Fokus

4 euro metri katror – Arsyetimet qesharake të Bordit të AKP-së dhe dështimi i deputetëve për të kërkuar llogari për pazaret me pronat e shtetit

Autori: Gazeta inFokus 17:30 | 30 October 2026

Raportimi i Gazetës Infokus për shitjen direkte të 54 pronave të shtetit gjatë vitit 2025, me çmime që nisin nga vetëm 4 euro për metër katror, është bërë temë diskutimi në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës, ku raportuan kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe anëtarë të tjerë të bordit.

Përballë deputetëve, kryesuesi i Bordit, Hekuran Nikçi, konfirmoi të dhënat e publikuara nga Infokusi se gjatë vitit 2025 janë realizuar 54 shitje direkte dhe se në mesin e tyre ka prona të shitura për vetëm 4 euro për metër katror.

Por, gjatë përpjekjes për të arsyetuar njërën prej këtyre shitjeve, Nikçi përmendi edhe një rast tjetër në Krushefc të Skenderajt, për të cilin Infokusi nuk kishte publikuar dokumente në raportimin fillestar.

-Advertisement-

“Po kam për të shtuar për deputeten për rastin e 4 eurove për metër katror. Siç e thashë edhe më herët, rasti në fjalë është në Krushefc të Skenderajt, i përcaktuar në Turiçec të Skenderajt, më fal, se është edhe një rast tjetër në Krushefc, i përcaktuar nga çmimi i sistemit të tatimit në pronë”, deklaroi Nikçi.

Ai e arsyetoi shitjen me ekzistencën e një objekti banimi në parcelën e AKP-së, duke theksuar se rregullorja për shitjet direkte nuk e kufizon domosdoshmërisht sipërfaqen që mund të shitet vetëm në hapësirën që zë objekti.

“Objekt banimi në parcelën e AKP-së, të cilën AKP-ja, me rregulloren e shitjes direkte, nuk e përcakton shitjen e metrave katrorë sa është objekti i banimit brenda hapësirës së parcelës së AKP-së. Kjo ka ndodhur në këtë rast dhe 4 euro metri katror është përcaktuar nga sistemi i tatimit në pronë”, tha ai.

Por raportimi i Infokusit nuk kishte të bënte vetëm me një pronë në Skenderaj.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE: Nga 4 EURO metri katror – AKP shiti me negocim direkt 54 PRONA gjatë vitit 2025

Dokumentet zyrtare të siguruara nga Gazeta Infokus tregojnë se edhe një pronë tjetër në Rakosh të Istogut, me sipërfaqe prej 59.5 metrash katrorë, është shitur për 238 euro, apo vetëm 4 euro për metër katror.

Për më tepër, shitjet direkte nuk përfshijnë vetëm prona me objekte banimi.

Në Fushë Kosovë, sipas dokumenteve të publikuara nga Infokusi, një sipërfaqe prej 11 mijë e 825 metrash katrorë tokë bujqësore është shitur për 75 mijë e 680 euro, apo vetëm 6 euro e 40 cent për metër katror.

 

Pikërisht kjo shitje ngre pyetje për arsyetimin e drejtuesve të AKP-së, të cilët gjatë raportimit u përqendruan te ndërtimet ekzistuese në pronat e shitura.

Nëse ndërtimet e mëhershme përdoren si bazë për shitjen direkte të pronave, çfarë e arsyeton shitjen direkte të mijëra metrave katrorë tokë bujqësore?

Ndërkohë, as deputetët e Komisionit për Buxhet nuk kërkuan llogari të plotë nga drejtuesit e AKP-së, duke lejuar që kryesuesi i Bordit të përqendrohej në arsyetimin e vetëm një shitjeje, pa u përballur me pyetje për rastet e tjera të dokumentuara dhe të publikuara nga Gazeta Infokus.

54 shitje direkte, mbi 62 mijë metra katrorë pronë të shtetit për 2.15 milionë euro

Këto janë shifrat që Infokusi i ka publikuar duke u bazuar në dokumentet zyrtare të AKP-së për vitin 2025.

Në mesin e këtyre shitjeve përfshihen edhe prona në Prishtinë, ku vetëm gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 17 shitje direkte.

Sipas të dhënave të siguruara nga Infokusi, tetë nga personat blerës të këtyre pronave figurojnë me të njëjtin mbiemër, një rrethanë që kërkon sqarime të mëtejshme për lidhjet eventuale mes tyre dhe procedurat e shitjes.

Ndërkohë, në tregun e patundshmërive në Prishtinë, vila me parcela prej rreth një mijë metrash katrorë mund të ofrohen për mbi një milion euro, e në raste të caktuara edhe për dy milionë euro.

Megjithëse çmimet e ofertave private nuk përbëjnë vlerësim zyrtar të pronave të AKP-së, krahasimi ngre pyetje për mënyrën e përcaktimit të vlerës së pronës publike dhe nëse shitjet direkte kanë siguruar çmimin më të favorshëm për të.

VIDEO:

AKP arsyeton shitjet me ndërtimet para vitit 2018

Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, një tjetër përfaqësues i AKP-së u përpoq të shpjegonte kriteret për shitjen direkte të pronave ku ekzistojnë ndërtime.

Sipas tij, ndërtimet e realizuara para vitit 2018 mund të trajtohen përmes procedurës së shitjes direkte, ndërsa për ndërtimet e mëvonshme parashihet ndërhyrja e institucioneve përkatëse.

“Sipas rregullit është një rregullore e caktuar. Ndërtimet para 2018-ës aplikohen për shitje direkte. Pas vitit 2018, ato nëse ndërtohen, rrënohen përmes Policisë së Kosovës. Ne kemi zyrtarë të cilët puna e tyre është që rregullisht t’i vëzhgojnë këto parcela, këto toka, për t’i identifikuar nëse ka raste të tilla”, deklaroi ai.

Ai shtoi se AKP-ja reagon që në fazat e hershme kur identifikohen ndërtime të reja në pronat nën administrimin e saj.

Megjithatë, ky shpjegim nuk jep përgjigje për të gjitha rastet e dokumentuara nga Infokusi, veçanërisht për shitjen direkte të tokave bujqësore.

Po ashtu, ekzistenca e një objekti të ndërtuar para vitit 2018 nuk e sqaron vetvetiu mënyrën e përllogaritjes së çmimit, sipërfaqen e përfshirë në shitje dhe nëse pjesa e pandërtuar e parcelës mund të ishte shitur përmes një procedure konkurruese.

Gazeta Infokus do të vazhdojë raportimin për shitjet direkte të pronave publike. Në storien e radhës do të publikohen të dhëna dhe dokumente për 17 shitjet direkte të realizuara në Prishtinë gjatë vitit 2025./Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy