Lajme

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë plenare

Autori: Gazeta inFokus 22:34 | 07 February 2018

Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë plenare, të enjten. Nga ora 10, deputetët pritet të shqyrtojnë disa projektligje.

Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Huajt, si dhe i Projektligjit për mbrojtje nga rrezatimi dhe për siguri bërthamore.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe Projektligjin për pajisjet nën presion, dhe Projektligjin për shërbimin gjeologjik të Kosovës.

-Advertisement-

Gjatë kësaj seance gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Kosovës.

Në rend të ditës është edhe një debat parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me dënimin e disa aktivistëve të këtij subjekti politik.

Deputetët gjithashtu do të shqyrtojnë Raportin vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016, dhe Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016

Është paraparë edhe një interpelancë e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupeve parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, përkitazi me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave – por shefi i ekzekutivit nuk pritet të marrë pjesë, teksa ndodhet jashtë vendit.

E, një orë para se të nis seanca e Kuvendit, Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të organizojë Konferencë ndërkombëtare njëditore në Prishtinë, me temën “Festimi i dhjetëvjetorit të pavarësisë: Arritjet dhe aspiratat”.

Ndërkaq, një orë më vonë, në kryeqytet do të mbahet ceremonia e certifikimit të programeve të vetëpunësimit. 164 punëkërkues të rinj kanë ndjekur Trajnimin e Ndërmarrësisë, të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), e mbështetur nga organizata gjermane GIZ. Ministri i Punës, Skënder Reçica, solemnisht do të shpërndajë certifikatat për përfituesit nga ky trajnim.

Në të njëjtën kohë, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale do të zhvillojë takim në Prishtinë me përfaqësuesit dhe personat përgjegjës të ndërmarrjeve që merren me shfrytëzimin dhe përpunimin e lëndëve minerare.

Në Drenas, Kuvendi i Komunës do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, në orën 11. Është bërë e ditur se asamblistët do të diskutojnë për “shkeljen e akteve juridike në Komunën e Drenasit”.

Në Zveçan, në orën 12, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), do të shënojnë Ditën Evropiane të numrit 112.

E, një orë më vonë, në Prishtinë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) do të mbajë konferencë për medie, gjatë së cilës do të prezantohen rezultatet e sondazhit të pestë me radhë lidhur me pritshmëritë e qytetarëve rreth fazës përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi, me titull: “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, këndvështrimi i qytetarëve”.

Ndërkaq, në orën 13:30, Kolegji UBT organizon konferencë për Projektligjin e Efiçiencës së Energjisë. Ndër panelistët do të jetë dhe ministri Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera