Fokus

Mbi 25 ari RRUGË për babain e deputetit të LVV-së, Valon Ramadanin – Bordi i AKP-së me arsyetime skandaloze EDHE për pronën ku u ndërtua lagjia luksoze “Panorama”

Autori: Gazeta inFokus 15:50 | 03 November 2026

Për herë të parë që nga muaji qershor, kur Infokusi publikoi hulumtimin për shitjen e një rruge prej 2 mijë e 524 metrash katrorë, apo mbi 25 ari, babait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është përballur me pyetje për këtë çështje në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të AKP-së në Komisionin për Buxhet, çështja e shitjes së kësaj prone në vitin 2024 u ngrit nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu.

Megjithatë, ndonëse bëhej fjalë për shitjen e një rruge babait të një deputeti të partisë në pushtet, deputetët e tjerë të opozitës, përfshirë ata të PDK-së dhe LDK-së, nuk ngritën pyetje për këtë rast gjatë diskutimit.

-Advertisement-

Prona në fjalë, sipas hulumtimit të Infokusit, shërbente si rrugë lidhëse për lagjen luksoze “Panorama” në Ferizaj, duke i mundësuar kompleksit dy dalje në rrugën kryesore.

Infokusi kishte raportuar se AKP-ja kishte realizuar shitjen e kësaj rruge përmes procedurës së shitjes direkte, një rast që kishte ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore dhe arsyetimin e shitjes së një prone me destinim rrugor.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE: Albin Kurti përmes AKP-së i shet pa tender pronë 2524m² babait të deputetit Valon Ramadani, i fsheh emrin në dokumente

Haxhiu kërkon llogari për shitjen e rrugës

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet, deputetja Teuta Haxhiu kërkoi sqarime nga drejtuesit e AKP-së lidhur me mënyrën se si babai i deputetit Valon Ramadani kishte arritur ta blinte këtë pronë.

“Dhe ky negocimi direkt a i bjen që është thirr, është ankuar deputeti Valon Ramadani, qoftë në kafe apo vetë në agjencion? Ndoshta e ka guximin, ka shkuar pa problem edhe i ka thënë babës të vet: shko babë apliko edhe merri hiq më pak se 2 mijë e 524 metra katrorë në Ferizaj”, deklaroi Haxhiu.

Ajo ngriti gjithashtu pyetje për vendndodhjen e pronës, duke kërkuar të dinte nëse bëhej fjalë për një hapësirë ku nuk kishte pasur interes nga blerësit e tjerë.

“Qikjo pronë, domethënë në Ferizaj, që është blerë prej babës së deputetit, a është dikund në fshatra të thella? Diku ku nuk paskan pasur interes me e ble? Nuk e di, andaj po pyes”, u shpreh deputetja.

Kjo është lagjia luksoze ku AKP-ja i shiti 2524m² pronë pa tender babait të deputetit të VV-së, Valon Ramadani

E arsyetime të ngjashme skandaloze ky Bord dha edhe për pronat e tjera, ndër të cilat kishte edhe prona të shitura për vetëm 4 euro metri katror.

NDIQENI STORIEN:

AKP-ja arsyeton shitjen, por çfarë tregojnë hulumtimet e Infokusit?

Gjatë përgjigjeve në Komision, drejtuesit e AKP-së e arsyetuan shitjen direkte të pronës, duke lënë të kuptohet se kjo kishte qenë zgjidhja e vetme për rastin në fjalë.

Por prona e shitur nuk ishte një sipërfaqe prej dy ari e gjysmë, siç u përmend gjatë diskutimit, por plot 2 mijë e 524 metra katrorë, përkatësisht 25.24 ari rrugë.

Po ashtu, blerësi nuk ishte thjesht një person i rastësishëm, por babai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.

Pikërisht këtu lind pyetja se përse AKP-ja e konsideroi shitjen direkte si zgjidhjen e vetme dhe cilat ishin rrethanat që e arsyetonin këtë vendim.

Hulumtimet e mëhershme të Infokusit tregojnë se kjo nuk ishte prona e vetme shtetërore që kishte përfunduar në pronësi të babait të deputetit.

Sipas dokumenteve të publikuara ndër vite nga Infokusi, në të njëjtën zonë, babai i deputetit kishte blerë përmes shitjeve të AKP-së gjithsej 48.3 hektarë pronë, në disa raste edhe me çmime prej vetëm 2 euro e 40 cent për metër katror.

LEXO EDHE: HULUMTIMI I RADHËS: Vetëm 2 euro e 40 cent për metër katror – Si i privatizoi NDËR VITE babai i deputetit të VV-së, Valon Ramadani, pronat e shtetit

Në këto prona, pas blerjes, ishte zhvilluar kompleksi luksoz i banimit “Panorama”, një nga projektet e njohura të ndërtimit në Ferizaj.

Për rrjedhojë, shitja e rrugës prej mbi 25 ari nuk mund të shihet e shkëputur nga historiku i privatizimit të pronave të tjera në të njëjtën hapësirë.

Përkundrazi, ajo ngre pyetje për mënyrën se si janë trajtuar kërkesat për blerjen e pronave shtetërore, për përdorimin e procedurave të shitjes direkte dhe për arsyetimin e vendimeve të AKP-së.

Pavarësisht këtyre të dhënave, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, vetëm deputetja Teuta Haxhiu kërkoi sqarime konkrete për këtë rast, ndërsa deputetët e tjerë opozitarë nuk e trajtuan çështjen.

Infokusi ka raportuar në vazhdimësi për shitjet e pronave shtetërore në këtë zonë, duke publikuar dokumente për sipërfaqet, çmimet dhe përfituesit e këtyre shitjeve.

Për herë të parë, AKP privatizon edhe RRUGË – Prona e blerë nga babai i deputetit Valon Ramadani rezulton të jetë rrugë

 

Udhëto nga Suedia drejt Kosovës me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy