Opinione

Shqipëria mund ta bëjë kthesën në Këshill të Evropës

Autori: Gazeta inFokus 14:43 | 16 September 2022

Në qoftë se shteti shqiptar përmes fakteve dhe fjalimit që Kryeministri shqiptar do të mbajë më 12 tetor 2022 në Këshill të Evropës, ia del ta ndryshojë rezolutën e deputetit rus, Konstantin Kosachev, i cili mbi bazën e pretendimeve ruse e serbe kinse për trafikim të organeve nga UÇK në territorin shqiptar kishte siguruar miratimin e Raportit të Dick Martyt në Këshill të Evropës në vitin 2011 (i njëjti deputet rus nga viti 2018 ishte futur në listë të zezë nga SHBA), atëherë me shumë gjasë ora për Gjykatën Speciale do të fillojë të numërojë së prapthi për të filluar kështu zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës.

Është sekret publik që në aspektin politik dhe ndërkombëtar formimi i Gjykatës Speciale ishte bërë vetëm për t’i mbyllur gojën Rusisë e Serbisë që të mos kishin asnjë argument para botës se gjoja Perëndimi po fshihte diç për luftën në Kosovë, argumenti ky i Rusisë dhe Serbisë për ta refuzuar më pas dialogun dhe rrjedhimisht ndonjë marrëveshje eventuale përfundimtare me Kosovën. Mosformimi i Gjykatës Speciale do t’i ndihmonte axhendës së Rusisë dhe Serbisë, sepse të dyjat vazhdimisht do të mund ta akuzonin politikisht Perëndimin se po fshihnin diç për luftën në Kosovë. Rusisë e Serbisë s’u intereson fare se a zbardhen apo jo vrasjet në Kosovë, ato duan përfitime politike ndërkombëtare mbi bazën e gjenocidit që vetë e kanë bërë në Kosovë, sepse fundja po të kishte interes Rusia e Serbia në zbardhjen e vrasjeve nuk do të vrisnin fare mijëra njerëz në Kosovë.

Pra, qëllimi i Rusisë dhe Serbisë ka qenë dhe ngelet thellësisht politik, e që është dështimi i shtetit të Kosovës dhe jo arritja e një marrëveshjeje që do ta subjektivizonte Kosovën karshi Rusisë e Serbisë. Përmes dështimit të shtetit të Kosovës do të fitonte ndërkombëtarisht Rusia kundrejt SHBA-së duke u munduar që pastaj të ofrohej si alternativë e SHBA-së në Ballkan Perëndimor dhe pse jo në Evropë.

-Advertisement-

Prandaj, nëse Rusia e Serbia e kishin marrë mesazhin e qartë nga Opinioni i GJND-së në vitin 2010 se më nuk do të mund ta zhbënin shtetin e Kosovës, atëherë kishin filluar të përdornin mjete tjera siç ishin kriteret ‘evropiane’ të paracaktuara në Moskën që po kontrollonte Brukselin për ta bllokuar kështu funksionimin e brendshëm të Kosovës dhe konsolidimin e mëtejmë ndërkombëtar të saj përmes: Gjykatës Speciale, Demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, mos-heqjen e vizave nga BE, pengimin e anëtarësimeve nëpër mekanizma ndërkombëtarë, fillimin e ç’njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe mbërthyerjen pafund të Kosovës në dialog me Serbi për ta bllokuar atë tërësisht, saktësisht siç jemi të bllokuar sidomos që nga viti 2014 e deri me sot.

E Perëndimi, kryesisht SHBA, duke e parë këtë ofenzivë të Rusisë në Evropë dhe Ballkan Perëndimor, edhe pse kishte bashkëpunuar ngushtë me Krerët e UÇK-së dhe i kishte pasur partnerë kryesorë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duhej t’i sakrifikonte pikërisht ata në Hagë (sepse ishin Krerët e UÇK-së ata që kishin drejtuar luftën çlirimtare në Kosovë askush tjetër) për t’i dëshmuar kështu Rusisë e Serbisë se s’kishte asgjë për t’i fshehur botës për mbështetjen që i kishte dhënë UÇK-së në luftën çlirimtare kundër Serbisë 1998-1999. Duhej ndërmarrë ky hap nga Perëndimi, sepse çlirimi dhe formimi i shteteve historikisht ka qenë dhe do të jetë çështje ndërkombëtare dhe se përplasjet mes fuqive të mëdha gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë evidente.

Perëndimi, për t’i mbyllur tërësisht gojën Rusisë dhe Serbisë kishte mbështetur largimin e tërësishëm nga pushteti në Kosovë të Krahut të Luftës dhe ardhjen në pushtet të një qeverie sa më anti-UÇK qoftë edhe totalisht e papërvojë dhe pse jo populliste shpesh edhe me parulla antiperëndimore. Kjo sepse me një Krah të Luftës në pushtet asnjë qeveri e huaj nuk po dëshironte më të bashkëpunonte meqë ata tanimë duhej të hetoshin nga Gjykata Speciale dhe sepse me një Krah të Luftës që nuk do të ishte në pushtet mundësia e ndikimit në hetimet e Gjykatës Speciale do të ishte minimale. Dhe në fakt ashtu edhe ndodhi, Perëndimit, për ta fituar garën ndërkombëtare kundrejt Rusisë dhe pse jo Kinës, iu desh t’i sakrifikonte partnerët kryesorë të saj, pra Krerët e UÇK-së, me të cilët kishte bashkë-arritur and bashkë-ndërtuar çdo gjë në Kosovë dhe pse jo edhe në rajon.

Prandaj, rezoluta e Shqipërisë në Këshill të Evropës, këmbëngulja amerikane për ta zgjidhur sa më shpejtë problemin Kosovë-Serbi si dhe mosdërgimi i çlirimtarëve tjerë në Hagë përbëjnë mozaikun amerikan për ta fituar betejën diplomatike dhe ligjore ndaj Rusisë që po zhveshet e demaskohet çdo ditë e më shumë edhe përmes zbulimeve mbi investimet ndërhyrëse ruse në shkatërrimet e demokracive në Evropë në veçanti dhe përçarjen e Perëndimit në përgjithësi. Pa luftën në Ukrainë, këto zhvillime do të ishin të paparamendueshme.

Në rrafshin e brendshëm, Qeveria e Kosovës, e bllokuar nga kriza e rëndë socio-ekonomike, ka dy rrugë përballë këmbënguljes amerikane për ta ndryshuar status-quonë: ose të tregohet gjeneroze karshi bashkëpunimit me SHBA, ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për t’i hapur rrugë një koalicioni me bazë të gjerë, i cili do të ishte në gjendje ta miratonte në Kuvend një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi duke i vënë kështu kapak zgjidhjes së këtij problemi.

SHBA do sa më pak probleme Evropë në mënyrë që të përqendrohet në Ukrainë për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe për ta lodhur aq shumë ekonomikisht Rusinë saqë kjo e fundit të mos jetë më faktor rajonal e as global për të mund ndërtuar aleanca evroaziatike sikurse p.sh. me Kinën, Iranin, Korenë Veriore, të cilat do të mund t’i sfidonin interesat jetike të SHBA-së në dominimin e Indo-Pacifikut.

Pra, Rezoluta shqiptare në Këshill të Evropës mund të jetë vendimtare për ta goditur Rusinë pikërisht aty ku kjo e fundit kishte filluar goditjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Dhe pikërisht kjo rezolutë mund ta bëjë kthesën e madhe në favor të të gjithë shqiptarëve në glob duke i treguar botës se shqiptarët ashtu sikurse historikisht edhe në vitin 1998-1999 kishin bërë luftë çlirimtare, kurse Serbia luftë pushtuese. Dhe pikërisht pse shqiptarët bënë luftë çlirimtare kundër pushtimit serb, morën përkrahjen e tërë botës perëndimore si asnjëherë më parë në histori.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera