Opinione

Ta mbrojmë Kosovën… nga Shqipëria!

Autori: Gazeta inFokus 13:04 | 02 July 2019

Në Shqipëri para ca vitesh u realizua një si serial i quajtur “Një dopio histori”. Ideja ishte që çdo episod ta ketë një mysafir, i cili do të pinte verë me mikpritësin e ku, nën ndikimin e alkoolit, do ta rrëfente një “histori shqiptare”.

Një nga të ftuarit ishte edhe kirurgu plastik Skerdi Faria, emri i të cilit haset në lajmet mediokre të shoubizit. Në episodin ku ishte mysafir, Faria që në fillim thotë se do të flasë për “historinë e një kontrabande”, ku personazh kryesor ishte Hasan Prishtina – të cilit i referohet herë si Hason e herë si cub Kosove.

Ngjarja për të cilën mëtohet të flitet, ka ndodhur në vitin 1920, menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, në kohën kur kryeministër i Shqipërisë së cunguar ishte Sylejman Pashë Delvina, ndërsa ministër i Brendshëm ishte Ahmet Zogu. Atëbotë, siç dihet, Kosova ishte e pushtuar dhe populli i saj i çarmatosur dhunshëm po torturohej, po vritej e po dëbohej. Për ta ndryshuar këtë gjendje, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” – anëtar i së cilës ishte Hasan Prishtina – kërkon ndihmë nga italiani Gabriele d’Annunzio.

D’Annunzio ishte mendimtar, poet, dramaturg, gazetar, estet, kritik dhe politikan italian… i admiruar nga artistët e mëdhenj, si Giacomo Puccini, Marcel Proust dhe James Joyce. Ai ishte kundërshtar i Traktatit të Versajës, për faktin se ky traktat lejoi që shumë toka të huaja t’i takonin Mbretërisë së Jugosllavisë – pra të binin nën sundimin serb. Po për këtë, e kundërshtoi aneksimin e Rijekës me shumicë italiane dhe e shpalli Regjencën Italiane të Karnaros (më vonë Shtetin e Pavarur të Fiumes/Rijekës), që pos si entitet politik ishte edhe një eksperiment kulturor që pëlqehej nga shkrimtari anglez Osbert Sitwell, dirigjenti italian Arturo Toscanini, arkitekti amerikan Whitney Warren, poeti japonez Harukichi Shimoi…

Thuhet se Hasan Prishtina e ka takuar këtë figurë unike të historisë moderne italiane, të cilit i rrëfen për situatën e rëndë të shqiptarëve të Kosovës. Prishtina kërkon armë dhe d’Annunzio – si kundërshtar i ekspansionizmit serb – pranon t’i dërgojë ato, pa asnjë kompensim, për në portin e Shëngjinit. Por, këtu fillon lufta e Sulejman Pashë Delvinës dhe Ahmet Zogut “për ta mbrojtur Shqipërinë”. Sepse, sipas tyre, serbi do të sulmonte Kosovën, ndërsa e keqja për ta nuk është kjo po sulmi eventual ndaj territorit të pranuar si shtet shqiptar. Për ta shpëtuar veten në emër të “Shqipërisë”, angazhohet Sejfi Vllamasi që me mbi 20 mijë franga ar të paguajë shkodranët Sulço dhe Malo Bushati që ta ndalojnë, në çfarëdo mënyre, këtë “kontrabandë” – “allishverishin” e Hasan Prishtinës. Siç mësojmë edhe nga vepra e Vllamasit (“Ballafaqime politike në Shqipëri”), ata ia dalin, veprim ky që për Farinë ka këtë mesazh: “Me pushkë e penë, edhe pare, për Mëmëdhe”!

Thonë se kur i dehuri flet, shpesh është i prirë kah ajo që e mendon. Faria gjatë rrëfimit të tij shprehet sesi “burrat e kombit”, pas Kongresit të Lushnjës luftonin ta forconin “Shqipërinë”, gjë që nuk mund të bëhej duke menduar për të tjerët. E, këta “të tjerët” që shpejtë u bënë barrë, ishin shqiptarët në viset e pushtuara. At Zef Pllumi, në veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, e zbërthen më së miri këtë perversion. Teksa flet për punën e detyrueshme në tharjen e kënetës së Maliqit, në fund të viteve 1940, tregon edhe sesi gjatë një bisede për shqiptarët e Kosovës e të Çamërisë, njëri reagon duke thënë se nëse mendojmë për ta, atëherë flasim për një “vilajet turk”, “një revansh turk e jo politikë shqiptare”. Sipas këtij personi – dhe shumicës që nuk kanë asnjë ndjesi për “cubat” shqiptarë që rrethojnë shtetin e tyre – duhet menduar vetëm për ta bërë “Shqipërinë”!

Por, si u bë kjo Shqipëri?

Më 12 janar 1912 mbahet takimi historik në Taksim të Stambollit, ku morën pjesë Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Syrja Vlora, Myfid Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Mustafa Kruja etj. Përfundimi i takimit ishte se për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare e politike, shqiptarëve nuk u ka mbetur gjë tjetër pos kryengritja e përgjithshme. Por, Hasan Prishtina më vonë do të thotë se u tradhtua nga të gjithë ata që nuk ishin pjesë e Vilajetit të Kosovës, meqë marrëveshja ishte të bëhej një kryengritje e përgjithshme e të katër vilajeteve shqiptare të asaj kohe.

Më 28 Nëntor 1912, Hasan Prishtina – intelektuali, patrioti dhe humanisti që i printe luftës për pavarësi, luftëtarëve të Kosovës me të cilët për herë të parë detyron Perandorinë Osmane ta pranojë një Shqipëri autonome – ishte i burgosur në Beograd. Plaku oportunist Ismail Qemali, si në shumë zgjidhje tjera të ndërmjetme, me plotë anonimë tjerë kalkulantë nga jugu, bëhet simbol i “Shqipërisë së pavarur”. E, në luftën e pastajme morbide për pushtet, patriotët nga viset e pushtuara shumë shpejtë shndërrohen në “të tjerët e rrezikshëm”. Këta “të tjerë” zhvishen madje nga e drejta për t’u quajtur shqiptarë dhe do të përdoren gjeneratë pas gjenerate si mjete politike – qoftë për t’i viktimizuar për dështimet e brendshme, qoftë për t’i përdorur për ambicie politike. E njëjta ndodhë edhe sot, kur për interesa perfide të Tiranës zyrtare, për Kosovën bëhen plane herë për ta ndarë me Serbinë, e herë për ta “bashkuar” me Shqipërinë! Dhe, si gjithnjë, arsyetimi i çdo veprimi është – “për ta bërë Shqipërinë”!

Por, Shqipëria nuk po bëhet. E, fajet për këtë nuk i ka vetëm politika.

Në mars 1220, Xhingis Kani pushton qytetin Bukara – qytet ky i rëndësishëm për kulturën dhe dijen islame, si dhe për tregtinë meqë gjendej në Rrugën e Mëndafshit. Pas këtij pushtimi, Kani ngjitet në minaren e një xhamie dhe i thotë këto fjalë: “Shumë nga ju kanë bërë mëkate. Sikur të mos kishit bërë mëkate të mëdha, Zoti nuk do t’ju dënonte me mua”!

Populli i Shqipërisë, figurat kontroverse i ngriti dhe i mbajti që 107 vjet në pushtet. Politika e atjeshme, e mbështetur nga populli, e ka infektuar edhe Kosovën si të mos bëhet shteti po pushteti. Megjithatë, kur sheh se çfarë ndodhë sot në Shqipëri, sesi krimi ashiqare sundon me vendin dhe askush nuk skuqet e nuk jep llogari, duhet të jemi të lumtur që – përkundër të gjitha të zezave – në Kosovë, madje edhe në politikën kosovare, ka mbetur pak turp. Kjo jep pak shpresë, pasi ta kujton edhe thënien “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, që është titulli i një vepre të vitit 1943 të Hamit Kokalarit. Si ai kanë menduar edhe shumë patriotë tjerë që ia deshën të mirën Shqiptarisë. Ndaj, kjo frymë duhet të mbijetojë te populli, duke mos lejuar “mallkimin” e Xhingis Kanit që shteti i Kosovës të amputohet tërësisht nga turpi e të bjerë në derexhenë e Shqipërisë ku alternativë e vetme e një pushteti të keq të Edi Ramës janë tre të këqij tjerë – Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Duke e mbrojtur Kosovën, ka gjasa të bëhet… tamam, Shqipëria.

 

Ky opinion fillimisht është publikuar në Telegraf.

Të tjera