Lajme

Ministrja Fajon: Kosova duhet të bëjë përpjekje për të themeluar Asociacionin

Autori: Gazeta inFokus 16:25 | 22 February 2023

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, shprehu shpresën e saj se Kosova dhe Serbia do të përfitojnë nga mundësia aktuale që ofron propozimi evropian, sepse shprehet që është e vështirë të thuhet se kur do të paraqiten mundësitë e reja.

Fajon, në një prononcim për të përditshmen vjeneze “Standard”, e pyetur se çfarë mendon për propozimin gjermano-francez, tha se Kosova duhet të bëjë përpjekje reale për të themeluar Asociacionin e Komunave Serbe dhe për të siguruar integrimin dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit serb, transmeton Paparaci.

“Është e rëndësishme që të dyja palët të tregojnë përmbajtje dhe të bëhet gjithçka për të vazhduar dialogun. Kur bëhet fjalë për propozimin evropian, e kuptoj se po flasim për vendime politike shumë të vështira me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj që edhe Beogradi edhe Prishtina, në krye me politikanët e tyre, të gjejnë një mënyrë për të përfituar nga ky moment. Është e vështirë të thuhet se kur do të shfaqen sërish mundësi të reja”, shpjegoi ajo.

-Advertisement-

E pyetur nëse marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kufizojë ndikimin e Rusisë në Serbi, Fajon tha se nuk e kupton pse është ngritur çështja e ndikimit të Rusisë.

“Mendoj se ditëve të fundit kemi parë deklarata më pozitive nga lidershipi serb”, theksoi ajo.

Sa i përket Prishtinë dhe Beogradit, Fajon tha se tani pret pjekuri dhe mençuri nga lidershipi i të dyja vendeve.

“E kuptoj që është një situatë shumë e ndërlikuar dhe e vështirë, por këtë vit është e mundur të bëjmë një hap të madh përpara”, nënvizoi ajo.

E pyetur nëse Sllovenia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ajo ka shpjeguar se nuk është kundër, por shton se nuk beson që kjo temë është aktualisht në tavolinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera