Fokus

Auditori që akuzohet nga BQK për ‘pazare’ në shkëmbim për vazhdim të mandatit, zgjidhet Zëvendës Auditor i Përgjithshëm

Autori: Ermirë Berisha 13:26 | 14 April 2022

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zgjedhur zëvendës auditor i përgjithshëm. Në këtë pozitë siç ka siguruar informata Gazeta Infokus është zgjedhur Bezad Halilaj. Përzgjedhja e tij është bërë me datën 29 mars, ndërsa nuk është bërë e ditur deri me tani për shkak të afateve të ankesave.

Zëvendës auditor i përgjithshëm, Bezad Halilaj është emër i njohur kur në shkurt të këtij viti u emërua nga Qeveria në pozitën e anëtarit të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës. Në rastin e zgjedhjes në këtë pozitë, Halilaj është përfolur si i afërt me pushtetin e Albin Kurtit, por nuk është asnjë argument qe i njëjti ka pasur lidhje apo ka qenë aktiv në partinë e kryeministrit.

Kurse, rast tjetër për të njëjtin ka akuza të rënda për jo profesionalizëm e tendencë për përfshirje në dallavere gjatë punës së tij si auditor në Bankën Qendrore të Kosovës.

-Advertisement-

Ka qenë vetë zëvendës Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, i cili ka akuzuar Bezad Halilajn për gatishmërinë e tij që të bënte kompromise vetëm që t’i vazhdohej kontrata në BQK si auditor.

Sipas Havollit, këtë çështje ia kishte ngritur një mik i përbashkët i tyre.

“Më thirri një shok në atë kohën e pjesës së zgjedhjes së Auditorit të Brendshëm dhe tha për ish-auditorin, “…shok, thash mirë shumë, tha është pak i pakënaqur me këtë pjesën e disa gjetjeve që i ka dhe diçka i është vështirësuar komunikimi”, thash normal është me pas komunikim të vështirësuar menaxhmenti me auditorin, është normale. Ai tha “është i gatshëm me i hek ato gjetje nëse ti më thua këtu që ja vazhdoni mandatin””, tregoi Havolli në një intervistë në #KallxoPernime.

Havolli shtoi se në atë moment kishte vendosur që auditori në atë kohë nuk mund të ketë integritet të mjaftueshëm, pasi që kishte bërë kompromise për vazhdim të kontratës së tij.

“Ai është momenti që unë vendosi që auditori nuk mund ta ketë integritetin e mjaftueshëm sepse për vazhdim të kontratës së vet është i gatshëm me bo kompromise në raport të auditorit”, ka treguar tutje Havolli.

I kontaktuar nga Gazeta Infokus, Sokol Havolli ka deklaruar se nuk ka as çka i shton e as çka i hekë asaj që ka deklaruar publikisht për Bezad Halilajn.

Por kjo nuk e ka penguar Zyrën Kombëtare të Auditorit që pikërisht Bezad Halilajn ta zgjedh në pozitën e Zëvendës Auditorit, një pozitë kjo tejet e lartë për kontrollin dhe identifikimin e shkeljeve që bëjnë institucionet shtetërore.

Në njoftimin për kandidat të suksesshëm thuhet se Bezad Halilaj ka marr gjithsej 258 pikë dhe është vlerësuar si më i miri për pozitën e Zëvendës Auditorit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera