Lajme

Mehaj pasi Serbia bleu raketa nga Kina: Sjellje e rrezikshme dhe anti-perëndimore, NATO, BE dhe OKB të reagojnë

Autori: Gazeta inFokus 17:31 | 11 April 2022

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar lidhur me blerjen e raketave dhe armatimit të ri të Serbisë nga Kina.

Mehaj tha se me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.

“Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia.Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj.”, tha ministri Mehaj.

-Advertisement-

Madje Mehaj pyeti se nga kush po rrezikohet Serbia dhe për çfarë po armatoset, duke i quajtur këto veprime hipokrite.

“Nga kush rrezikohet Serbia, apo kundër kujt armatoset Serbia me sistemet më të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse?Ç’është kjo hipokrizi?Deri kur me këto standarde të dyfishta?Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.”, shtoi Mehaj.

Me këtë rast, ministri Mehaj ka kërkuar nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

“Republika e Kosovës, institucionet dhe populli ynë jemi të vendosur dhe e kemi dëshmuar fuqishëm orientimin tonë euroatlantik me aspiratën e natyrshme për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE.Këtë e kemi konfirmuar çdoherë por edhe tani, ku përkrahë me aleatët tanë të udhëhequra nga SHBA, vazhdojmë procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të ushtrisë sonë dhe të gjitha institucioneve tjera shtetërore sipas praktikave dhe modeleve më bashkëkohore të demokracive perëndimore.”, tha ai.

Mehaj deklaroi gjithashtu se FSK është ushtri e fuqishme, profesionale në mbrojtjen e vendit dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global.

“Ky është misioni ynë dhe ky është interesi ynë jetik shtetëror e kombëtar.Për këtë jemi të pandalshëm, të pakthyeshëm dhe të pathyeshëm.”, përfundoi ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera