“Burrëria nuk dëshmohet përmes kontrollit mbi gruan” – Mesazhi i sociologut Sumiçi pas shifrave alarmante të dhunës në familje
Autori: Samire Jaha
15:44 | 31 October 2026
Mbi 10 mijë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë në më pak se katër vjet. Shifra këto që, sipas sociologut Jahir Sumiçi, dëshmojnë se dhuna nuk është më vetëm një problem individual, por një fenomen i thellë shoqëror, i ndikuar nga mentaliteti patriarkal dhe kultura e heshtjes.
Në një prononcim për Gazetën Infokus, Sumiçi ka deklaruar se në shoqërinë kosovare vazhdojnë të mbijetojnë mentalitete që e normalizojnë kontrollin dhe dominimin brenda familjes.
“Këto shifra tregojnë se dhuna në familje nuk është thjesht problem individual, por një problem i thellë shoqëror. Në shoqërinë tonë ende mbijetojnë mentalitete patriarkale që e normalizojnë kontrollin dhe dominimin në familje. Për më tepër, ekziston një kulturë e heshtjes, ku ruajtja e imazhit të familjes shpesh vendoset mbi sigurinë e viktimës. Familja duhet të jetë hapësirë e sigurisë dhe dinjitetit, jo e frikës dhe dhunës”, ka deklaruar Sumiçi.
Sipas tij, gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës për shkak të pabarazive gjinore, varësisë ekonomike dhe mentalitetit që e percepton burrin si autoritet dominues në familje.
“Një nga arsyet kryesore është mentaliteti patriarkal, sipas të cilit burri perceptohet si autoriteti dominues në familje. Kur ky mentalitet ndërthuret me varësinë ekonomike, xhelozinë dhe kontrollin mbi jetën e gruas, krijohen rrethana që mundësojnë dhunën. Problemi nuk qëndron te tradita në vetvete, por te interpretimet që justifikojnë pabarazinë dhe nënshtrimin. Burrëria nuk dëshmohet përmes kontrollit mbi gruan, por përmes respektit dhe përgjegjësisë”, ka theksuar ai për Infokus.
Sociologu ka folur edhe për arsyet që i pengojnë gratë të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme, duke përmendur frikën nga hakmarrja, presionin familjar, varësinë ekonomike dhe shqetësimin për fëmijët.
“Nuk duhet të pyesim vetëm pse nuk largohet gruaja, por edhe çfarë e pengon atë të largohet. Varësia ekonomike, frika nga hakmarrja, presioni familjar dhe shqetësimi për fëmijët mund ta bëjnë largimin shumë të vështirë. Në disa raste, ndarja mund të shoqërohet me rrezik edhe më të madh. Prandaj, viktimës nuk duhet t’i kërkojmë vetëm guxim, por t’i ofrojmë siguri, strehim dhe mbështetje konkrete. Përgjegjësia për dhunën i takon dhunuesit, jo viktimës”, është shprehur Sumiçi.
Sumiçi për rastin e Arlinda Zekajt: Mbrojtja nuk duhet të mbetet vetëm në letër
Duke komentuar vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet para se të vritej, sociologu ka paralajmëruar se raste të tilla mund të ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e grave ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
“Kur një grua kërkon ndihmë dhe më pas vritet, gratë e tjera mund të pyesin veten nëse raportimi i dhunës do t’u garantojë siguri. Kjo mund ta thellojë mosbesimin dhe frikën për të kërkuar ndihmë. Prandaj, rasti duhet të hetohet në tërësi, përfshirë reagimin institucional, dhe çdo përgjegjësi e mundshme të përcaktohet”, ka deklaruar ai.
Sumiçi ka kërkuar që rasti të hetohet në tërësi, përfshirë mënyrën e reagimit institucional dhe përcaktimin e përgjegjësive eventuale.
“Mbrojtja nuk duhet të mbetet vetëm në letër; ajo duhet të garantohet në praktikë”, ka theksuar sociologu.
Sipas tij, parandalimi i dhunës kërkon reagim të menjëhershëm institucional, llogaridhënie për neglizhencën eventuale, si dhe mbështetje konkrete ekonomike, juridike dhe psikologjike për viktimat.
Ai ka theksuar se krahas masave institucionale, është i domosdoshëm edhe edukimi i brezave të rinj për barazinë dhe respektin.
“Nuk mjafton të kërkojmë drejtësi pas një vrasjeje; duhet të ndërtojmë një sistem që e parandalon atë”, ka deklaruar Sumiçi.
Në fund, sociologu ka dhënë një mesazh për përgjegjësinë e shoqërisë dhe institucioneve ndaj grave që përballen me dhunë.
“Dhuna ndaj grave nuk është vetëm tragjedi individuale, por edhe pasqyrë e problemeve shoqërore dhe institucionale. Nuk mund të vazhdojmë të shprehim indinjatë pas çdo vrasjeje dhe pastaj të kthehemi në normalitet. Një shoqëri që kërkon nga gratë të raportojnë dhunën duhet t’u garantojë atyre mbrojtje reale. Vlera e një shoqërie nuk matet vetëm nga mënyra se si i nderon viktimat pasi i humb, por nga ajo që bën për t’i mbrojtur para se t’i humbë”, ka përfunduar Sumiçi për Infokus.
Ndryshe, Gazeta Infokus ka raportuar për shifrat alarmante të dhunës në familje në Kosovë, bazuar në të dhënat zyrtare të siguruara nga Policia e Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave, nga janari i vitit 2023 deri në shtator të vitit 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 10 mijë e 465 raste të dhunës në familje, me 10 mijë e 551 viktima, prej të cilave 8 mijë e 45 gra dhe 2 mijë e 506 burra.
Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar 2 mijë e 52 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2 mijë e 138 viktima. Prej tyre, 1 mijë e 626 kanë qenë gra, ndërsa 154 viktima kanë qenë të mitura.
Po ashtu, Policia ka evidentuar 176 raste të përsëritura të dhunës në familje gjatë kësaj periudhe.
Këto statistika janë publikuar nga Gazeta Infokus në kohën kur vendi është tronditur nga vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm pak ditë para se të vritej.
/Gazeta Infokus/

T� tjera
-
Dyshimet për mbetje mortore, ekipet kthehen sërish në veri
Pas përfundimit të gërmimeve në Brod të Shërpcës, ekipet mjeko-ligjore do të ...
-
‘Studentët’ reagojnë për ligjin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore me gjuhë fyese ndaj Kosovës – përmendin garancitë e Ahtisaarit
Lëvizja Studentore e Serbisë që ka fituar zgjedhjet parlajemntare, ka reaguar...
-
Nëntori i gjen bashkë, Kurti me Kasamin e Mexhitin diskutojnë projektet e përbashkëta
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami ka mirëpritur në takim kryeministrin e Koso...
-
“Foto e ditës”, Rama në mesin e figurave kryesore të Kongresit të Manastirit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë një foto të veçantë në Ditën e A...
-
“Bërtet kapeni hajnin, por vetë është hajni”, Ukshini godet BE-në për Gjykatën Speciale
Historiani Sylë Ukshini e ka cilësuar si hajdute Bashkimin Evropian. Kjo p...
-
E djathta britanike distancohet nga Trump pasi e quajti Putinin “mik”
Zëvendëslideri i Reform UK e quan udhëheqësin rus “një diktator vrasës”, pasi...
-
Macron paralajmëron për një nivel të ri agresioni të Rusisë në Europë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka ngritur alarmin për një nivel të ri a...
-
Paralajmërohen gjoba për qarkullim jashtë rrugëve të lejuara në Bjeshkët e Nemuna
Inspektorati i Natyrës, në bashkëpunim me rojet e natyrës të Drejtorisë Admin...
-
Arrestohet një person në Gjilan, Prokuroria: Mblodhi afro 200 mijë euro duke mashtruar se vuan nga leukemia
Një person me inicialet E.A. është arrestuar mbrëmë rreth orës 22:00 në Gjila...
-
U mbajt për herë të parë në Kosovë, përmbyllet me sukses “European Defense Tech Hackathon”
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se pas tre ditësh me ak...
-
Imami kosovar kundër lojës virale GTA 6: Është haram!
Imami kosovar, Labinot Maliqi ka kritikuar lojën më virale të momentit, GTA 6...
-
Greva në Belgjikë, nesër pritet të ketë ndërprerje të fluturimeve
Një protestë kombëtare e organizuar nga tri sindikatat kryesore në Belgjikë p...

































