Opinione

Kosova vs Deti i Kinës Jugore

Autori: Agron Hoti 12:37 | 23 June 2020

Shkruan: Agron HOTI

Po t’i thuash sot një qytetari të Kosovës se përshpejtimi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës me Serbinë është i lidhur ngushtë dhe me zhvillimet potencialisht të nxehta në ardhje në Detin e Kinës Jugore ka mundësi të ndihet ca i befasuar për ndërlidhjen e problemit të Kosovës së vogël në Evropë me Kinën e madhe të largët.

Po t’i thuash po ashtu që SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore mbështeti fuqishëm rindërtimin dhe zhvillimin e Gjermanisë (dhe Evropës Perëndimore) dhe Japonisë duke krijuar dy pole të fuqishme ekonomike që futën në sendviç BRSS-në dhe t’i rrëfesh tutje për aspektin ushtarak ku SHBA përpos që s’pengoi Francën e Britaninë e Madhe për të ndërtuar armë bërthamore, stacionoi dhe raketat e veta bërthamore në Gjermani e Turqi për të mbajtur të rrethuar BRSS-në si rivalin kryesor gjatë Luftës së Ftohtë, edhe kjo mund të mos i bëjë shumë përshtypje një qytetari të Kosovës të kapluar nga aktualiteti i ndezur politik që është duke mbretëruar në Kosovë që një kohë jo të shkurtër.

-Advertisement-

Se t’i thuash një qytetari të rëndomtë të Kosovës, të mbërthyer nga përditshmëria, që SHBA prej se është bërë Superfuqi, luftërat vazhdimisht, nëse jo ekskluzivisht, i ka zhvilluar në tokë duke iu ikur qëllimisht luftërave në detëra e oqeane, kjo për ta ruajtur supremacinë detare dhe oqeanike në glob, edhe kjo mund të mos i bëjë shumë përshtypje. E pikërisht këtu fillon nyja e problemeve në ardhje mes Kinës dhe SHBA-së, efektet e së cilës sigurisht që pashmangshëm prekin Kosovën dhe tërë globin. Vlen të përmendet që aq e fuqishme ishte dhe është SHBA saqë edhe një superfuqi siç ishte BRSS dje dhe një fuqi rajonale siç Rusia si trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e BRSS-së është sot, nuk kishte dhe s’ka qasje të lirë në detëra e oqeane as sot duke qenë nën vëzhgimin e rreptë të supremacisë detare amerikane, supremaci kjo e kombinuar gati në mënyrë të përsosur mes arsenelit amerikan të flotës detare, tokësore, ajrore dhe hapësinore, një fuqie ushtarake, dhe jo vetëm, të paparë deri me sot.

E kjo supremaci detare e SHBA-së përbën sot thelbin e tensioneve me Kinën dhe me çdo fuqi tjetër në ardhje, siç në të ardhmen do të mund të ishte India, si fuqia tjetër globale ekonomike në ardhje. Pyetja kyçe në këtë mes është se për ç’arsye do të mund të kishte përplasje mes SHBA-së dhe

Kinës? A janë këto dy shtete të fuqishme aq të marra sa të provokojnë një përplasje mes tyre pa pasur nevojë? E gjasat e një përplasjeje eventuale mes SHBA-së dhe Kinës janë përmendur nga shumë njerëz me peshë në glob, qofshin ata akademikë, shkencëtarë, politikanë, ekonomistë e njohës të ndryshëm. Pyetja kryesore këtu është se në ç’pjesë të globit do të mund të ndodhte përplasja, kuptohet nëse do të ndodhte?

Nëse deri në vitet 90-ta kishte dy trajektore globale me potencial konflikti mes superfuqive siç i) së pari ishte kufiri mes Evropës Perëndimore dhe Lindore për shkak të rivalitetit të madh mes Paktit të NATO-s të drejtuar nga SHBA dhe atij të Varshavës të drejtuar nga BRSS dhe siç ii) së dyti ishte dhe prapë është zona më e paqëndrueshme në glob prej hapësirës së ish-Jugosllavisë e deri në Afganistan, sot kjo trajektore ka lëvizur drejt lindjes ku zona më e nxehtë në glob është gara për dominimin e Pacifikut më konkretisht rajoni i Detit të Kinës Jugore për aq sa Kina vazhdon të rrisë prezencën në Azi Lindore, Verilindore, Juglindore dhe pse jo në glob duke sfiduar kështu direkt interesat amerikane në atë zonë. Po pse pikërisht Deti i Kinës Jugore përbën sot pikën më të nxehtë në glob?

2

Duke qenë se shtetet gjithmonë drejtohen nga interesat e tyre gjeo-politike, gjeo-ekonomike dhe gjeostrategjike nuk është shumë e vështirë të kuptohet rëndësia jashtëzakonisht e madhe e Detit të Kinës Jugore për SHBA dhe Kinën. Sipas UNCTAD (Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim) rreth 80% e volumit dhe 70% e vlerës se tregtisë globale transportohet përmes detërave dhe oqeaneve, nga kjo rreth 60% e tregtisë apo gati 2/3 e tregtisë globale transportohet përmes Detit të Kinës Jugore. Pra, vetë shifrat flasin për rëndësinë jetike që ka Deti i Kinës Jugore për SHBA pikë së pari kur e tërë nafta e Lindjes së Mesme që transportohet në SHBA kalon pikërisht përmes Detit të Kinës Jugore. Ndërkohë që, mbi 40% e naftës që transportohet në Kinë kalon përmes Detit të Kinës Jugore. Si Kina ashtu edhe Japonia janë dy shtete në Azi Lindore dhe Verilindore të varura tërësisht nga importi i energjisë, e cila transportohet pikërisht përmes Detit të Kinës Jugore. Lufta e Dytë Botërore mes Japonisë dhe SHBA-së shpërtheu pikërisht kur SHBA ndërpreu furnizimet me energji të Japonisë agresore.

Duke qenë se Kina dhe Japonia janë dy fuqitë kryesore rivale dhe konkuruese në Pacifik, për SHBA-në është qenësore para se gjithash mbajtja e aleancës me Japoninë e Korenë Jugore, Tajvanin dhe të gjitha shtetet e Azisë Juglindore për të balancuar fuqinë e Kinës gjithnjë në rritje.

Nuk duhet harruar se ky volum i madh i tregtisë ndërkombëtare pasi kalon Detin e Kinës Jugore përshkon rrugën detare mes Koresë Jugore dhe Japonisë. Përpos supremacisë detare, SHBA ka ndërtuar aleanca me Japoninë dhe Korenë Jugore pikërisht për të siguruar linjat e furnizimeve për në SHBA dhe për të rivalizuar prezencën kineze në rritje. Pra, shikuar në aspektin gjeostrategjik, rajoni i Azisë Lindore dhe Juglindore përbën Thembrën e Akilit për ekzistencën e vetë SHBA-së si Superfuqia e vetme në glob, kjo për shkak të fuqizimit të hovshëm të Kinës dhe rritjes në heshtje të prezencës së saj ushtarake në rajon, pastaj nxitjes së garës së armatimeve dhe armiqësive mes shteteve të ndryshme në këtë rajon, rajon ky i cili, përkundër problemeve të theksuara të sigurisë, përbën aktualisht pjesën më prosperuese në glob në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Për ta ruajtur dhe shtyrë përpara dominimin dhe supremacinë detare në glob SHBA-të kanë ndjekur tri objektiva strategjike: 1) Luftërat të bëhen në tokë e jo në detëra e oqeane për të mos nxitur shtetet që të investojnë në flota detare, përmes të cilave do të mund ta sfidonin supremacinë detare të SHBA-së, dhe 2) Përkrahja e palës së dobët në çdo konflikt apo luftë, me qëllim që i forti të mos mund të bëhet edhe më i fortë duke e rrezikuar vetë SHBA-në. Të gjithë e dimë që luftërat e SHBA-së në Ballkan u bënë në tokë, në Lindje të Mesme në tokë, në Gjermani e Japoni në tokë, Kore e Vietnam po ashtu në tokë, etj.

Pra, në të gjitha këto vende ku kanë dërguar trupa ushtarake SHBA-të nuk kanë arsenale flotash ushtarake detare sa për të mund sfiduar supremacinë detare të SHBA-së; dhe 3) Që prej Luftës së Koresë në vitin 1951, SHBA-të i kishin vënë globit vijën e kuqe paralelen 38, e cila nuk bënte të kalohej nga ndonjë fuqi veriore si p.sh. Kina e Rusia, sepse kjo automatikisht do të thoshte rrezikim i rrugëve detare për ekonominë e SHBA-së.

E i vetmi shtet në glob, përpos SHBA-së, i cili është duke investuar shuma të mëdha në flotë ushtarake detare, është Kina. Zhvillimi i hovshëm ekonomik i Kinës pas rënies së komunizmit duke u hapur me botën dhe duke promovuar tregtinë e lirë, ka bërë që Kina të bëhet sot fuqia e dytë ekonomike në glob pas SHBA-së me premisa që të bëhet e para nëse vazhdon me këtë ritëm. Kina përbën sot pothuaj fuqinë e dytë ushtarake në glob pas SHBA-

së. Për të rritur dominimin e saj në Azi Lindore, Juglindore dhe Jugore, Kina ka krijuar edhe Bankën Aziatike për Investime në Infrastrukturë, ka dizajnuar strategjinë qindra-miliardëshe

3

Belt and Road që ka për qëllim depërtimin në tregun e Evropës përmes investimeve nëpër porte detare, hekurudha e autostrada që lidhin Kinën me Evropën. Nuk janë të rastësishme investimet marramendëse kineze në Evropën Lindore, Jugore, Azinë Qendrore, etj.

Sigurisht që ky zhvillim i hovshëm i Kinës përbën shqetësim për rivalin kryesor rajonal të Kinës, që është Japonia, e cila ka një kushtetutë paqësore, por që në të ardhmen me shumë gjasë do t’i duhet të investojë shumë më shumë në ushtri e ndoshta edhe armë bërthamore. E prodhimin e armëve bërthamore i kanë të ndaluara me kushtetutë t’i prodhojnë si Japonia ashtu edhe Gjermania. Qysh sot Kina ka filluar përmes formave hibride të sfidojë dominimin amerikan në rajonin e Azisë Lindore dhe Juglindore.

Ndërtimi nga Kina i ishujve artificialë në Detin e Kinës Jugore përbën një kërcënim serioz për prezencën e flotës ushtarake amerikane në rajon. Nuk është pra e rastësishme ngutja e SHBA-së për ta zgjidhur përfundimisht problemin e Kosovës me Serbinë, sepse përqendrimi amerikan në problemet e Lindjes se Mesme dhe Azinë Lindore do të rritet ndjeshëm në vitet që vijnë dhe kjo sigurisht që kërkon përqendrim të jashtëzakonshëm diplomatik, politik dhe pse jo ushtarak në këtë rajon të nxehtë. Planet e SHBA-së për të stacionuar trupa ushtarake amerikane në Australi dëshmojnë më së miri për synimet për ta përmbajtur Kinën.

Dikush në Kosovë mund të pyesë se çfarë na lidhë e gjitha kjo me Detin e Kinës Jugore? Meqë Evropa përbën aleatin më të madh politik, ekonomik dhe gjeostrategjik të SHBA-së, atëherë SHBA është plotësisht e vetëdijshme për ndikimin në rritje të Kinës dhe Rusisë në BE. Edhe pse ka dallime mes qasjes kineze dhe asaj ruse, emëruesi i tyre ndaj perëndimit është i përbashkët: përçaj e sundo. Bashkimi Evropian asnjëherë që prej themelimit të tij nuk ka qenë më i përçarë se sot.

Lidhjet e forta ekonomike me Rusinë dhe Kinën dhe mungesa e një armate të përbashkët të BE-së të tipit të SHBA-së, e bën BE-në tërësisht të varur nga mburoja ushtarake amerikane.

Nuk janë të rastësishme stacionimet e shumta të armatës amerikane në Evropë, që kanë një synim: garantim e sigurisë së Evropës. Gjithësesi, edhe pse Rusia sheh BE-në dhe SHBA-në si dy rivalët kresorë të saj, kthimi i Rusisë brenda kufijve të vjetër të saj si dhe degradimi nga Superfuqia në Fuqi Rajonale me plakjen dhe zvogëlimin pothuaj më të madh në glob të popullsisë, ka zbehur në minimum gjasat e një sulmi ushtarak rus në Evropë.

Duke qenë se rajoni i Ballkanit Perëndimor përbën Thembrën e Akilit për tërë Evropën, kjo për shkak të interesave të BE-së, Rusisë, Turqisë dhe së fundi edhe të Kinës, dhe duke parë gjendjen e thyeshme politike në pothuaj të gjitha vendet e këtij rajoni përmes ndërhyrjeve hibride ruse të kaosit dhe investimeve kineze në kundërshtim me rregullativën e BE-së, kanë shtyrë SHBA-të që të ndërmarrin dy hapa kryesorë: 1) Armatosjen e Kosovës e cila është në linjë me kërkesën amerikane që edhe vendet e BE-së (anëtare të NATO-s) të rrisin shpenzimet ushtarake, dhe 2) Mbylljen e problemit kryesor mes shqiptarëve dhe serbëve apo thënë më mirë nyjën e problemit më të madh aktual në Evropë. Arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, do ta kthente Serbinë kah BE, do ta bënte të papërfillshëm ndikimin e ardhshëm rus dhe do të krijonte stabilitet afatgjatë, të cilin do ta shfrytëzonin si evropianët ashtu edhe amerikanët për të investuar në rajon, para se rajoni të rrëshqasë tërësisht kah investimet kineze, turke dhe vendeve arabe siç në fakt sot po rrezikon të rrëshqasë.

4

Vetë fakti që Rusia sot – edhe pse rival i perëndimit – nuk ka plane për ndonjë sulm të mundshëm ushtarak për të futur nën kontroll pellgun nga Pirinejet e deri Sant Petersburg, zona ku u zhvilluan luftërat më të mëdha në glob, ka bërë që SHBA t’i kërkojë BE-së që të rrisë shpenzimet ushtarake për të ndërtuar kështu sigurinë kolektive evropiane. Sigurisht që në mungesë të planeve ushtarake, Rusia tashmnë në vend të kërcënimeve ushtarake ka zgjedhur masat hibride përmes strategjisë së kaosit me qëllimin kryesor përçarjen e perëndimit dhe dobësimin e tij.

‘Braktisja’ graduale ushtarake e Evropës nga SHBA ndodh sot sepse sot nuk ekziston më rreziku, siç ekzistonte dje, i rënies së Euroazisë nën ndonjë hegjemoni ruse apo të ndonjë shteti evropian (siç synonte Bonaparta, Hitleri e Stalini). Dhe përderisa ky rrezik nuk ekziston më, për SHBA-në është qenësore përqendrimi në Lindjes të Mesme e shumë më tepër në Pacifik. E përqendrimi në Pacifik, përpos rritjes së prezencës ushtarake amerikane, kërkon ndërtimin e aleancave në atë rajon të nxehtë dhe vëzhgimin e një rajoni ku gara e armatimeve ka marrë përmasat gati sikurse ajo e Luftës së Ftohtë mes SHBA-së dhe BRSS-së.

Prandaj, duke parë këto konstelacione komplekse ndërkombëtare dhe duke parë rrezikun e rrëshqitjes së rajonit të Ballkanit Perëndimor kah Kina e Rusia, SHBA jo rastësisht është duke u përpjekur të merr rol udhëheqës në zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës me Serbinë. Sigurisht që edhe BE është duke e parë këtë rrezik dhe jo rastësisht Kosova sot kthehet në axhendën globale ashtu sikurse ishte në vitin 1999 dhe 2008. Pranda, edhe politika e Kosovës duhet të shfrytëzojë këtë momentum për të kapitalizuar përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për ta zgjidhur përfundimit problemin mes Kosovës dhe Serbisë, si nyjen e problemit më të madh evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera