Opinione

Ngurimet antikombëtare ndaj lavdisë së papërsëritshme dhe unike shqiptare në Evropë të Gjergj Kastriotit

Autori: Gazeta inFokus 14:10 | 19 January 2021

Ka disa vite që dikush në Kosovë nuk e gjen veten mes vazhdimësisë së trajektores kombëtare shqiptare, e cila u ndoq në mënyrë të njëtrajtshme që prej luftërave kundër romakëve e deri me sot. Si duket dikush nuk e ndien veten shqiptar dhe nuk dëshiron të identifikohet me vlera shqiptare. Dhe nëse ne themi ose mundohemi ta heshtim faktin se shqiptarët nuk kishin luftuar ndaj romakëve, osmanëve dhe jugosllavo-grekëve, atëherë a i bie kjo që romakët, osmanët dhe jugosllavo-grekët paskëshin luftuar mes vete e jo kundër shqiptarëve?! A thua paskan qenë aq të paditur pushtuesit e lartëpërmendur sa të luftojnë mes vete? Nëse për dikë nuk ka ekzistuar Skënderbeu, pse atëherë erdhën ushtri të tëra osmane në troje shqiptare? E mos erdhën nga qejfi? Më poshtë do të sjell ca fragmente librash dhe më pas ca interpretime se kush ishte Skënderbeu në sytë e të huajve dhe si u rekrutua me dhunë e terror.

Shkruan: Agron HOTI

“Askund në Ballkan përpjekja për të rrëzuar sundimin e Sulltanit nuk qe më e fuqishme dhe më këmbëngulëse se në Shqipërinë e shekullit të pesëmbëdhjetë, ku pinjolli i një familjeje të rëndësishme latifondiste, Gjergj Kastrioti – i njohur si Skënderbeu, nga turiqishtja ‘Iskender Bej’, ‘Kryezot Aleksandër’ – udhëhoqi një sërë fushatash antiosmane gjatë 25 vjetëve para vdekjes së tij më 1468. Tri herë vetë sulltanët erdhën në Shqipëri me ushtritë e tyre për të thyer Skënderbeun dhe tri herë ata dështuan dhe nuk arritën ta pushtonin bastionin e tij kryesor, kalanë e Krujës. Skënderbeu do të vdiste nga sëmundja, por jo në fushën e betejës, dhe vetëm në vitin 1478, dhjetë vjetë pas vdekjes së tij, më në fund Kruja do të binte.” (“Agjentët perandorakë – Një familje shqiptare në botën mesdhetare të shekullit të gjashtëmbëdhjetë”, Noel Malcolm).

-Advertisement-

Pra, historiani britanik e përshkruan më së miri fuqinë e Skënderbeut dhe rrezikun e madh që ai përbënte për vetën ekzistencën e Perandorisë Osmane, e cila, po të kishte pasur një makineri pak më të avansuar se sa që e kishte pasur dhe vetëm të mos kishte ekzistuar stina e dimrit që është shumë e theksuar në Evropën Kontinentale, Evropa do të mund të binte e tëra nën pushtimin osman. Por, meqë rrugëtimi nga Stambolli në Vjenë merrte shumë kohë, pra që nga pranvera në vjeshtë, dhe furnizimet me armë, veshmbathje dhe ushqime vonoheshin shumë në kohë, Perandoria Osmane u mund në Vjenë që ishte zeniti i zgjerimit të saj si perandoria më e fortë e kohës. E nëse Skënderbeu kishte arritur që për 25 vite ta sfidonte seriozisht Perandorinë Osmane, bile më shumë se çdokush në Ballkan dhe në Evropë, atëherë kjo duhet të na bëjë shumë më shumë se sa krenarë për të kaluarën tonë të lavdishme.

“Ushtritë osmane kishin pushtuar Hungarinë pas betejës së Mohaçit në vitin 1526 dhe ishin kthyer përpara dyerve të Vjenës në vitin 1529. Në të gjitha provincat ballkanike të perandorisë do të përhapeshin një grup nëpunësish në kërkim të djemve të moshave dymbëdhjetë deri njëzet vjeç. Kjo ishte ajo që njihet me emrin devshirme, ose rekrutimi i të rinjëve të krishterë. Njëlloj si zbuluesit e talenteve të futbollit, këta nëpunës kishin përvojë në vlerësimin e aftësive fizike dhe mendore të meshkujve të rinj dhe secili prej tyre duhej të zgjidhte një numër të caktuar të rinjsh që më pas dërgoheshin në Stamboll…….Djemtë më të aftë u merreshin me forcë prindërve dhe niseshin në grupe që shkonin nga 100 deri në 150 veta…..Kishte familje, të cilave u merreshin të gjithë djemtë, kur këta ishin veçanërisht të fortë dhe të shëndetshëm. Nëpunësi kthehej pastaj në Stamboll së bashku me robërit e vet dhe familjet nuk i shihnin më kurrë fëmijët e tyre. Llogaritet që në këtë periudhë të perandorisë janë marrë çdo vit në këtë mënyrë rreth tre mijë djem.“ (“Fillesat e rendit politik”, Francis Fukuyama).

Pra, Fukuyama e shpjegon se si Perandoria Osmane për t’i ikur korrupsionit në ushtri dhe administratë kishte imituar perandorinë arabe duke krijuar institutin e skllavërisë ushtarake që përbëhej vetëm nga të huajt. E Skenderbeu ishte rasti më tipik i institutit të skllavërisë ushtarake, pra ishte nga ata djemtë shqiptarë të krishterë që u morën me dhunë nga nëpunësit osmanë dhe u dërguan në Stamboll.

Se shqiptarët nuk luftuan as për kryqin e as hënën e konfirmojnë më së miri dhe së voni dy Ademat e Evropës, pra Adem Demaçi dhe Adem Jashari. Përderisa Adem Demaçi në vitin 1991 nderohet nga Parlamenti Evropian për integritetin e tij në kundërshtimin e ‘një regjimi autoritar dhe jotolerant’ të Jugosllavisë, për Adem Jasharin që sakrifikoi tërë familjen e tij si askush në botë kundër regjimit gjenocidal serb nuk kishte Çmim Nobel për Liri, sepse “po të kishte një të tillë” siç thoshte Bernard Kouchner, Ish-Kryeadministrator i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, atëherë ai çmim padyshim që “do t’i takonte Familjes Jashari. Pavarësisht kësaj, Adem Jashari së bashku me Adem Demaçin, ashtu siç ishte Skënderbeu i Evropës, tashmë edhe këty dy janë Ademat e Evropës, të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë e popullit shqiptar.

Dhe nëse kemi një vazhdimësi të konfirmuar luftërash për liri që prej luftërave iliro-romake, shqiptaro-osmane dhe krejt në fund shqiptaro-jugosllavogreke, atëherë këtë vazhdimësi kombëtare shqiptare – që përbën thelbin e identitetit kombëtar shqiptar që bazohet në gjuhë, kulturë dhe të kaluar të lavdishme e jo në fe – duhet ruajtur si sytë e ballit. Kjo sepse shqiptarët nuk ishin as të krishterë e as muslimanë, fakt që askush nuk mund ta mohojë. Shqiptarët u bënë të krishterë pasi u pushtuan nga Perandoria Romake dhe u bënë muslimanë pas pushtimit nga Perandoria Osmane. Fakti që si krishterizmi ashtu edhe muslimanizmi janë vlera të lindjes nuk mund ta mohojë askush. Ndërkohë që gjuha, kultura dhe e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar janë vlera identitare të popullit shqiptar që shtrihen përtej Perandorisë Romake e Osmane dhe shumë përtej krishterizmit dhe muslimanizmit.

Tendencat për rritjen e numrit të xhamive dhe kishave në Kosovë dhe për përvetësimin e figurave të ndryshme politike e kombëtare për axhenda kleriste si dhe tendenca për rritjen e përkrahësve fetarë nëpër tabore të ndryshme janë duke e sfiduar kështu seriozisht krishterizmin dhe islamin tradicional, të cilët edhe pse na u imponuan me pushtime, kishim qenë në gjendje që t’i përkthenim në vlera shumëkonfesionale, diçka që pothuaj i mungonin edhe ende i mungojnë tërësisht Evropës. Vetë fakti që pikërisht këtë shumëkonfesionalizëm të popullit shqiptar mundohej edhe ende mundohet ta thyejë Serbo-rusia me aleatë, sepse duke e thyer atë përçahemi dhe thyhemi shumë më lehtë kombëtarisht, tregon se identiteti ynë, përpos që është i ndërtuar që moti, ai është përtej fetar. E ky shumëkonfesionalizëm shqiptar u mungon popujve që kanë probleme me identitetin e tyre kombëtar e sidomos popullsive sllave që kanë gjuhë dhe të kaluar goxha të përbashkët, ndërkohë që përmes grupimeve fetare mundohen ta forcojnë dallimin, pra identitetin e tyre.

E tendencat e degradimit kombëtar shihen më së miri në Komunën e Prizrenit, dhe jo vetëm, ku goditen dy vlerat kryesore identitare shqiptare: 1) Degradimin e Gjuhës Shqipe si fosilja e gjallë shqiptare që ka mbijetuar që prej Pellazgëve, Ilirëve e deri me sot siç e shpjegon në dy top librat e tij, Mathieu Aref, Pellazgologu shqiptar më i njohur në botë i doktoruar në Sorbonë të Parisit (1. “Shqipëria – Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”, dhe 2. “Mikenët=Pellazgët – Greqia ose zgjidhja e një enigme”) dhe 2) Degradimin e Heronjëve Kombëtarë. Këto degradime nuk janë të rastësishme, por tërësisht të qëllimshme, edhe pse jam i bindur që populli shqiptar, ashtu siç ka ditur t’u mbijetojë shumë pushtimeve e tmerreve që s’ka laps t’i përshkruajë, do t’u mbijetojë edhe këtyre tendencave programatike për shkombëtarizimin dhe akulturizimin e popullit shqiptar.
Nuk duhet harruar asnjëherë se kundërshtari çdoherë t’i sulmon pikat e krenarisë kombëtare. Nëse luftëtarët ilirë u luftuan nga romakët, nëse luftëtarët shqiptarë u luftuan nga osmanët dhe nëse luftëtarët shqiptarë u luftuan nga jugosllavo-grekët dhe nëse këta luftëtarë luftuan tërë këta pushtues për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare dhe forcimin e shqiptarisë, atëherë a nuk përbëjnë këta krenarinë e vërtetë kombëtare shqiptare? Është logjike që ta luftosh shumë më shumë dhe shumë më ashpër atë që ta kthen armën siç në fakt historikisht vepruan pushtuesit kundër çlirimtarëve tanë. Nuk janë të rastësishme sulmet e parreshtura kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së lavdishme të saj, e cila luftën e bëri vetëm në emër të shqiptarisë e jo në emër të kryqit apo hënës siç shumë kundërshtarë të popullit shqiptar do të dëshironin ta cilësonin. Prandaj, t’i njohim, mirëmbajmë dhe kultivojmë vlerat tona, sepse vetëm si të tillë do të gëzojmë respektin e të tjerëve pavarësisht vështirësive dhe sakrificave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera