Opinione

Pse askush s’flet për tema qenësore?

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 12 September 2022

Si ka mundësi që politika jonë pa përjashtim të mos ngrisë tema në Kuvend e në debate publike për caqet se ku Kosova vërtet synon të shkojë. Më poshtë janë listuar 10 pika kryesore për të cilat rrallë dëgjojmë të flitet, nëse fare jo:

1. Askush nuk flet për Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim (PKZMSA), Programin për Reforma Ekonomike (PRE), Agjendën për Reforma Evropian ARE) – Këto janë tri dokumentet kryesore për Integrim Evropian. Nëse e kemi gojën plot Integrim Evropian, pse të mos diskutojmë sa më shpesh në Kuvend e debate publike për (mos)zbatimin, cilësinë e tyre dhe efektet e drejtëpërdrejta te qytetari që bart zbatimi i këtyre dokumenteve;
2. Askush nuk flet për përfafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së – lëre që s’flet kush për Integrim Evropian, por as që e përmend kush përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, të cilin e kemi obligim nëse vërtet duam BE, pra atë BE që kemi, se nuk mund ta ndryshojmë. As nuk flet kush për ndërtimin e kapaciteteve institucionale për ta bërë këtë punë dhe nuk ka asgjë;
3. Askush nuk flet për donacionet e jashtme – Kosova që nga viti 1999 e deri më sot merr mes 160-200 milionë EUR donacione të jashtme në vit, kryesisht nga BE, SHBA, OKB, e shtete të ndryshme mike. Askush nuk flet se pse Kosova nuk po arrin të krijojë administratë profesionale kur kihet parasysh kjo shumë e madhe e donacioneve të jashtme që jepet kryesisht për zhvillimin e gjithëmbarshëm institucional të vendit. Sa më mirë që e kanalizojmë këtë ndihmë nga jashtë, aq më falënderues dalim para kësaj ndihme ndërkombëtare që vazhdon të na ofrohet për të mirën e vendit tonë;
4. Askush nuk flet për dixhitalizimin e shërbimeve publike – Asnjë kabinet kryeministror e ministror deri më sot, përfshirë këtë aktualin, nuk ka pasur këshilltarë dixhitalizimi të shërbimeve publike. Mjafton të shohim Shqipërinë sa mbrapa ishte e sa shumë i ka dixhitalizuar mbi 90% të shërbimeve publike. Pse askush nuk flet për këto tema qenësore për të kapur trendet ndërkombëtare. Bile asgjë se parandalon më shumë korrupsionin sesa dixhitalizimi;
5. Askush nuk flet për planet urbanistike – Asnjë kabinet kryeministror e ministror deri më sot, përfshirë këtë aktualin, nuk ka pasur këshilltarë urbanizmi për të ofruar një plan sa më të mirë hapësinor duke e parë se jemi duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë si popull. Planet urbanistike i japin orientim zhvillimor vendit dhe për këtë askush nuk flet;
6. Askush nuk flet për ruajtjen e mjedisit – Pse askush nuk flet për rregullimin e shtretërve të lumenjëve dhe menaxhimit të mbeturinave, sepse rritja e standardit të pasluftës domosdoshmërisht që e ka dëmtuar mjedisin siç ka ndodhur në çdo vend të botës në kësi faze zhvillimi. Por, ne nuk duhet të rrijmë duarkryq, këto tema sot janë vitale në glob, prandaj një mjedis më i mirë sot, një shëndet më i mirë nesër;
7. Askush nuk flet për menaxhimi i ujërave – Askush nuk flet për ujëra (të pijes, ujitjes dhe ujëra të zeza). Kosova e ka sfidë jetike sigurimin e ujit të pijshëm. Kosova është krejtësisht në fazat e saj fillestare në ndërtimin e Impianteve për Menaxhimin e Ujërave të Zeza. Sikur nuk po ia duam të mirën e vendit gjersa këto çështje duan përkushtim të madh nëse duam të kemi një shoqëri të shëndoshë;
8. Askush nuk flet për alternativa për të dalur nga kaosi energjetik – Ne mund të vazhdojmë edhe 100 vite të akuzojmë njëri tjetrin për energji dhe menaxhimin e saj, por ne duhet të vendosim shpejtë, të shpallet tender ndërkombëtar për ndërtimin e një termocentrali të ri, përndryshe, nëse vazhdojmë kështu gjendja e përgjithshme energjetike vetëm sa do të përkeqësohet sa më shumë;
9. Askush nuk flet për zhvillimin e bujqësisë kur jetojmë në një vend që ka ndër kushtet më të favorshme klimatike në Evropë. Zhvillimi i bujqësisë nuk nënkupton vetëm subvencione por edhe ekspertizë, riorganizim tokash, modernizim, etj. Përderisa tokat tona na mbesin djerrina, dikush na i mbush tavolinat me produkte bujqësore.
10. Askush nuk flet për sportin – Përderisa sporti në glob është bërë industri, ne e kemi lënë, ashtu siç vazhdojmë ta lëmë anash sportin që para se gjithash përmirëson shëndetin e qytetarëve. Sporti sot është industri, është përfaqësim, është motivim për të rinjtë për të qëndruar në vend, është rekreacion dhe para se gjithash është emocion. Ndërkohë, nuk kam dëgjuar ndonjë debat në Kuvend për sportin, e kur dikush arrin një sukses, të gjithë vrapojnë për ta përvetësuar politikisht suksesin.

Sigurisht që ka edhe tema tjera, por këto të listuara më lartë janë çelës për Integrimin Evropian ku po synojmë të shkojmë.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera