Opinione

Të arriturat e Shqipërisë janë të paimagjinueshme për jugonostalgjikët

Autori: Agron Hoti 20:06 | 11 August 2021

E shajmë qeverinë shqiptare në stilin e kokërrshpinizmit facebukesk përplot me mallra serbe në frigoriferët tonë, sepse Shqipëria:

  • shumë, shumë më pak se Kosova bën tregti me Serbinë;
  • shumë, shumë më pak se Kosova takohet me Serbinë;
  • shumë, shumë më pak se Kosova ka elementë UDB-eje në brendinë e saj;
  • shumë, shumë më pak se Kosova zgërdhihet para Serbisë;
  • shumë më shumë se Kosova mbron UÇK-në në Kuvendin e Shqipërisë dhe në çdo forum apo mekanizëm ndërkombëtar;
  • po fuqizohet në rrafshin ndërkombëtar duke drejtuar OSBE-në dhe duke u bërë Anëtare e Këshillit të Sigurimit, diçka e jashtëzakonshme për ata që duan ta kuptojnë të tillën peshë;
  • po fuqizon relacionet me SHBA e NATO duke organizuar paradë të NATO-s në tokë shqiptare, për ata që duan ta kuptojnë të tillën peshë;
  • ka plotësuar të gjitha kriteret për hapje negociatash anëtarësimi në BE;
  • po i jep shans bashkëpunimit rajonal aq shumë të kërkuar nga SHBA, BE dhe Gjermania, të cilin patriotizmi falls yni e quan ndikim rus e kinez e që në fakt lidhje me atë punë s‘ka;
  • po bën të pamundurën që edhe në Beograd e Moskë të kërkojë me takatin e vetë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbo-rusia, diçka që askujt s‘i është dhënë si mundësi më parë;
  • ka vënë tërë infrastrukturën diplomatike shqiptare në funksion të ndihmës ndaj Kosovës, ashtu sikundër që pati filluar me mbledhje të përbashkëta qeveritare Shqipëri-Kosovë, diçka që askush s‘e ka bërë më parë;
  • mori mbi 1 miliardë EUR investim për tubacionin e gazit nga Azerbaijxhani përmes Shqipërisë në Itali;
  • po gazifikon tërë territorin shqiptar duke e kthyer bigën edhe kah Kosova tërësisht sipas projeksioneve amerikane e evropiane;
  • mori mbi 2.5 miliardë EUR investim për ta bërë portin e Durrësit Dubai të Ballkanit;
  • po bën 4 aeroporte me qindra miliona EUR investime në një Shqipëri kaq të vogël;
  • po modernizon 4 porte detare me qindra miliona EUR për t’u bërë konkurente në Mesdhe në një Shqipëri kaq të vogël;
  • po ndërton hidrocentralin e Skavicës me mbi 500 milionë EUR investime dhe me digën mbi 440 metra ndër më të lartat në botë për t‘u bërë eksportuese rryme në rajon;
  • po ndërton ura, tunele e autostrada me qindra miliona EUR të cilat as në ëndërr s’i kemi parë, shkoni i shihni;
  • po bën Tiranën metropol rajoni ku në 15 apo 20 vite do t’i bëjë konkurencë Zagrebit e Beogradit;
  • po modernizon çdo qytet anembanë Shqipërisë,
  • mori mbi 1 miliardë EUR ndihma për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga termeti, shkoni shihni mrekullitë që po bëhen;
  • po investon në turizëm malor, kulturor më shumë se çdokush në rajon;
  • po e rrit numrin e vizitorëve më shumë se çdo vend në rajon;
  • ka bazenin zhvillimor gumëzhues Tiranë-Durrës, diçka e paparë në rajon;
  • po ndërton parqe panelesh diellore e qendra dixhitale me qindra miliona euro si askund në rajon;
  • po vazhdon reformat në drejtësi, arsim e shëndetësi të mbështetura fuqishëm nga SHBA e BE;
  • sigurisht që qeveria shqiptare ashtu sikurse të kaluarat përpos që s‘është e pagabueshme s‘ka arritur ende ta bëjë Shqipërinë as Zvicër e as Gjermani, sepse jo më larg se 30 vite ishte e harruara e Evropës ku uria ishte përditshmëri, por sigurisht që është në rrugë të mirë drejt një të ardhmeje prosperuese, kuptohet me vështirësi në rrugëtim sikur çdo shtet në rajon, Evropë dhe botë;
  • sigurisht që xhelozia ndaj forcimit të brendshëm dhe konsolidimit ndërkombëtar të Shqipërisë pengon më së shumti Serbinë dhe jugonostalgjikët e saj në Kosovë; nuk është e rastësishme që jugonostalgjikët Kosovës janë në linjë me Serbinë sa i përket mbjelljes së përçarjes dhe thellimit të hendekut mes Kosovës dhe Shqipërisë;
  • sigurisht që si jugonostalgjikët e Kosovës ashtu edhe Serbia e luajnë aq fëlliqtë lojën sa insistojnë që Kosova të mbetet sa më e izoluar dhe e paintegruar në rajon, saktësisht siç bashkëprojektojnë Serbia e Rusia.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera