Opinione

Varkën që se drejtojmë

Autori: Agron HOTI 10:33 | 02 July 2020

Historikisht është dëshmuar se varësisht prej fuqisë dhe pozicionit gjeografik të perandorive dhe superfuqive të ndryshme përqendrohet dhe fuqia ekonomike në glob. As sot nuk është më ndryshe. Perëndimi sot ende përbën qendrën gravitacionale të zhvillimit ekonomik në glob. Sigurisht që konkurentë të Lindjes – siç padyshim është Kina sot dhe India e Indonezia nesër – kanë hyrë fuqishëm në garën globale për përqendrim të zhvillimit dhe perspektivës ekonomike duke rritur kështu dhe peshën politike dhe ushtarake glob.

Duhet theksuar që tregtia ndërkombëtare ishte shumë e rëndësishme në ngritjen ekonomike të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së, por shumë më pak domethënëse në historinë e Azisë ose Afrikës. Vetë ekspeditat kërkimore të shoqëruara me sundime të shteteve evropiane nëpër kontinente tjera janë treguesi më i mirë i luftës për resurse e tregti nga evropianët. Pa marrë parasysh se cila fuqi evropiane dominonte ekonominë globale në tre shekujt e fundit, të gjitha ekonomitë evropiane kishin si emërues të përbashkët depërtimin në resurse e tregje të reja, diçka që nuk ka ndryshuar as sot, e as që pritet të ndryshojë nesër.

Dallimi nga e kaluara është se sot loja e depërtimeve është mësuar nga të gjithë. Nëse Kina që prej parahistorisë e deri në shekullin 20 përqendrimin kryesor ekonomik, politik e ushtarak e kishte brenda këtij territori që njohim sot, kjo sot ka ndryshuar tërësisht, sepse shpërthimi kinez (dhe të tjerëve) për resurse e tregje në glob është aq syrënës, sa kjo ka filluar të prishë balancat e zhvillimit ekonomik në glob, diçka që qartazi e shohim sot te problemet dhe përçarjet në rritje të marrëdhënieve tregtare mes SHBA-së e BE-së, të reflektuara qartazi edhe te problemi i Kosovës me Serbinë. Pikërisht pse ekonomitë aziatike vepronin kryesisht vetëm brenda territoreve të tyre nuk patën arritur ta kapin hapin e Evropës dhe më pas SHBA-së, të cilat (SHBA dhe Evropa) derisa përshkonin tregje të reja anembanë globit arritën epërsi të theksuar karshi ekonomive të rajonave tjera në botë.

-Advertisement-

Studimi i Angus Madison “Ekonomia botërore, një perspektivë mileniumi” flet për luhatjet e zhvillimit ekonomik në glob brenda një mijëvjeçari. Sipas Madisonit “nga shekulli 1000 deri në 1500 ishte Venediku ai që hapi tregun me Evropën dhe Mesdheun”, ndërkohë që “Portugalia në shekullin 16-të ia merr këtë rol duke u bërë vendi i parë në botë në hapjen e tregtisë, navigacionit dhe vendosjet evropiane në ishujt e Atlantikut, në zhvillimin e rrugëve tregtare përreth Afrikës, në Oqeanin Indian, në Kinë dhe Japoni”. Pra, Portugalia ishte bërë transportuesi kryesor i erëzave në Evropë gjatë tërë shekullit gjashtëmbëdhjetë.

Në anën tjetër, autori Yuval Noah Harari në librin e tij “Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit” thotë se “fillimet e epokës moderne ishin një epokë e artë për Perandorinë Osmane në Mesdhe, Parandorinë Sasanide në Persi, Perandorinë Mughal në Indi dhe dinastitë Ming dhe King në Kinë. Ato i zgjeruan territoret e tyre në mënyrë domethënëse, përjetuan rritje ekonomike dhe demografike të paprecendentë. Në vitin 1775 Azia zotëronte 80 për qind të ekonomisë botërore. Ekonomitë e Indisë dhe Kinës të marra së bashku përfaqësonin dy të tretat e prodhimit botëror. Në krahasim me to ekonomia evropiane ishte një xhuxhe”. Tutje ky autor (Harari) shton se “qendra e ekonomisë botërore kaloi te evropianët vetëm mes viteve 1750 dhe 1850, kur evropianët turpëruan fuqitë aziatike në një varg luftërash dhe pushtuan pjesë të mëdha të Azisë. Në vitin 1900 Evropa Perëndimore dhe SHBA të marra së bashku zotëronin më shumë se gjysmën e prodhimit global, ndërkohë që pjesa e Kinës ishte reduktuar në pesë për qind”.

Në shekullin e fundit, pra shekullin 20, kishte përpjekje për integrimin e ekonomive nacionale në një sistem ekonomik global, apo në atë që sot quhet globalizimi i ekonomive. Pikërisht kjo përpjekje për integrim ekonomik global ka bërë që eksportet sot të jenë 40 herë më të mëdha se sa në fillim të shekullit 20 edhe pse rëniet dhe ngritjet e ekonomive asnjëherë nuk janë ndalur. Në një ekonomi globale të mbetur edhe më tej nën kthetrat e recesionit ekzistues global, dilema preokupuese është: ekonomi e hapur apo e mbyllur.

Asnjëherë nuk ka pasur ballafaqim më të madh mes shteteve të zhvilluara, atyre në zhvillim dhe të varfëra për këtë dilemë hamletiane, pra të jesh i hapur apo i mbyllur. Shtetet e fuqishme në glob që mbështesin dhe promovojnë korporatat shumëkombëshe të tyre për të rritur prodhimin dhe eksportet gjithandej globit synojnë me çdo kusht globalizimin e tregjeve dhe financave për të maksimalizuar kështu përfitimet në përmasa të papara deri më sot. Në anën tjetër shtete, kryesisht të varfra dhe në zhvillim, të përballura me këtë presion të madh nga brenda dhe jashtë, mundohen të mbajnë gjallë ekonomitë vendore duke u munduar të ruajnë tregjet vendore dhe reduktojnë – për aq sa munden edhe pse rrallë ia dalin – ndikimin që kanë korporatat shumëkombëshe.

Si rezultat i hapjes së ekonomive në mbarë botën autori francez Jacques Sapir në librin e tij “La Demondialisation” (Ç’mondializimi) thekson se “mbi 50 % e fitimeve të realizuara nga ndërmarrjet amerikane, të cilat apriori nuk ishin financiare, vijnë nga veprimtaritë financiare”, që i bie se General Motors e shumë korporata tjera fitojnë më shumë nga financiarizimi i tyre në nivel global (duke vepruar më shumë si banka) si rezultat i globalizimit të tregjeve financiare, se sa nga veprimtaria produktive primare e tyre, që është prodhimi i makinave të ndryshme. Si rezultat i kësaj veprimtarie që shumë e quajnë fiktive, General Motors falimentoi më 1 qershor 2009 sepse në katër vitet e fundit kishte regjistruar humbje prej mbi 80 miliardë dollarësh.

Shikuar në aspektin e zhvillimit dhe rritjes ekonomike dhe zvogëlimit të pabarazisë në glob, ky financiarizim i shpejtë, nëse jo edhe i pakontrolluar, nuk është përkthyer çdo herë në zhvillim ekonomik, ulje të papunësisë, pabarazisë dhe rritje të prodhimit në shkallë globale. Bota asnjëherë nuk ka qenë me e pabarabartë se sa sot, prandaj pabarazia në rritje është duke ndodhur edhe në vende të fuqishme. Kjo ka bërë që globalizimi i shpejtë i tregjeve dhe financave të mos arrijë të ndihmojë vendet në zhvillim, ashtu siç ka filluar të kthejë mbrapa vende të zhvilluara duke u shkaktuar zbrapsje të thella shoqërore si dhe duke varfëruar të varfërit e vendeve të pasura dhe duke pasuruar të pasurit e vendeve të varfëra.

Se ç’pabarazi dhe ç’përqendrim pasurie ka bota sot e tregon më së mirë autori Yuval Noah Harari në librin e tij “Homo Deus – Një histori e shkurtër e së nesërmes” duke thënë se “Në fillim të vitit 2016, 62 njerëzit më të pasur të botës vlenin po aq sa edhe 3.6 miliardë njerëzit më të varfër! Meqenëse popullsia e botës është 7.2 miliardë, kjo do të thotë se këta 62 miliarderët e botës kanë aq shumë pasuri sa edhe pjesa tjetër e njerëzimit”.

Jo rrallë, nëse jo rregullisht, korporatat shumëkombëshe përdorin taktika të ndryshme edhe korruptive për të depërtuar në tregje kombëtare të ndryshme jo gjithmonë në linjë me prioritetet e vendeve ku investojnë, taktikë kjo shumë e kamufluar, shpesh me mbështetje politike të fuqishme politike, dhe shumë vështirë e zbulueshme për qytetarin e rëndomtë. Mjafton të shohim se ku investojnë korporatat shumëkombëshe e të bindemi se janë pikërisht vendet me tregje e mëdha ku ato zbarkojnë, pa pyetur shumë nëse ai vend është i korruptuar apo jo. Por, kjo nuk do të thotë që të gjitha investimet e këtyre korporatave janë të kota. Gjithësesi që fryma globale është në anën e korporatave shumëkombëshe, të cilat promovojnë tregtinë e lirë në shkallë globale dhe kjo tregon se çfarëdo orvatje e ndonjë shteti apo mekanizmi për t’i dalë përballë, dështimin e ka gjënë më të afërt. Pra, vënia në rend të parë e shtetëzimit të pasurive nga qeveri të ndryshme para privatizimit dhe rritjes së tregtisë së lirë do të jetë në kundërshtim me frymën neoliberale të përkrahur nga shtetet më të fuqishme në glob. Këtë përballje e përjetoi Kosova jo më larg se gjatë qeverisjes të së majtës të para dy tre muajve, e cila përkrahte shtetëzimin para privatizimit. Se a kemi nxjerrë mësimet e nevojshme nga kjo përballje, mbetet të shihet në të ardhmen.

Ajo që i fut nën një emërues të përbashkët këto korporata shumëkombëshe është synimi i tyre për tregje të reja si dhe për rritje të prodhimeve dhe eksporteve sa më shumë që të jetë e mundur. Sa më të mëdha tregjet aq më i madh interesi i shteteve dhe korporatave shumëkombëshe të tyre për të investuar, sa më i vogël tregu aq më i vogël interesimi. Kjo vërtetohet kur krahasohet tregu pakrahasimisht i vogël i Kosovës me shtete që kanë nivele të ngjashme korrupsioni me Kosovën, por që kanë tregje qindra-milion-banorëshe (p.sh. Rusia, Brazili, Meksika, Kina, India, Indonezia, Pakistani, Indokina, etj.), derisa përmasat e investimeve të korporatave në këto shtete që vlojnë nga numri i madh i popullsive (përjashto Rusinë) janë të papara. Pra, janë pikërisht këto korporata që sot, ashtu sikurse dje, promovojnë hapjen e ekonomive sa më shumë që të jetë e mundur, por që fokusin gjithmonë e kanë te tregjet sa më të mëdha, sepse logjikisht fitimi në një treg të madh është më i madh se sa në një treg të vogël.

Edhe sot ka dallime në glob se a duhet hyrë në Zona të Tregtisë së Lirë (Free Trade Areas) apo jo. Edhe pse fryma e hyrjes në këto Zona është në rritje. Përparësia e futjes në Zona të Tregtisë së Lirë është se parashihet rritje ekonomike si rezultat i hyrjes në një treg më të madh se sa kapaciteti i tregut vendor, rritet konkurrenca duke i bërë bizneset më konkurruese, reduktohen ose riorientohen subvencionet qeveritare p.sh nga prodhimet industriale shkojnë në ato bujqësore, rriten investimet e huaja direkte duke nxitur zhvillimin e bizneseve vendore, mundësohet qasja në ekspertizë të jashtme p.sh. sa u përket minierave dhe prodhimit në përgjithësi, si dhe mundësohet qasja në teknologjitë më të reja që mundësohet nga kompanitë ndërkombëtare.

Të metat e futjes në Zonë të Tregtisë së Lirë janë se mund të humben vende të punës si rezultat u uljes së tarifave dhe kjo mund të rrisë papunësinë në ekonominë vendore, mund të vidhet pronësia intelektuale nga kompani të ndryshme ndërkombëtare, siç Kina tmerrësisht bën, të cilat shumë shpejtë mund të imitojnë prodhimet e një vendi (p.sh. shih përplasjet e SHBA-së me Kinën), mund të dëmtohen fermerët (sidomos vendet në zhvillim dhe të varfra), sepse subvencionet bujqësore që ndahen nga vendet e pasura janë shkatërruese për sektorin e agrobiznesit në vendet në zhvillim dhe ato të varfëra. Janë pikërisht këto subvencione që drejtëpërdrejtë dëmtojnë bujqësinë e Kosovës, sepse Kosova duke qenë anëtare e CEFTA-s dhe nënshkruese e MSA-së ka shumë pak hapësirë t’u kundërvihet me kundër-masa këtyre subvencioneve.

Pastaj, të meta tjera të hyrjes në Zonë të Tregtisë së Lirë mund të jenë joshja e fuqisë punëtore – siç po joshet rinia e Kosovës dhe rajonit – për të migruar për punë jashtë vendit, pra në vende të zhvilluara, si rezultat i nevojës së tmerrshme të vendeve të zhvilluara për fuqi të re punëtore shkaku i rënieve të tmerrshme demografike dhe plakjes së popullsisë; mund të keqpërdoret fuqia e lirë punëtore nga korporatat shumëkombëshe si rezultat i legjislacionit jo-adekuat për punë në vendet në zhvillim dhe ato të varfra; mund të dëmtohen burimet natyrore si rezultat i kapaciteteve super-prodhuese të korporatave shumëkombëshe, të cilat shpesh u bishtërojnë ligjeve vendore dhe pse jo edhe atyre ndërkombëtare për aq sa gjejnë zbraztësira ligjore dhe mbështetje politike; mund të dëmtohen kulturat vendore ashtu edhe siç janë duke u dëmtuar përmes sëmundjeve të ndryshme si rezultat i ndotjes së resurseve natyrore (p.sh. uji, bujqësia, etj.); dhe krejt në fund mund të ulen të hyrat si rezultat i uljes së tarifave dhe taksave doganore.

Suma sumarum, në një ekonomi të globalizuar – si asnjëherë më parë në historinë e zhvillimit ekonomik – është shumë e vështirë të gjesh mesin. Po të flasësh me bujqit në Kosovë, ata ankohen me të drejtë se tregu kosovar është i tejngopur nga prodhimet bujqësore që vijnë nga jashtë gjatë katër stinëve të vitit duke i dekurajuar ata që të merrem tutje me këtë veprimtari.

Ashtu si në çdo vend të botës, edhe në Kosovë ka dy rryma kryesore, njëra që thotë që ekonomia duhet të jetë e hapur ndaj tregtisë së lirë dhe tjetra që mbështet masa proteksioniste (mbrojtëse), njëra që i thotë po privatizimit, kurse tjetra shtetëzimit. Për dallim nga vendet perëndimore ku diskutimet bëhen në rrafshin akademik, në sektorin publik e privat, shoqëri civile e media, në Kosovë ky diskutim, nëse do të mund ta quanim të tillë, është bërë dhe bëhet deri diku vetëm në nivel të institucioneve publike, shumë pak mes atyre private dhe shoqërisë civile, derisa niveli akademik ka qenë shumë pak i përfshirë në debate qenësore për të ardhmen ekonomike të vendit.

Asnjëherë nuk ka pasur një diskutim publik të mirëfilltë me bazë të gjerë publike se a ishte pjekur mjaftueshëm ekonomia e Kosovës për të hyrë në Zonën e Tregtisë së Lirë në vitin 2006, pra më konkretisht në CEFTA (Central European Free Trade Agreement). Logjika e thotë që një ekonomi duhet që së pari të tregojë shenja jete e rritjeje e pastaj të futet në Zona të Tregtisë së Lirë. E dihet mirëfilli që Kosova në vitin 2006, përpos që nuk ishte shtet dhe kishte një ekonomi që sapo kishte çelur sytë, i mungonte dhe kuadri i duhur institucional për të hyrë në mekanizma, ku fqinjët tanë kishin epërsi të theksuar, sidomos Serbia, si fuqia rajonale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Viti 2006 ishte viti ku fryma e tregtisë së lirë ishte ende në rritje në tërë globin dhe se administrata e Kombeve të Bashkuara (UNMIK-u) as që i pati pyetur qytetarët e Kosovës se a duhet hyrë apo jo në CEFTA. Qeveritë tona të asaj kohe ishin më shumë provizorike se sa që kishin ndonjë fuqi vendim-marrëse për çështje kritike dhe jetike për të ardhmen e vendit. Megjithatë, sado provizorike të kenë qenë qeveritë tona të kohës UNMIK-iane është dashur ta ngrisnin, e që në fakt nuk e kanë ngritur kurrë zërin për hyrje në CEFTA, pra për një çështje kaq të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të një vendi që ende s’ishte bërë formalisht.
Është për të ardhur keq për spektrin politik të Kosovës që asnjëherë s’ngriti zërin ndaj UNMIK-ut, kur i njëjti ishte kujdesur me përpikmëri që prej vitit 1999 e deri në vitin 2006 ta de-industrializonte tërësisht Kosovën duke privatizuar pa kokë asetet dhe pasurinë kombëtare shpesh me korrupsion deri në fyt. Pra, duhet thënë hapur se pasojat ekonomike të de-industrializimit, privatizimit pa kokë dhe të korruptuar si dhe anëtarësimit në CEFTA, Kosova do t’i vuajë së paku edhe 20 vite. Mjafton të shohim përshpejtimin e rritjes së deficitit tregtar pas anëtarësimit në CEFTA për të pasur sadopak një pasqyrë të qartë se ç’drejtim iu kishte imponuar ekonomisë së Kosovës që nga viti 1999 për të vazhduar me vitin 2006 e tutje.

Ç’është e vërteta, përpos orientimeve jo të shëndosha të lartëpërmendura, nuk është që ka pasur ndonjë vullnet të theksuar politik dhe profesional vendor, i cili do të mund t’i jipte orientim kreativ e prosperues ekonomisë së Kosovës në përputhje me nevojat reale të tregut dhe dinamikave rajonale e globale. Gjithësesi, bashkëpunimi i parezervë i autoriteteve të Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka bërë që Kosova, edhe pse pa resurse profesionale e vizion të qartë për zhvillim ekonomik, të mos rrëshqasë edhe më keq, duke mbajtur kështu borxhin publik më të ultin në Evropë si preventivë për ndonjë krizë ekonomike të tipit 2008, krizë kjo e cila përpos që shkundi themelet ekonomike të globit as sot nuk ka arritur të tejkalohet plotësisht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera