Lajme

Grupi i Grave Deputete reagon për vrasjen e Arlinda Zekajt: Të hetohet çdo përgjegjësi institucionale për neglizhencë apo mosveprim

Autori: Gazeta inFokus 13:06 | 26 Tetor 2026

Grupi i Grave Deputete ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke shprehur shqetësim dhe indinjatë të thellë për këtë ngjarje tragjike, si dhe duke kërkuar hetime të plota dhe zbardhjen e përgjegjësisë së mundshme institucionale.

Përmes një reagimi publik, Grupi i Grave Deputete ka theksuar se vrasja e Arlindës është një tjetër dëshmi e nevojës urgjente për luftimin e femicidit dhe garantimin e sigurisë së grave në Kosovë.

“E dënojmë ashpër këtë akt dhe kërkojmë nga të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë me urgjencë, të kryejnë hetime të plota dhe të sigurojnë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Po ashtu, kërkojmë që të shqyrtohet çdo përgjegjësi institucionale për neglizhencë apo mosveprim”, thuhet në reagim.

-Advertisement-

Grupi i Grave Deputete ka theksuar se femicidi nuk duhet të trajtohet si çështje private, por si një problem serioz shoqëror dhe institucional, për të cilin kërkohen masa konkrete parandaluese.

“Femicidi nuk është çështje private, por një problem serioz shoqëror dhe institucional që kërkon përgjegjësi, reagim të vendosur dhe masa konkrete parandaluese. Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të grave duhet të jetë detyrim i pakushtëzuar i çdo institucioni”, thuhet tutje në reagim.

Po ashtu, deputetet kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë angazhimin për adresimin e dhunës ndaj grave dhe kërkimin e përgjegjësisë institucionale, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme.

Në fund, Grupi i Grave Deputete u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Arlinda Zekajt.

Kujtojmë se Arlinda Sylaj Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa si i dyshuar për vrasjen është identifikuar kunati i saj.

Tri ditë para vrasjes, ajo u ishte drejtuar institucioneve me kërkesë për mbrojtje urgjente, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

“Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Arlinda në letrën e saj drejtuar institucioneve./GazetaInfokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy