Lajme

Ahmeti: Kurti po prish raportet me aleatët të ndërtuara me mund përgjatë viteve, polarizimi – karta e tij e vetme

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 23 June 2024

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike, Imri Ahmeti, ka shprehur habinë si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti me kaq lehtësi prish ose rrezikon raportet me shtetet aleate, të cilat janë ndërtuar me mund “në një periudhë të gjatë kohore”.

Kryetari i Lipjanit, e ka vlerësuar shumë të dëmshme “logjikën përjashtuese dhe prolonguese të kryeministrit Kurti” në raport me dialogun. Sipas tij, polarizimet në skenën e brendshme, por edhe me ndërkombëtarët janë kartat e vetme që e mbajnë gjallë Qeverinë Kurti.

“Definitivisht nuk na vjen mirë që jemi në këtë pozicion politik në raportet ndërkombëtare. Polarizimet e brendshme në shoqërinë tonë dhe polarizimet në regjion e në nivel ndërkombëtar, janë si duket një ndër kartat që e mbajnë më së shumti në jetë këtë qeverisje. Këto tendenca që raportet të shkojnë në vazhdimësi duke u keqësuar, nuk besoj që i bëjnë hajër këtij vendi dhe do të jetë vështirë e mundur dhe kohë e gjatë pune për të rikthyer një raport të tillë çfarë e ka pasur vendi ynë. Është për t’u habitur që me kaq lehtësi prishen ose rrezikohen këto raporte”, ka thënë Ahmeti.

-Advertisement-

Sekretari i LDK-së ka folur edhe për “ndërrimet e shpeshta” të qëndrimeve të Qeverisë Kurti. Ka thënë se Kosova ka ardhur deri këtu, në koordinim të jashtëzakonshëm me ndihmën e faktorit ndërkombëtar

“Ndërrimet e qëndrimeve të Qeverisë aktuale lidhur me dialogun, janë të shpeshta. Ne i kemi parë prej momentit kur del dhe kërkon nënshkrimin e Vuçiqit për të pranuar Asociacionin dhe marrëveshjet e tjera, ose kemi parë qëndrime edhe të mëhershme ende pa ardhë në pushtet, se do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet e që do të ketë kërkesa ekstra para se të ulet në dialog me Serbinë, e tashmë nuk përmenden fare. Pastaj kemi pasur në vazhdimësi deklarime se dialogu do të jetë si prioritet i gjashtë apo i shtatë… Unë mendoj që një logjikë e tillë që është përjashtuese, prolonguese, e acaruese me të tjerët nuk i sjellë dobi vendit”.

“Kosova ka ardhur deri këtu, gjithmonë në koordinim të jashtëzakonshëm me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, e kjo miqësi nuk është arritur lehtë; është arritur në një periudhë të gjatë kohore, natyrisht nga politika e atëhershme e deri së voni. Dhe gjithë ky ndërtim i gjithë atyre viteve të një raporti kaq të mirë me gjithë faktorin ndërkombëtar, të rrezikohet nga ndryshimet e qëndrimeve, nga premtimet që jepen fillimisht dhe në fund ndërrohen ato premtime, natyrisht se do të jetë e vështirë për të rikthyer këto raporte”, u shpreh Ahmeti.

Madje sipas tij, Kosova rrezikon t’i dëmtojë edhe më tej raportet me miqtë ndërkombëtarë.

“Unë me këtë qasje, besoj se jemi duke e rrezikuar ende më shumë sepse sikur e marrim që të tjerët e kanë obligim ndaj nesh dhe ne nuk i shohim obligimet tona. Fakt është obligim i yni t’i rregullojmë punët tona brenda dhe ndihma e miqve tanë ka të bëjë pikërisht me këtë që të jemi aftë, të zotë t’i zgjidhim problemet me të cilat ndeshemi si shtet. Tendenca për të fajësuar të tjerët, pa kërkuar llogaridhënie brenda nesh, është një tendencë që vazhdimisht do të na dëmtojë”, u shpreh Ahmeti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera