Fokus

|Intervistë| Besim Beqaj thyen heshtjen: Nuk shkoj në burg

Autori: Avdyl Pajaziti 15:26 | 29 August 2018

Afera “pronto”, dyshimet për përfshirje në “pazaret” e hidrocentraleve me KEDS-in e komunikimet me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, Besim Beqajn e kanë bërë ministrin më të përfolur në Qeverinë e Kosovës.

Së fundmi emri i tij është përmendur edhe për ndërhyrje në hetimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës që lidhen me të.

Por, a mund të përfundoj në burg ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë pas ngritjes së aktakuzës për njërën ndër aferat më të mëdha në Kosovë dhe dyshimeve për ndërhyrje në punët e prokurorisë?

-Advertisement-

Besim Beqaj, që ka mbajtur më herët edhe postin e ministrit të Financave e Zhvillimit Ekonomik, për herë të parë pas disa vitesh, shpjegon deri në detaje për Gazetën inFokus, përfshirjen e tij në rastin “Pronto”, komunikimet me Adem Grabovcin dhe dyshimet për presion tek prokuroria përmes kryeprokurorit Aleksandër Lumezi që emri i tij të largohet nga atakuza.

Ai thotë të mos jetë takuar kurrë me ish-prokurorin Elez Blakaj ndërsa pranon se për të ka folur me kryeprokurorin Lumezi.

Si pjesëmarrës në ekipin e privatizimit të distribucionit e furnizimit të KEK, Beqaj në intervistë për inFokus flet edhe për bartjen e hidrocentraleve tek kompania me aksionarë turq KEDS dhe raportet me kryeministrin Ramush Haradinaj.

inFokus: Pse po heshtë Besim Beqaj dhe pse nuk keni paraqitje në media tash e një kohë të gjatë?

Besim Beqaj: Unë kam qenë aktiv dhe vazhdoj të mbetem aktiv në punë. Normalisht angazhimi politik kërkon edhe reflektim personal. Reflektimi personal shkon në drejtim të asaj që gjërat duhet të kenë një bilanc, bilancin e përgjegjësive dhe të drejtave politike dhe bilancin e përgjegjësisë ligjore. Në vendin tonë ka shumë probleme, të natyrave të ndryshme. Rendi dhe ligji janë gjërat që debatohen më së shumti , por të cilat nuk kanë dhënë ende rrugën e duhur për të cilën qytetarët kanë nevojë dhe kjo është siguria ligjore dhe mos shfrytëzimi i rendit dhe ligjit për të shantazhuar njerëz. Ajo çka është me interes është që gjërat të sqarohen, unë kam fol dhe do të flas për gjërat që janë për t’u biseduar me publik, por jo për gjërat që janë në proces e sipër. Ato që janë në proces e sipër do të flas aty ku është vendi.

inFokus: E keni fjalën për dy afera ku përmendet edhe emri juaj. Është rasti i aferës “Pronto” dhe është rasti privatizimit të KEDS’it, dhe siç është thënë falja e disa hidrocentraleve. A mund t’i sqaroni këto raste. Çka po ndodhë dhe a jeni ftuar nga ndonjë prokur, a jeni intervistuar deri më sot posaçërisht për rastin “Pronto”?

Besim Beqaj: Asnjëherë nga prokurori nuk jam intervistuar. Kam pas një ftesë nga prokurori më herët, ajo ftesë është transferuar tek policia hetuese. Policia hetuese i ka bërë hetimet e duhura. Mbi bazën e saj unë e kam thënë dhe po e them edhe sot e kësaj dite se gjërat të cilat janë të trajtuara shkojnë në dy rrugë, është përgjegjësia politike të cilën do ta sqarojë kur t’i vjen koha se cilat janë përgjegjësitë politike dhe përgjegjësia ligjore. Për tek përgjegjësia ligjore, çdo gjë sqarohet në ligjin për emërime të larta dhe në ligjin për ndërmarrjet publike. Asnjë veprim në asnjë rrethanë në asnjë moment nuk e kam bërë që është në kundërshtim me bazën ligjore të Kosovës. E ftoj prokurorinë, i ftoj të gjithë mekanizmat që ta bëjnë hetimin deri në fund.

inFokus: A keni punësuar njerëz, a keni pasur ndikim aq sa thuhet dhe a keni bërë ndonjë vepër që mundeni me përfundu në burg?

Besim Beqaj: Jo. Jo që mundem me shku në burg por as përgjegjësi materiale, as morale nuk kam për të cilat mund të më akuzon ndokush. Sido që të jetë kjo është në një proces, nuk do të flas për detaje, sepse procesi do ta vërtetojë. Unë i besoj sistemit të drejtësisë në Kosovë, besoj se ka njerëz të përgjegjshëm dhe ka njerëz profesional të cilët duhet t’i vlerësojnë provat materiale. Aty ku dokumenti flet, fjalët pushojnë.

inFokus: Në të vetmin reagim të juajin për aferën “Pronto”, keni thënë që institucionet e drejtësisë në Kosovës janë të paafta që të merren me këtë punë. A mendoni ende njësoj?

Besim Beqaj: Në reagimin e vetëm që e kam pas kamë thënë se unë i besoj institucioneve të Kosovës, por unë kërkoj që të ketë profesionalizëm në trajtim të rastit.

inFokus: Si e shihni largimin e prokurorit Elez Blakaj nga Kosova dhe krejt këtë situatë që është krijuar?

Besim Beqaj: Unë nuk dua të involvohem në atë proces të komunikimit. Besoj se sistemit të drejtësisë i duhet sinqeritet dhe punë profesionale.

inFokus: A jeni taku ndonjëherë me prokurorin Elez Blakaj?

Besim Beqaj: Jo.

inFokus: Një prej pjesëve të asaj letre të gjatë të ish-prokurorit, u përmed edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili i ka tërhequ vërejtjen konkretisht për hetimin e rastit tuaj?

Besim Beqaj: Të gjitha këto gjëra unë do t’i trajtojë aty ku duhet. Unë jo vetëm kryeprokurorin, por gjithmonë kur kam raste të bisedoj me njerëz të tillë them që drejtësia duhet të vihet në vend konform bazës ligjore dhe jo të përdoret për veprime politike momentale.

inFokus: A keni pasur takim me Aleksandër Lumezin?

Besim Beqaj: Prokurori ka thënë që jemi takuar me një ngjarje bashkë dhe normalisht e kemi diskutuar dhe i kam thënë që unë kërkoj që kjo çështje të trajtohet me profesionalizëm.

inFokus: Kryeprokurorit Aleksandër Lumezit i keni thënë?

Besim Beqaj: Po.

inFokus: A është ky presion politik?

Besim Beqaj: Nuk është presion politik sepse edhe personi individual edhe politik ka të drejtë kushtetuese për t’u interesuar për gjërat të cilat ndodhin.

inFokus: Çfarë po ndodhë me gjithë atë zhurmë të madhe që është bërë me privatizimin e KEDS’it, e ku janë përfshirë edhe hidrocentralet?

Besim Beqaj: Për proceset që janë në vijim e sipër, ku organet e drejtësisë e kanë lëndën në shqyrtim e sipër nuk do të prononcohem. Është mirë që të hetohet. Është mirë që të hetohet paanshëm, është mirë që të hetohet pa ngjyrime politike, është mirë që të hetohet në mënyrë profesionale dhe mund të hetojmë sa të dojmë. E njëjta procedurë sikurse tek kjo që ka ndodhur me AXOS’in, tre vite na kanë kryqëzuar neve që kemi qenë aty. Duke na thënë herë kemi këtë interes herë atë interes, herë po dëshiron ta bësh këtë punë, herë po dëshiron atë punë dhe unë e kam thënë para se të filloj procesi, ka qenë shumë e qartë ka qenë neni 1 pika 1 e dokumentit të tenderit e cila ka theksu që Qeveria ka të drejtë ta ndalë procesin pa shpjegim deri në një nënshkrim të kontratës dhe kjo nuk u jep të drejtë ofertuesve për të nisur çfarëdo lloj procesi. Pra, ka qenë siguria ligjore 100 për qind dhe unë qëndroj pas çdo veprimi tim, kudo që kam qenë qoftë tek privatizimi i KEDS’it, apo kudo qoftë. Vlen të theksohet se çdo takim i rëndësisë së veçantë është inçizuar dhe është transkriptuar.

inFokus: Je shumë i sigurt se nuk është lëshu ndonjë gabim eventual kur kanë qenë të përfshirë tërë këta akterë?

Besim Beqaj: Absolutisht. Absolutisht.

inFokus: A ka pas marrëveshje që puna e hidrocentraleve me mbet e fshehtë mes investitorëve dhe juve?

Besim Beqaj: Pyetja është pyetje sugjestive.

inFokus: Kjo sepse nuk është bërë publike deri më tash puna e hidrocentraleve.

Besim Beqaj: Dokumentet nuk janë përgatitur nga ministria. Unë po e them se asnjë lloj shkelje nuk ka ndodhë. Të gjitha takimet janë të incizuara, të gjitha takimet janë të transkriptuara. Në këtë proces përveç qeverisë ka marrë pjesë Deloite, i cili ka qenë i dërguar nga USAID, ka qenë Banka Botërore përmes IFC, ka qenë … sepse ishte interesi … për këtë përkrahje. Nuk është mekanizëm i një qeverie, e as i një ministrie, por është mekanizëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë që kanë qenë të involvuar në të.

inFokus: Sot a jeni të kënaqur me punën që e bën KEDS’i në Kosovë?

Besim Beqaj: Unë nuk i di detajet tash, sepse nuk e kam përcjellur.

inFokus: Gjithandej Kosovës ka shumë ankesa nga konsumatorët.

Besim Beqaj. Unë besoj shumë që procesi i privatizimit është dashtë të ndodhë. Është dashtë të ndodhin edhe procese të tjera të privatizimit. Unë besoj në ekonominë e tregut, besoj në privatizime.

inFokus: Cilat janë raportet tuaja me kryeministrin. Të paktën mediatikisht ka dalë në sipërfaqe një përplasje. Në disa raste kryeministri ua ka tërheq vërejtjen se nuk jeni shumë i përgjegjshëm në mbledhjet e qeverisë, madje ka qenë shumë i ashpër me ju.

Besim Beqaj: Kemi raporte shumë të mira. Kolegiale, korrekte, në kuptimin e partive politike. Ne jemi aty përfaqësues të dy partive të ndryshme politike, kjo mund të reflektohet në momente të caktuara. Por, ajo që dua të them është se Besim Beqaj në institucionet ku shkon është vetvetja. Prandaj, në këtë drejtim besoj që sa më shumë debate që bën qeveria do të shkonin në favor të qytetarëve, aty ku ka këmbime të mendimeve, gjërat shkojnë duke u trajtuar në mënyrë më të sigurt dhe më të sakt. Në këtë drejtim unë besoj se si ministër jam duke e dhënë kapacitetin maksimal. Ndoshta nganjëherë, përvoja e gjatë edhe mund të jetë pengesë për dikë.

inFokus: Kohë pas kohe kemi parë kundërshtime të ministrave, kryesisht të PDK’së, të juajin dhe të ministrave të tjerë që vini prej PDK’së, të politikave të kryeministrit Haradinaj?

Besim Beqaj: Sa i përket pozicionit të PDK’së duhet ta pyesni zëvendëskryeministrin sepse ai është përfaqësuesi zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës në Qeveri. Por, si ministër kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministrat e tjerë dhe me kryeministrin në veçanti. Besoj se çështja e inovacionit dhe ndërmarrësisë nuk është pse ne si parti e kemi pasur me prioritet, është duke ndodhur në tërë botën. Zhvillimet janë duke shkuar aq shpejtë drejt digjitalizimit ekonomik edhe rritjes së konkurrueshmërisë përmes aktiviteteve digjitale sa që Kosova nuk bën të mbetet prapa. Mendoj se ka qenë vizion shumë i qartë i Partisë Demokratike për ta themeluar një ministri dhe për të tentuar për ta ridizajnu konceptin e mendimit ekonomik në vend. Ajo që unë jam duke e bërë gjatë këtyre ditëve është se jam duke punuar në mënyrë intensive për ta krijuar bazën për ridimenzionim të mendimit ekonomik në vend që nënkupton ekonomia të shkojë drejt digjitalizimit dhe drejt konkurrueshmërisë përmes shërbimeve në fushën e teknologjisë informative. Jo ekonomi që deri më tani e kemi menduar, që bazohet në resurset natyrore.

inFokus: A keni ju dhe ministrat e PDK’së hapësirë të mjaftueshme për të punuar në këtë qeveri të drejtuar nga kreu i AAK?

Besim Beqaj: Do të ishte jo korrekte të thuhet se nuk kam hapësirë të mjaftueshme. Normalisht ministrat e kanë kompetencën e vet brenda përbrenda ministrisë. Ministria që unë e udhëheq është ministri e re, është dikaster i ri, është dikaster që ka kërkuar angazhim, është dikaster që ka kërkuar pozicionim të ministrisë karshi ministrive të tjera, me kriju bazë ligjore, me kriju infrastrukturë të nevojshme për funksionim të saj, me kriju mekanizma rajonal dhe ndërkombëtar të bashkëpunimit dhe këtu dua të them pa asnjë modesti se kemi arritur të bëjmë një lëvizje shumë të shpejtë. Ne tani në tetor në 11 dhe 12 tetor do të kemi një konferencë shumë të fuqishme që thirret “DigiTalks”, ku do të jetë konferencë rajonale. Kemi edhe konfirmimin e Komisionit Evropian për prezencën në të. Në këtë drejtim institucionet janë të gatshme ta përcjellin dinamikën e të rinjve dhe të rejave tona. Sepse ata janë më të shpejtë dhe më efikas sesa shteti që deri tash i ka përkrahë në kuptimin e digjitalizimit të ekonomisë dhe të rritjes së nivelit të shërbimeve që janë përmes teknologjisë informative.

inFokus: A ka marrë formë ky dimension i zhvillimit ekonomik që pretendoni ta arrini me ministrinë e Inovacionit?

Besim Beqaj: Ka nisë në veprime, normalisht. Ekonomia digjitale merr formë kur të ka infrastrukturë ligjore të plotë, infrastrukturë fizike të plotë, kur ka buxhet mjaftueshëm dhe kur ka sistem të qartë të edukimit. Pra, nuk është një çështje që mund të ndodhë brenda një nate, nja jave, një muaji, apo as pas gjashtë muajsh. Është një procedurë e gjatë që duhet t’i paraprijë. Ajo çka sot është korrekte është se ne tash e kemi proceduar në qeveri draft-koncept dokumentin për ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi i cili trajton të gjitha këto gjëra dhe që rezultat i kësaj do të jetë ligji, por edhe strategjia e cila do ta përcaktojë orientimin afatgjatë të shtetit drejt ekonomisë së digjitalizuar ku inovacioni, ndërmarrësia, të rinjtë dhe të rejat tona do të gjejnë hapësirë për të funksionuar brenda përbrenda Kosovës. Ne jemi duke tentu që këtë kapacitet që e ka rinia e sotshme të vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik. Tani jemi duke tentu me kriju infrastrukturë fizike, ligjore dhe buxhet me politikat qeveritare. Tek infrastruktura fizike kemi marrëveshje me Ferizajin për qendër, kemi marrëveshje e cila është në prag të nënshkrimit, por ka kalu në Universitet të Prishtinës për ta bërë fakultetin e inxhinierisë mekanike, me gjermanët e kemi projektin më të madh të mundshëm në nivel rajonal është, qendra gjermano-kosovare për trajnime dhe inovacion e cila do të jetë e menaxhuar për një kohë të caktuar nga gjermanët, këtu vlen të theksohet se ka qenë një angazhim i madh i qeverisë, i kryeministrit Ramush Haradinaj, me tërë potencialin, pra është dashtë të bëhet një marrëveshje mes dy qeverive.

inFokus: A mund të na e komentosh këtë frymë politike që është krijuar, ndoshta për herë të parë në këtë qeverisje, ku partnerët brenda qeverisë po nxisin debat publik?

Besim Beqaj: Mendoj se qytetarët kanë nevojë për një qeveri funksionale, të mirëfilltë, e cila i trajton problemet e qytetarëve. Më e pakta do të duhej të merreshin me interesa partiake të cilat janë të ndërthyera jo gjithmonë drejt interesit të qytetarëve. Logjika e një qeverie, e një parlamenti e një ministrie e një shoqërie civile është të shkojmë drejt avancimeve për interesat e qytetarëve. Ky vend ka nevojë shumë që njerëzit përveç sigurisë që duhet me e ndi, kanë nevojë me pa perspektivë dhe kanë nevojë me pa mundësi të jetës më të mirë në Kosovë.

inFokus: A mund të bëhen këto me këtë kombinacion politik dhe me këtë qeveri?

Besim Beqaj: Unë po e them është çështja e vullnetit politik të cilin duhet ta kemi.

inFokus: Në krejt këto divergjenca e në krejt këto zhvillime edhe sa do të ketë jetë kjo qeveri?

Besim Beqaj: Besoj që është e rëndësishme që temat të trajtohen. E para. E dyta, të trajtohen në harmoni me përgjegjësinë politike secili që e ka, të trajtohen në harmoni me bazën kushtetuese, të trajtohen në harmoni me interesat e gjeneratave që po vijnë, e jo me gjeneratat që jemi ne sot. Këto janë tri parimet që duhet të ndodhin. A janë duke ndodhë apo jo, qytetarët e vlerësojnë vet, por që realisht përgjegjësia jonë është kjo, që ne të krijojmë një vend që fëmijët tanë ta kenë për kënaqësi me jetu. Problemi themelor është kur vendi nuk ka fare orientim themelor. Por, që përgjegjësia institucionale duhet të vihet nëpër vendet e veta dhe kjo kërkon sakrificë, kjo kërkon angazhim, kjo kërkon heqje dorë të politizimeve të caktuara.

(Tekstit i kontribuoi edhe gazetari Sylejman Sylejamani)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera