Lajme

Kronologjia e rastit të Arlinda Zekajt sipas Prokurorisë – Çfarë kishte ndodhur?

Autori: Gazeta inFokus 11:40 | 26 Tetor 2026

Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një njoftim të detajuar lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt, duke përshkruar trajtimin e kërkesës së saj, vendimet gjyqësore, ndërhyrjet e Policisë së Kosovës dhe veprimet e prokurorëve në ditët para ngjarjes tragjike.

Në njoftimin e saj, Prokuroria bën të ditur se më 22 tetor 2026, kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj, në të cilën ajo kishte paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e një urdhri gjyqësor.

Pas pranimit të kërkesës, kryeprokurorja kishte vlerësuar rrethanat e paraqitura dhe e kishte adresuar çështjen te institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

-Advertisement-

Sipas Prokurorisë, institucioneve u ishte kërkuar që me urgjencë të vlerësonin situatën, të verifikonin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerrnin veprimet brenda përgjegjësive të tyre ligjore.

Njëkohësisht, kryeprokurorja kishte iniciuar rast për hetimin e pretendimeve të paraqitura nga Zekaj, me qëllim të vlerësimit nëse veprimet apo mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur përmbushnin elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Vendimi i gjykatës dhe kërkesa për kthim në shtëpi

Sipas dokumentacionit të referuar në kërkesën e Arlinda Zekajt, më 16 tetor 2026, gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i saj ta lejonte të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët.

Po ashtu, ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.

Prokuroria bën të ditur se, në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.

Pas vlerësimit të situatës dhe rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.

Pavarësisht insistimit të Zekajt për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare ku ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që, përmes së njëjtës shkresë, të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët.

Rasti i dhunës në familje dhe vrasja

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00.

Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit dhe hetime për zyrtarët

Prokuroria Themelore në Pejë njofton gjithashtu se më 23 tetor 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria thekson se pretendimet e paraqitura nga Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve apo mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

Në njoftim, Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj.

Po ashtu, thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional, për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë.

Ndërkohë, sipas Prokurorisë, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy