Lajme

Paralajmërohet korrigjim i Ligjit të Pagave, disa kategori pritet të përfitojnë nga përmirësimet

Autori: Gazeta inFokus 18:40 | 09 March 2023

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kanë filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në sistemin e ri të Ligjit për Pagat.

Nga MPB-ja kanë thënë se do të korrigjohen të gjitha vlerat e minusura nga mospërputhjet, dhe do të kompensohen në mënyrë retroaktive.

Madje, MPB në njoftimin për media ka treguar se edhe cilat do të jenë kategoritë ku do të ketë ndërhyrje.

-Advertisement-

Ky është njoftimi i plotë:

Njoftim lidhur me procesin e korrigjimit/ përshtatjes së mospërputhjeve eventuale ndërmjet sistemit të vjetër të pagave dhe sistemit të ri të pagave, pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.08/L – 196 për Pagat në Sektorin Publik.

Në zbatim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, Ministria e Punëve të Brendshme/Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve/Thesari i Shtetit, ka filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në këtë që ka filluar së zbatuari në muajin shkurt e që rrjedhë nga pasojat juridike të hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.08/L – 196 për Pagat në Sektorin Publik.

Ministria e Punëve të Brendshme/Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (MPB/DMZP), njofton të gjitha palët se me kohë ka dërguar njoftim me shpjegimet përkatëse në të gjitha njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, ku është bërë e njohur procedura, adresa ku dorëzohen kërkesat, dokumentet e nevojshme që mbështesin kërkesat/pretendimet e palëve etj. Në këtë adresim, është prezantuar adresa elektronike zyrtare ku dorëzohen kërkesat ([email protected]), në të cilën, njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, janë udhëzuar që të bëjnë përmbledhjen e kërkesave individuale për të cilat kërkohet rishikim dhe eventualisht korrigjim i mospërputhjeve dhe më pas, dorëzim të kërkesave të përmbledhura në DMZP, nga njësitë e burimeve njerëzore. Për lehtësi dhe efikasitet, kërkohet që maksimalisht kërkesat në DMZP, të dorëzohen të përmbledhura përmes njësive përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore.

Për aq sa kanë ndodhur mospërputhje, DMZP njofton opinionin se të gjitha pasaktësitë që nuk janë shkaktuar nga mungesa e klasifikimit të vendeve të punës, në përputhje me Ligjin Nr.08/L – 196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimin e Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, do të korrigjohen dhe të gjitha vlerat e minusuara nga mospërputhjet, do të kompensohen në mënyrë retroaktive. Nga ana tjetër, të gjitha pretendimet për gabime që rrjedhin si pasojë e mungesës së akteve të brendshme mbi klasfikimin e vendeve të punës nëpër institucionet që ndikohen nga Ligji Nr.08/L – 196 për Pagat në Sektorin Publik, do të adresohen në procesin e përmbylljes së klasifikimit të vendeve të punës në institucionet publike në momentin e miratimit dhe hyrjes në fuqi të tyre.

MPB do të mbajë të informuar opinionin deri në përmbylljen e procesit për aq sa është shpjeguar më lartë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera