë nderuar edhe janë respektuar, siç e përmenda edhe Jusuf Gërvalla dhe të tjerë, pikërisht nëpërmes Jusuf Gërvallës dhe Bardhoshit bashkë me Kadriun kanë qenë të përfshirë në “Flakë të Janarit”. Është tjetër gjë që janë përmend p.sh Hasan Prishtina, më vonë Isa Boletini por njerëz që kanë vdekur prej vdekjes të natyrës nuk mund të përfshihen në “Flakë të Janarit””, ka thënë ai.
Sadiku tregon edhe arsyen se pse një akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovën nuk e ka vendin në manifestimin e “Flakës së Janarit”.
“Ibrahim Rugova ka qenë president i shtetit kur ka vdekur. Institucionet e shtetit duhet të merren me të, shoqata jonë nuk merret me të. Divergjencat politike kanë shkaktuar shumë dëme. Divergjencat politike i kanë nda kur kanë ardhur edhe heroit në Kosovë që ata s’ka mund armiku me i nda, Kadriun prej Jusufit e Bardhit këta politikanët këta i kanë nda, dhe i kanë dërguar ata me i varros në Dubovek ndërkaq Kadriu është varrosur në Gjilan. Kjo është e dhimbshme”, ka deklaruar Sadiku.
Sipas tij futja e akademisë së Ibrahim Rugovës në manifestimin e “Flakës së janarit” po përdoret për interesa politike dhe kryesisht për vota nga politikan aktual.
“Pushteti është në gjendje gjithçka të bëjë, ne nuk e kundërshtojmë nga pozita e shoqatës së burgosurve politikë, nuk biem në këto nivele sepse kur i kemi organizuar e kemi bërë për heronjtë. Ibrahim Rugovën në fillim nuk e kanë dashtë sa ka qenë gjallë por pas vdekjes po shkojnë të gjithë politikanët dhe po i përulen. Këtu në aspektin institucional nuk ka asgjë të keqe me e nderu. Por ideja e “Flakës së Janarit” ka lind për shkak të likuidimeve fizike të personaliteteve me 16-17 shkurt, në Stutgart të Kadriut, Jusufit edhe Bardhit më vonë me 11 – 12 janar të së 84-ës në Prishtinë në Kodrën e Trimave i kanë vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën.”, përfundon ai.
E një mendim të njëjtë e ka edhe Xhevat Bislimi, aktivisti dhe kryetari i Shoqatës “Lëvizja” i cili së bashku me dy shoqata të tjera organizojnë tash e sa vite “Flakën e Janarit” në Gostivar të Maqedonisë.
Madje ai ka thënë se “Flaka e Janarit” nuk ka të bëjë fare me politikanë e kryetar të partive.
“Për ne ky është një manifestim që i kushtohet ekskluzivisht tre heronjve të 17 janarit, Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit që kanë rënë në këtë ditë. Edhe Gjergj Kastrioti ka vdekur me 17 janar e të tjerë, por “Flaka e Janarit” lidhet ekskluzivisht me këta të tre. Nuk ka të bëjë fare me kryetar të partive e me liderë të partive si Rugova ose cili do qoftë. ”Flaka e Janarit” nuk ka asnjë lidhje me Rugovën dhe asnjë lider tjetër partiak. Pse e kanë futur aty është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e Donikës në këtë rast dhe Albin Kurtit por unë personalisht mendoj që kjo nuk ka të bëjë fare më Ibrahim Rugovën”, ka thënë Bislimi për Infokus.
Sipas tij tani ministrja, Donika Gërvalla e ka kthyer në agjendë akademinë përkujtimore në kërkim të ndonjë vote në kohë zgjedhjesh.
“Kjo ka ndodhë varësisht se kush ka qëlluar në Gjilan kryetar komune, ka qenë i LDK-së e ka futur edhe Ibrahim Rugovën, ka ardhur tjetri e ka larguar. Tash Albini me Donikën e kanë futur, kryesisht për interesa zgjedhore dhe interesa për vota. Tamam për fushatë e kanë kthyer, s’ka arsye tjetër”, ka thënë kryetari i shoqatës “Lëvizja”.
I befasuar me futjen e serishme në agjendë të akademisë përkujtimore për Rugovën është shprehur edhe aktivisti i asaj kohe e njëri ndër ata që themeluan “Flakën e Janarit”, Ilmi Ramadani.
“Në fakt kur e lexova agjendën e manifestimit nuk munda me kuptu se pse e kanë fut akademinë përkujtimore të Rugovës në “Flakën e Janarit”, mirëpo tash nuk kam ndonjë koment. Kjo varet prej organizatorëve, çdo herë po varet se kush po udhëheq, “Flaka e Janarit” çdo herë po pëson ndryshime dhe shumë raste ka kur ata kryesorët që janë vra në flakë të janarit si Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla këta i kanë hedh si në hije. Ibrahim Rugova nuk është për flakë të janarit se nuk lidhet apsolutisht me të”, ka thënë për Infokus, Ramadani.
Gazeta Infokus në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës, Alban Hysenin si dhe Drejtorinë për Kulturë, derisa i pari i komunës nuk ka kthyer ndonjë përgjigje, drejtori për kulturë, Kushtrim Zeqiri e ka konfirmuar se ministrja Gërvalla e ka marrë përsipër organizimin e “Akademisë Përkujtimore për Rugovën” në kuadër të “Flakës së Janarit.
“Për disa vite rradhazi ( nese s’gabohem që nga 2016 ose 2017) nga ish qeverisja komunale është futur edhe akademia per Dr.Rugovën në manifestimin e Flakës së Janarit, andaj këtë vit Zv.Kryeministrja znj.Gërvalla ka marrë persipër këtë organizim”, deklaron Zeqiri për Infokusin.
I pari i Kulturës në Gjilan ka thënë se sa i përket lidhjes së Rugovës me manifestim për heronjtë e rënë ndër vite dhe “Flakën e Janarit” duhet të pyetet qeverisja e kaluar, pavarësisht se konfirmoi vetë se ceremoninë e ktheu dhe po e organizon, ministrja e qeverisë Kurti.
“Kurse sa i përket lidhjes se figurës se Dr. Rugovës me Flaken e Janarit, mendoj se me mire është ti pyesësh ish qeverisjen komunale se si e kane bere ndërlidhjen. Komuna e Gjilanit, qeverisja aktuale nuk ka ndonjë qasje kundër figurës se Dr. Rugovës dhe se përkundrazi kemi respektuar në vazhdimësi Akademinë për Dr. Rugovën duke mbajte rrjedhën e organizimit te Akademisë vit pas viti”, ka thënë ai./Gazeta Infokus

Të tjera
-
Numërohen 88% të votave, ky është rezultati nga KQZ
Pas numërimit të më shumë se 88 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje prin...
-
Albin Kurti për opozitën: Hajvana, edhe po të bëhen bashkë “PyDyKy” dhe “LyDyKy” nuk bëjnë sa Lëvizja Vetëvendosje
Kryeministri Albin Kurti ua ka uruar fitoren qindra përkrahësve të Lëvizjes V...
-
“Baba, baba”, Albin Kurti pritet me brohoritje në sheshin e Prishtinës – përçmon PDK’në e LDK’në
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidat për kryeministër, Albin K...
-
Stavileci: PDK-ja forca e dytë më e madhe në vend, kemi parë se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie
Blerand Stavileci në konferencën e PDK-së, ka thënë se kjo parti është konfir...
-
Qindra përkrahës të VV-së mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në pritje të Albin Kurtit
Qindra përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur në sheshin Skënderbeu...
-
Kurti iu drejtohet simpatizantëve në ora 24:00 në sheshin “Skenderbeu”
Lëvizja Vetëvendosje ka treguar se Albin Kurti do të iu drejtohet simpatizant...
-
Përgënjeshtrohet lajmi se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj KQZ-së
Paparaci raportoi se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj Komisionit Qen...
-
Lumir Abdixhiku i dëshpëruar shpalos të dhënat preliminare: LDK ka marrë 18.14%, LVV 39,88% dhe PDK 21.58%,
Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK-së për kryeministër, ka publikuar të dhënat ...
-
Rezultatet zgjedhore, Presidentja del me reagim: KQZ ka konfirmuar se ka dështuar softueri – çdo votë të numërohet saktë
Presidentja Vjosa Osmani ka dalë me një reagim lidhur me zgjedhjet e mbajtura...
-
Kusari: E kemi marrë mandatin në mënyrë të pakontestueshme
Mimoza Kusari nga koalicioni LVV-Guxo-Alternativa është shprehur e bindur që ...
-
Radoniqi i KQZ-së: Kemi probleme me aplikacionin, votat do të mblidhen manualisht
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se K...
-
Rikthehet faqja e KQZ-së, ky është rezultati i fundit pas numërimit të 73% të votave
Sipas rezultatit të fundit të publikuar KQZ kur janë numëruar 73.04% e votave...