Shpresojmë që normalizimi Kosovë-Serbi të çojë te njohja e ndërsjellë, thotë Richard Verma
Autori: Gazeta inFokus 21:19 | 10 January 2025
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, tha se shpreson që procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Verma, në një intervistë për KTV-në përsëriti mbështetjen për dialogun e Brukselit, që tha se është e rëndësishme që palët të përmbushin zotimet që kanë marrë vite më parë.
“Mendoj se të gjithë ne shpresojmë për një shkallë normalizimi që do të çonte te njohja e ndërsjellë. Por, për të arritur deri në atë pikë duhet të ndërmerren disa hapa dhe kjo gjë besoj dhe mendoj se procesi i dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja, do të çojë deri në atë pikë, nëse zbatohet siç duhet”, tha ai.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011. Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjithatë, kjo marrëveshje, sipas BE-së, nuk ka nisur të zbatohet nga palët.
I pyetur për garancitë që komuniteti ndërkombëtar mund t’i japë Kosovës në rast se zbaton pjesën e vet të marrëveshjes, Verma tha se ky pakt është i obligueshëm, pavarësisht se Serbia ka shprehur rezerva për të.
Beogradi ka refuzuar që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, por BE-ja ka thënë se ajo është obliguese për palët.
“Ne besojmë se kushtet e marrëveshjes janë ligjërisht të obligueshme dhe të dyja vendet janë zotuar për parimet e kësaj marrëveshjeje. Kështu që ajo që mendoj se është në interes jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe për sigurinë rajonale, si dhe për njerëzit, të cilët prosperojnë që të dyja vendet të jenë në gjendje të ulen dhe të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha zyrtari i lartë amerikan.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti u përball me kritika nga Uashingtoni për shkak të disa veprimeve në veri të Kosovës, që SHBA-ja dhe BE-ja i cilësuan si veprime të njëanshme.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që përfundoi mandatin e tij disa ditë më parë, kishte deklaruar më herët se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.
Verma tha se kur Uashingtoni dhe Prishtina kanë sfida e mosmarrëveshje, “flasim hapur për to”.
“Dhe e përmenda se ndonjëherë veprimet e njëanshme, për shembull, si mbyllja e disa institucioneve, mund të dërgojë po ashtu sinjalin e gabuar se ku përshtaten serbët e Kosovës në shoqëri dhe mendoj se kjo ka qenë sfiduese për përparimin e vazhdueshëm në diskutimin e lehtësuar mes dy shteteve. Ne e kemi një zotim të rëndësishëm e të qëndrueshëm ndaj popullit të Kosovës dhe kjo do të vazhdojë”, tha ai, duke shtuar se takimet që realizojë gjatë ditës me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani ishin takime “shumë të mira”.
Verma po e viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Vizita e Vermas po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. /Radio Evropa e Lirë
Të tjera
-
Ambasadori i BE-së përkujton Rugovën: Trashëgimia e tij – testament shprese për brezat që do vijnë
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka thënë se përkushtimi i presidentit...
-
Përfshihet nga zjạrri një fabrikë në Rahovec
Sot në orët e para të mëngjesit është përfshirë nga zjarri një fabrikë e plas...
-
Gjendet një trup pa shenja jete në Suharekë
Në Suharekë policia e Kosovës ka gjetur një trup të pajetë. Vdekjen e vikt...
-
Me veturën e restauruar të Rugovës, Presidentja shkon për homazhe tek varri i tij
Presidentja Vjosa Osmani sot ka shkuar për homazhe të varri i ish-presidentit...
-
Trumpi gjen letrën që ia la Bideni – çka shkruan në të?
Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ndërsa nënshkroi një mori urdhrash ekzek...
-
Vogel: Me ardhjen e Trump-it shkëmbimi i territoreve mund të kthehet në tavolinë
Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vo...
-
Për shkak të rënies së mjegullave ulet dukshmëria në rrugën Shkup-Tetovë
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se komunikacioni në vend po zhvillohet ...
-
Zotimi i pestë i Bedri Hamzës: Arsim për të ardhmen, bursa studentore 25 milionë euro në vit
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar videon ne zoti...
-
Osmani: Presidenti Rugova ndërtoi aleancat që na u deshën më së shumti në kohë të vështira
Presidentja Vjosa Osmani pas homazheve te varri i Presidentit Ibrahim Rugova ...
-
Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas një dite të gjatë
Donald Trump tani është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë pas një dite shumë të g...
-
Arrestohen në Prishtinë dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, dyshohen për vjedhje
Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë arrestuar mbi dyshimin për vjedhje. ...
-
Arrestohet një burrë në Novobërdë për posedim nạrkotikësh
Një burrë është arrestuar dje në Novobërdë, pasi gjatë një kontrolli në shtëp...