Fokus

Kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri e bën “me zor” drejtor të burimeve njerëzore Azem Kastratin, ky thotë se nuk është i kualifikuar për atë pozitë

Autori: Gazeta inFokus 10:43 | 02 July 2024

Deri me 3 maj të vitit 2024, Azem Kastrati po ushtronte pozitën e drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Përkrahëse në Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregun (Kostt).

Mirëpo nga kjo datë atij i erdhi njoftimi nga kryeshefi ekzekutiv i Kostt, Evetar Zeqiri se do ti ndërrohej pozita në ushtrues detyre i Drejtorit në Departamentin e Burimeve Njerëzore.

Kastrati po akuzon kryeshefin se e vendosi kundërligjshëm në këtë pozitë dhe se ai nuk e ka kualifikimin e duhur profesional dhe përvojën për të ushtruar këtë detyrë.

-Advertisement-

Gazeta Infokus ka siguruar komplet dosjen e këtij rasti, ku kryeshefi i Kostt, Evetar Zeqiri është munduar të ndërrojë pozitat e drejtorëve, ku njëri nga ta po ankohet se është vendosur në një pozitë për të cilën nuk e posedon as përvojën dhe as kualifikimet e duhura për një pozitë të tillë.

Gazeta Infokus

Me datën 3 maj të vitit 2024, Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (Kostt), në krye me Evetar Zeqirin, mori vendim që ti ndërrojë pozitën Azem Kastratit në ushtrues detyre të Drejtorit të Burimeve Njërëzore, Azem Kastratin i cili deri në atë kohë ishte Drejtor i Departamentit të Shërbimeve Përkrahëse.

E arsyetimi i Kostt për këtë “lëvizje drejtorësh” ishte se aftësitë profesionale dhe kualifikimet e Azemit janë të përshtatshme për këtë pozitë të re në krye të burimeve njerëzore.

LEXO EDHE: “Nga dasmat”, në pozita udhëheqëse| Kryeshefi i ri i KOSTT, vëllai i gruas së Mentor Hysenit të LVV-së

Në lidhje me këtë vendim sipas ligjit në fuqi për ankesë brenda 30 ditësh, Azem Kastrati është ankuar në Komisionin për Ankesa.

Ndër të tjera Kastrati po ankohet se për ndërrimin e pozitës së tij brenda Kostt-it ai u njoftua përmes email-it. Sipas ankesës së tij, ai u thirr në një takim të karakterit konsultativ por që në fakt ishte informativ dhe atij iu dha lajmi se i është ndërruar pozita në këtë ndërmarrje.

“Me vendimin për ndërprerjen e kontratës se punës jam informuar përmes email-it me date 03.05.2024. Paraprakisht ne te njëjtën date kam pranuar një email ne ora 11:15 me lëndën: ” Ftese për takim” për ne orën 14:30. Sipas email-it takimi ka qene i karakterit konsultativ por ne fakt ai ka qenë i karakterit informativ sepse ne takim, ku ka marr pjese edhe Zv/Kryeshefi Ekzekutiv, vetëm jam informuar për vendimin qe do ta marr Kryeshefi Ekzekutiv për ri caktimin tim ne pozite te U.D. Drejtori i Departamentit te Burimeve Njerëzore ndërsa vendimin e kam pranuar, përmes Arkivës Qendrore në po të njëjtën datë në ora 4:33”, ka thënë ai në ankesën e tij drejtuar Komisionit të Ankesave në Kostt.

Azem Kastrati po e akuzon, kryeshefin e Kostt-it, Zeqirin se e zhvendosi në një pozitë tjetër pa pëlqimin e tij duke e thyer kështu nenin 3.1 të kontratës.

LEXO EDHE: Zyrtare: Konfirmohet raportimi i Gazetës Infokus, Evetar Zeqiri kryeshefi i ri në KOSTT

“Vendimi bazohet ne Nenin 17.3 te Ligjit te Punës, Nenit 5.4.1 paragrafi 3 te Manualit te Punëtorëve si dhe Nenit 3.1. te Kontratës se Punës. Nenit 3.1. te Kontratës se Punës, Kryeshefi Ekzekutiv, i është referuar vetëm pjesërisht sepse ne vazhdim ky nen thotë se: “Drejtori sigurohet se paraprakisht do te konsultohet ne rast te transferimit te propozuar ne vendin e punës për te cilin ai/ajo nuk ka aplikuar, por gjithashtu do te merren ne konsiderate te gjitha çështjet dhe rrethanat personale nëse arrihet deri te një vendim i tille, i cili vendim do te jete ne harmoni me Ligjin dhe Politikat përkatëse ne KOSTT”. Ashtu siç u tha me larte, ne takim nuk është marr mendimi im për t’u ri caktuar ne pozitën si U.D. Drejtor i Departamentit te Burimeve Njerëzore por vetëm jam informuar se do te caktohem ne ketë pozite. Për me tepër sipas nenit 7.2 te Kontratës se Punës thuhet: “Ne rast se KOSTT ne harmoni me Ligjin dhe Politikat e KOSTT vendos ndërprerjen e kësaj Kontrate te punës, për pozitën e Drejtorit të Departamentit te Shërbimeve Përkrahëse, një muaj para kohe, Drejtori do te informohet me shkrim”, ndërsa unë jam informuar dhe është marre vendimi ne te njëjtën date”, thuhet në ankesën e Kastratit drejtuar Komisionit për Ankesa.

Kastrati ka deklaruar se në takimin me zëvendës kryeshefin e Kostt-it ai ka kërkuar të dijë arsyet se pse është marrë një vendim i tillë mirëpo i është thënë se arsyetimin do ta marrë në dokumentin e vendimit.

Derisa në arsyetimin e Kostt theksohet pikërisht përgatitja profesionale të cilën Kastrati po deklaron se nuk e posedon për pozitën e re ku është vendosur.

“Kualifikimet profesionale: Fakulteti Juridik, Administrim Biznesi ose Inxhinierik – këtë kriter e plotësoj] edhe pse kriteri “ose Inxhinierik” është fut ne vitin 2018 në përshkrim të vendit te punës së Drejtorit të BNJ vetëm për ta arsyetuar-legjitimuar emërimin e një inxhinieri ne ketë pozite për shijen e ish Kryeshefit. Përgatitja e profesionale: Nuk kam përgatitjen e duhur profesionale për pozitën e U.D. Drejtor i Burimeve Njerëzore. Përvoja e punës: Nuk kam përvoje për pozitën e U.D. Drejtor i Departamentit të Burimeve Njerëzore sepse ekspertiza ime profesionale, mbi 20 vjeçare, është ne fushën e Teknologjisë së Informacionit. Përvoja e punës për këtë pozite kërkohet qe te jete: “Përvojë pune 5 vjet, 3 vite ne Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe Sigurisë dhe shëndetit ne punë”. Bazuar ne këtë, unë nuk kam përvojën e duhur për këtë pozite”, thuhet në ankesën e tij.

 

Në këtë ankesë, Kastrati ka kërkuar anulimin e vendimit të Zeqirit për ndërrimin e pozitës së tij brenda Kostt-it.

Mirëpo kjo ankesë e atij iu refuzua me datën 14 qershor të vitit 2024.

Pjesa më e çuditshme tek refuzimi i ankesës është se Komisioni i Ankesave nuk e përmend fare dhe nuk i jep përgjigje, Kastratit në ankesën e tij se nuk e posedon përgatitjen e duhur profesionale por vetëm në dy ankesat e tij të tjera se është njoftuar me vonesë dhe se është shkelur kontrata e tij e punës,

“Sa i përket pretendimeve të para theksuara në ankesë, ne lidhje me mos njoftimin me kohe për ndryshimin e pozitës dhe për ndërprerjen e kontratës se punës, janë te paqëndrueshme për shkak te faktit se Vendimi nr.prot.1084 te datës 03.05.2024 nuk përfshin ndërprerjen e kontratës se punës, por është një vendim i cili ka te bej lidhur me sistemimin e punonjësit nga një pozicion ne një pozicion tjetër brenda kompanisë, dhe ne këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv ka veruar ne përputhje me kompetencat dhe autorizimet e tij, duke respektuar dispozitat ligjore aktuale dhe rregullat e përcaktuara ne aktet e brendshme te kompanisë. Po ashtu vlen të theksohet se sistemimi i punëtoreve është i paraparë decidivisht ne Ligjin e Punës ne nenin 17 pika 3 thote se: ” I punësuari sipas nevojës mund te sistemohet ne pune nga një vend ne një vend tjetër tek i njëjti punëdhënës ne pajtim me Kontratën e punës, Aktin e brendshëm te punëdhënësit….”, njeherit mund të bëhen riorganizime te brendshme dhe mund te lëvizen punëtorët varësisht prej pozitave dhe përshtatjes te procesit te punës dhe kjo është kompetence. ekskluzive e kompanisë qe te përcaktoj, sistemoj apo transferoj te punësuarit, kërkesave te punës sa here qe paraqitet nevoja, kjo është çështje e brendshme e kompanisë te cilës Ligji i Punës e lejon dhe e parasheh decidivisht ne dispozitat e nenit 17 dhe çështjet te cilat nuk i parasheh i potencon ne nenet e posaçme duke i lenë kështu mundësi dhe hapësire qe punëdhënësi ti rregulloj me akte të brendshme, si ne këtë rast me Statutin, Politiken e Rekrutimit, Manualit të Punëtoreve…”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Ankesave ndaj ankesës së Kastratit.

Në përgjigjen e Komisionit për Ankesa thuhet se ankesa e Kastratit është refuzuar duke vërtetuar kështu vendimin e kryeshefit ekzekutiv.

 

Gazeta Infokus ka provuar të kontaktojë me Azem Kastratin mirëpo i njëjti ende nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso

Të tjera