Lajme

Kritikat, linçimet, kërcënimet e sulmet ndaj mediave, DASH-i godet Qeverinë Kurti për kufizimin e lirisë së shprehjes

Autori: Gazeta inFokus 23:52 | 12 April 2022

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo tashmë kanë bërë mbi një vit në pushtet.

Por, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, shpesh është treguar neglizhuese e linçuese ndaj mediave apo figurave që kanë kritikuar veprimet e qeverisë, shkruan lajmi.net.

Kjo nuk ka kaluar pa u vrenjtur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit – DASH, i cili sot ka publikuar raportin për të Drejtat e Njeriut në Botë në vitin 2021, ku ka përfshirë edhe Kosovën.

-Advertisement-

Në këtë raport, DASH-i ka përmendur disa nga çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave, e ku përfshihen edhe kufizimet serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve.

Raporti thekson se ndonëse qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, raportet e besueshme thonë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias.

“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga Ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet ndër të tjerash në raport.

Mediat e pavarura, thuhet më tej, ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, pati raportime se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara. Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose vendin e punës.

Në raportin e DASH-it janë përmendur edhe rastet e dhunës ndaj gazetarëve, ku deri në dhjetor të vitit 2021 theksohet se nga Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës janë raportuar 26 raste kur zyrtarët qeveritarë, njerëz të biznesit apo përfaqësues të grupeve të komunitetit ose grupeve fetare, shkelën lirinë e shtypit duke sulmuar fizikisht ose kërcënuar verbalisht gazetarët.

Raporti vë re se disa gazetarët u ankuan se pronarët dhe menaxherët e medias i penguan ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë.

Kujtojmë se që nga marrja e pushtetit, Qeveria Kurti dhe përfaqësuesit e saj janë kritikuar në shumë raste për qasje linçuese ndaj gazetarëve apo medias në përgjithësi.

Edhe kryeministri Kurti ka qenë cak i kritikave për paraqitjen e tij të rrallë në mediat vendore, duke u intervistuar më shpesh nga mediat e huaja.

Rasti i reagimit të ambasadorit në detyrë në Shkup, Prindon Sadriut, i cili njëherësh është bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, kishte nxitur gjithashtu reagime të shumta në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Sadriu i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, deklaratë kjo për të cilën më vonë tha se kishte reaguar në “rolin e bashkëshortit” dhe jo të “ambasadorit”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera