Lajme

A po shkon vendi drejt zgjedhjeve të reja?, Gërvalla: Nëse opozita thotë po, ne nuk e pengojmë këtë proces

Autori: Gazeta inFokus 13:23 | 25 May 2024

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gërvalla ka thënë se nëse opozita në Kosovë është e mendimit që duhet të shkohet në zgjedhje të reja, nuk do ta pengojnë këtë proces.

“Tre vitet e fundit, puna e qeverisë së zgjedhur më 14 shkurt të vitit 2021, ka qenë e shoqëruar me suksese të cilat nuk janë pritur para zgjedhjes sonë nga askush. Nuk bëhet fjalë vetëm për zhvillimin ekonomik. Sundimi i ligjit, rritja e standardeve të demokracisë, por edhe sukseset e jashtëzakonshme në ngritjen e nivelit ekonomik të vendit, në punësim, në të ardhurat nga taksat, doganat etj. Këto kanë dëshmuar se kjo qeveri është e sigurt, i ka plotësuar pritshmëritë dhe madje i ka tejkaluar ato shumëfish. Megjithatë, nëse opozita në Kosovë është e mendimit që duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe ka një konsensus për këtë, ne nuk do ta pengojmë këtë proces. Por, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje në mënyrë selektive, me partnerë selektivë nga opozita. Ne presim që opozita të jetë serioze në thirrjet e saj për zgjedhje dhe mos ta bëjë këtë vetëm nëpër media, aty ku nuk vendoset për zgjedhje të reja. Ne jemi të gatshëm kurdo që opozita të jetë e gatshme. Ne mendojmë se do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin gjatë ditëve të gjata se sa në ditët e shkurtëra të dimrit. Megjithatë, ne jemi të gatshëm edhe që ta çojmë mandatin tonë deri në fund. Kjo do të ishte hera e parë që një qeveri e zgjedhur do ta çonte deri në fund mandatin pas pavarësimit të vendit”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Ndryshe, partitë opozitare në vend mbeten të ndara, sa i përket zgjedhjeve të reja.

Partia Demokratike e Kosovës pajtohet që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat duan fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. E, këtë opsion nuk e konsideron fare Lëvizja Vetëvendosje.

Debatin për zgjedhje të parakohshme, opozita e ka nisur tash e një kohë, duke e kritikuar Kurtin për keqqeverisje.

Në përpjekje për të arritur një konsensus, grupet parlamentare u mblodhën në fillim të kësaj jave, por pa sukses.

Ndërkohë javën e shkuar u zhvillua edhe një takim mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

PDK-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që zgjedhjet të mbahen sa më parë.

Krasniqi ka njoftuar se të premten, u ka dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në këtë letër, Krasniqi ka thënë qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, ka shkruar Krasniqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera