Fokus

Sadiku: Zgjedhja e Presidentit varet nga vullneti i Kurtit, nëse don ai bëhet për tri ditë

Autori: Samire Jaha 14:30 | 24 September 2026

Koha për marrëveshje po shkurtohet, ndërsa Kosova rrezikon të përballet sërish me një krizë institucionale. Me vetëm 12 ditë të mbetura deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e Presidentit, partitë parlamentare duhet të gjejnë votat dhe kompromisin e nevojshëm për kreun e ri të shtetit.

Në të kundërtën, vendit i hapet rruga drejt një tjetër procesi zgjedhor.

Analisti Arbnor Sadiku ka thënë për Gazetën Infokus se zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës varet në masë të madhe nga vullneti i kryeministrit Albin Kurti për të arritur kompromis me opozitën.

-Advertisement-

Sipas Sadikut, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar një pjesë të rëndësishme të situatës institucionale, ndërsa tani institucionet duhet të veprojnë për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e qartëson një pjesë të rëndësishme të situatës institucionale në Kosovë: Kuvendi është konstituar pas afatit kushtetues 30-ditor, por zgjedhja e Qeverisë nuk është shpallur në kundërshtim me Kushtetutën. Vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet dhe të zbatohet në tërësi, pa interpretime politike të njëanshme”, ka deklaruar Sadiku.

Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm të institucioneve, veçanërisht në funksion të respektimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit.

“Institucionet duhet të veprojnë menjëherë për përmbushjen e obligimeve kushtetuese, veçanërisht për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit dhe për respektimin e afatit për zgjedhjen e Presidentit, i cili përfundon më 6 tetor 2026. Në këtë moment, më shumë se përplasjet politike, vendit i duhet përgjegjësi institucionale, respektim i Kushtetutës dhe funksionim normal i institucioneve”, ka shtuar ai.

Sadiku përgjegjësinë për gjetjen e një kompromisi politik e ka lidhur në masë të madhe me Kurtin.

“Çështja e zgjedhjes së presidetit nvaret shumë nga vullneti i Kurtit, po doj ai bëhet për tri ditë, po s’do doj as për 5vite, pra nëse vendi do shkon në zgjedhje te reja nvaret tashmë tërësisht nga z.Kurti a dëshiron të bëj kompromis me opozitën”, ka thënë Sadiku për Infokus.

Sipas tij, në rrethanat aktuale politike, prioritet duhet të jetë funksionimi i institucioneve dhe jo hyrja në një tjetër proces zgjedhor.

“Që Kosova duhet të ketë institucione e jo zgjedhje të reja, është imperativ i kohës dhe gjendjes aktuale politike në Kosovë”, ka përfunduar Sadiku.

Ndërkaq, zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President./Gazeta Infokus/

Krizë e re apo president me marrëveshje politike, çfarë e pret Kosovën edhe 12 ditë?

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy