Lajme

Kurti: Arsyeja e fiksimit të Putinit me Kosovën, dëshira e tij për të zhbërë progresin e arritur në shtetin tonë

Autori: Gazeta inFokus 21:27 | 15 May 2022

Kurti po vazhdon të jetë ende në SHBA.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një ligjeratë që mbajti në Universitetin “DePaul” në Chicago, të shtetit Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, foli edhe për luftën në Ukrainë ku tha se imazhet nga kjo luftë për qytetarët e Kosovës janë veçanërisht të dhimbshme.

Ai shtoi se kjo është arsyeja pse ne kemi treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit.

-Advertisement-

“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha kryeministri.
“Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës”, vazhdoi kryeministri Kurti.

Sa i përket përpjekjes së Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, kryeministri Kurti tha se nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër, nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, theksoi kryeministri Kurti.

23 vite pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, nënvizoi ai.

Kurti më tej tha se zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do të dëshironte.

“Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë”, shtoi kryeministri Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera