Lajme

Rrezikoi jetën për t’i shpëtuar motër e vëlla nga Kosova, rrëfimi për rojën e plazhit në Shëngjin

Autori: Gazeta inFokus 15:46 | 20 August 2022

Robert Neçaj, vrojtues i plazhit në zonën Rana e Hedhun në Shëngjin, ishte kthyer në hero pak ditë më parë. Ai shpëtoi nga mbytja vëlla e motër me prejardhje nga Kosova.

Roberti pas problemeve me shëndetin, mori trajtim në Spitalin e Lezhës, dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

Familja Neçaj nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë një dedikim emocionues. Babai i tij, Tonin Neçaj ka rrëfyer gjithë ngjarjen nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

-Advertisement-

Tonin Neçaj sqaron se Roberti, heroi që shpëtoi vëlla e motër kosovarë, nuk ishte vrojtues në atë zonë. Megjithatë, ai kishte ndërhyrë.

“Për ata që janë kurioz sqarojmë se Roberti nuk ka qënë vrojtues në atë zonë. Ora ka qënë rreth 19:30, kur Roberti ka shkuar si zv/President i Federatës së Vrojtuesëve të plazhit për të shpërndarë mjete pune për Vrojtuesit në Shëngjin. Dy adoleshentë kosovarë 16-17 vjeç, vëlla e motër, i ka tërhequr deti kur kanë hyrë në ujë, në një vend, jashtë zonës së mbulimit nga vrojtuesit e plazhit, tek Rana e Hedhun. Djalin e kapi epilepsia (sëmundja e tokës), ndërsa vajza tmerrohet”, thuhet në rrëfimin e babait të Robertit.

Në këtë situatë, Robert Neçaj kishte rrezikuar edhe jetën e tij.

“Ata arrijnë aty ku deti kishte deri në 4-5 m thellësi dhe trazira dhe fillojnë të kërkojnë ndihmë. Por, si një ditë me pak reshje shiu, në orar të vonë dhe larg mundësive për ndihmë, aty afër pothuajse nuk kishte njerëz. Në këtë moment Roberti vendos të ndërhyjë për t’i ndihmuar, ndonëse e parashikonte rrezikun. Por “i mbyturi të mbyt”. I “sulmuar” nga të dy të rinjtë, për të mos u mbytur, Roberti nuk tërhiqet, por fundoset disa herë duke i mbajtur kokat e tyre jashtë ujit . Ai i mbron të rinjtë por pin shumë ujë vetë”, thotë më tutje Tonin Neçaj.

“Kur i nxjerr ata në cektësi, vetë mbetet pa ndjenja sapo mbërrin në breg. Tashmë Roberti është përmirësuar mirë dhe ndihet i lumtur për suksesin e arritur! Faleminderit me përultësi të gjithëve!”, thuhet në postimin e babait të Robert Neçaj.

Pas gjithë kësaj situate, Roberti ishte detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, ai aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

“Faleminderit për vlerësimin që i keni bërë rastit të djalit tonë, Robertit, në sensin e humanizmit dhe dhimbjes njerëzore! Falë humanizmit dhe ndjenjës së korrektësisë në punë, Roberti u bë pre e ngjarjes së pardjeshme. Është kënaqësi e jona që ai sakrifikoi për shpëtimin e dy jetëve të dy të rinjve,vëlla e motër adoleshentë. Ndihemi shumë të lumtur që më në fund shpëtoi edhe jeta e Robertit, falë përgatitjes së tij profesionale dhe kujdesit të organeve shëndetësore të spitalit të Lezhës”, ka shkruar ai në Facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera