Fokus

“Ajo duhet me duru se është femër” – Psikologia flet për reagimet e familjarëve në rastet e dhunës ndaj grave

Autori: Gazeta inFokus 20:13 | 07 November 2026

Dhuna ndaj grave në Kosovë vazhdon të jetë një problem shqetësues, ndërsa mentaliteti dhe paragjykimet shoqërore shpesh bëjnë që viktimat të mos marrin mbështetjen e duhur as nga familjarët e tyre.

Për këtë çështje ka folur psikologia Mirjeta Pestisha, në emisionin “Doktor Plus me Arjeta Osmani”, ku ka theksuar se në shumë familje dhuna psikologjike, kontrolli dhe kufizimi i lirisë së gruas vazhdojnë të konsiderohen sjellje normale.

Sipas saj, ende ka familje ku çiftet jetojnë së bashku me prindërit dhe familjarët e tjerë të bashkëshortit, të cilët shpesh janë rritur me bindjen se gruaja duhet të durojë dhe t’i nënshtrohet burrit.

-Advertisement-

“Ende ka çifte të cilët jetojnë me vjehrrin, me vjehrrën, me kunatin, kunatën, të cilët janë rritur me idenë që nuk është kurrgjë. Domethënë, ushtrimi i presionit te gruaja nuk është asgjë, që të ushtrohet dhunë psikologjike te gruaja. Nuk është asgjë që gruaja të mos lejohet të dalë diku”, ka deklaruar Pestisha.

Psikologia ka kritikuar edhe mungesën e reagimit të familjarëve, të cilët, sipas saj, në disa raste bëhen dëshmitarë të problemeve dhe dhunës brenda çiftit, por zgjedhin të mos ndërhyjnë.

“Kur është ende normale që e sheh që ai çift po kanë probleme dhe ti qëndron sikur të jetë spektakël dhe ti thjesht nuk reagon, nuk e raporton”, është shprehur ajo.

Pestisha ka shpjeguar se një nga arsyet e këtij mentaliteti lidhet me mënyrën se si janë rritur gjeneratat e mëhershme, ku nënçmimi, përbuzja dhe dhuna ndaj grave shpesh janë normalizuar.

Sipas saj, sot brenda së njëjtës familje përballen dy gjenerata me bindje të ndryshme: njëra që e ka konsideruar normale nënshtrimin e gruas dhe tjetra që nuk dëshiron të vazhdojë të njëjtin model.

“Ai i cili e ka konsideruar më se normale nënçmimin, përbuzjen, ushtrimin e dhunës, në një çift tjetër gruaja nuk dëshiron më të jetë model i tillë”, ka theksuar psikologia.

Ajo ka shtuar se në raste të tilla, familjarët e bashkëshortit mund të ushtrojnë presion mbi gruan që të vazhdojë martesën, pavarësisht problemeve dhe dhunës që mund të përjetojë.

“Ajo duhet të durojë se ajo është femër dhe ne kemi duruar, edhe unë kam duru për hatër të fëmijëve”, ka cituar Pestisha një nga arsyetimet që përdorin familjarët në situata të tilla./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy