Opinione

Kosova të mos fokusohet vetëm në Bruksel, por të punojë më shumë me shtete anëtare

Autori: Gazeta inFokus 13:37 | 23 February 2018

Ka pasur brenda BE-së ndasi për tema edhe më të rëndësishme dhe më të vështira rreth së cilave në fund është arritur konsensus. Nëse shtetet si Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe disa të tjera do të angazhoheshin më shumë për t’i bindur 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë do të mundë të ndryshonin gjërat. Kjo është e rëndësishme edhe për NATO-n. Nëse këto gjëra nuk ndryshojnë, kot flasin liderët e Kosovës për integrime në BE dhe në NATO

Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar disa data të sakta dhe përmbajtjen e disa teksteve në periudhën para shpalljes së Pavarësisë, në një monografi të “Kohës Ditore” gjeta shumë gjëra që, ndonëse i kam shkruar vetë, as unë nuk i kujtoj shpesh.

Shpesh më ndodh që nëpër aeroporte, por edhe në rrugë të qyteteve të Kosovës dhe në diasporë të më thonë se unë në “Kohën Ditore” i pari e paskësha shkruar datën se kur Kosova do ta shpallte Pavarësinë, datë e cila mbahej sekrete deri në momentin e fundit. Dhe në këtë monografi të “Kohës Ditore” gjeta që më datën 25 janar kisha shkruar se Pavarësia do të shpallej më 17 shkurt. Pra, më shumë se tri javë para se ajo të shpallej. M’u duken interesante dhe m’u rikujtuan rrethanat pse dhe si doli kjo datë si më e besueshmja për shpalljen e Pavarësisë. Gjithçka për t’iu përshtatur nevojave të Bashkimit Evropian dhe të strukturës udhëheqëse politike në Serbi në atë kohë.

-Advertisement-

Ishte koha e insistimit amerikan që sa më shpejt të shpallej Pavarësia dhe në të njëjtën kohë hezitimi i vazhdueshëm i BE-së që të shtyhej, herë për nevoja të Serbisë e herë për atë të BE-së. Madje gjeta një titull “Shtyrja e statusit stabilizon rajonin”, që kisha shkruar në nëntor të vitit 2006, si raport nga takimi i ministrave të jashtëm të BE-së me Martti Ahtisaarin, kryenegociatorin ndërkombëtar për statusin e Kosovës, që tashmë ishte afër përmbylljes së punës së tij.

Në BE në atë kohë gjithmonë dëgjohej se si duhej të arrihej një unitet, se duhet pasur mirëkuptim për ato që në atë kohë quheshin forca proevropiane të udhëhequra nga presidenti i atëhershëm Boris Tadiq. Kishin frikë se moszgjidhja e statusit të Kosovës, e dihej se do të ishte një lloj pavarësie, të mos ndihmonte ardhjen në pushtet të ekstremistëve, nacionalistëve dhe njerëzve nga e kaluara e errët në Serbi, ish- bashkëpunëtorët e diktatorit Slobodan Milosheviq dhe radikalit Vojislav Sheshel, që ishin Tomislav Nikoliq, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq.

Është shumë interesante se si në BE mbeti i njëjti fjalor edhe pasi në Beograd u ndërruan rolet. Tash në Bruksel, për njerëzit që dikur quheshin nacionalistë nga e kaluara e errët e kohës së Milosheviqit, thonë se janë forcat proevropiane në Serbi që kanë rolin kyç për evropianizimin e tërë rajonit.

Por tema nuk është kjo. Është një strategji për zgjerimin e BE-së draftin e së cilës e kishte botuar “Koha Ditore”, njësoj sikur botuam në dhjetor të vitit të shkuar draftin e kësaj strategjie të fundit, kishim botuar edhe draftin e një strategjie nga nëntori i vitit 2006, që po ashtu quhej si historike, sepse konfirmonte gatishmërinë e BE-së për të vazhduar procesin e zgjerimit. Këtë tekst në “Kohën Ditore” e kishim botuar me titullin “Komisioni Evropian do status të qartë politik dhe legal të Kosovës”.

Më shumë se 11 vjet më vonë Komisioni Evropian përsëri miraton një strategji “historike” për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe ajo që bie në sy është se as pas gjithë kësaj kohe për BE-në Kosova nuk ka status të qartë politik dhe legal. Si pasojë e kësaj është edhe mënyra se si Kosova përmendet në këtë Strategji të shkurtit të vitit 2018, pikërisht se për Komisionin Evropian Kosova nuk ka status të qartë as politik e as legal. Kosova qartë dallohet nga shtetet e tjera. Në fakt askund nuk ka ndonjë element të thuhet se Kosova po trajtohet si shtet. Kosova nuk trajtohet si pjesë e Serbisë, është e qartë se është territor më vete, por nuk trajtohet as si shtet. Komisioni Evropian nuk sqaron as çfarë do të thotë qëndrimi “neutral ndaj statusit”. Kjo mund t’i bjerë edhe sikur Kosova nuk ka status. Apo ka, por BE-ja nuk do e nuk mund të ketë qëndrim.

Si erdhi deri tek kjo situatë në të cilën në Strategjitë e zgjerimit të BE-së rasti i Kosovës të jetë shumë më i paqartë sesa që kërkohet 12 vjet më herët. Për shkak se pas shpalljes së Pavarësisë u krijua një status quo e re në raportet e Kosovës me BE-në. BE-ja nuk arriti unitet, ndërsa edhe Kosova pranoi se për të mos humbur kohë të ketë raporte me BE-në pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare ndaj statusit. Dhe kjo vazhdon edhe sot. Madje është bërë sikur një normalitet i ri.

Ndaj shteteve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk bëhet kurrfarë trysnie që ta bëjnë këtë. Madje nga strukturat e BE-së, sidomos të atyre që janë të përfshira në lehtësimin e dialogut, dëgjohet se është mirë që ka shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, sepse kjo e bën BE-në të pranueshme si lehtësuese edhe për Beogradin. Kjo ka bërë që shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ta kenë iniciativën dhe gjithmonë dokumentet t’u përshtaten atyre e jo shumicës së madhe që e ka njohur Kosovën.

Kjo situatë nuk do të mund të ndërrohet nga burokracia e Brukselit. Por Kosova, duke mos e injoruar kurrsesi Brukselin, duhet të punojë më shumë me vendet kryesore anëtare dhe të kërkojë angazhimin më të madh të tyre në tejkalimin e ndasive në BE rreth pavarësisë së Kosovës. Ka pasur brenda BE-së ndasi për tema edhe më të rëndësishme dhe më të vështira rreth së cilave në fund është arritur konsensus. Nëse shtetet si Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe disa të tjera do të angazhoheshin më shumë për t’i bindur 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë do të mundë të ndryshonin gjerat. Kjo është e rëndësishme edhe për NATO-n. Nëse këto gjëra nuk ndryshojnë, kot flasin liderët e Kosovës për integrime në BE dhe NATO. Këto integrime kanë një procedurë, e cila është e pamundur edhe politikisht, edhe legalisht nëse Kosova nuk trajtohet si shtet. Në BE dhe NATO janë shtetet të cikat trajtohen si shtete. E Kosova nuk trajtohet si e tillë.

Strategjia e fundit e Komisionit Evropian e ka përsëritur nevojën për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, përmes një marrëveshjeje juridikisht obliguese, si kusht për Serbinë që të ecë drejt anëtarësimit në BE, por as kjo nuk është diçka e re. Ky kusht përmendet edhe në kornizën negociuese të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë e miratuar pas disa vjetësh. Edhe këtu BE-ja më shumë ka sqaruar etapat në të cilat duhet të arrihet kjo “marrëveshje gjithëpërfshirëse” sesa natyrën dhe substancën e saj. Pra, mund të ndodhë që të arrihet një marrëveshje, e cila do ta linte të paqartë statusin e Kosovës dhe nuk do ta zgjidhë çështjen e qartësisë politike dhe legale për të cilën flitej në Bruksel që në vitin 2006, kur ende nuk ishte shpallur pavarësia.

Qartësi dhe normalizim nuk mund të ndodhin pa njohje nga të gjitha shtetet e BE-së dhe nga Serbia. Formulat nga periudha e luftës së ftohtë, sikur ajo e dy Gjermanive, është një opsion tashmë i tejkaluar dhe i pazbatuar për dy shtete që duan të bëhen anëtare të BE-së. Në BE nuk duan më të kenë anëtare që kanë as problemin më të vogël kufitar të pazgjidhur e lëre më shtete që nuk njohin qartë njëra-tjetrën.

Derisa nuk njihet Kosova nga të gjitha shtetet e BE-së dhe NATO-s, do të vazhdohet status quoja me pasoja për të gjithë. Dhe kjo do të mbajë gjallë iluzionet nga të gjithë. Iluzionet e Serbisë që Kosova si territor nuk është i humbur për të. Iluzionet për Kosovën se është shtet i pavarur dhe sovran si të gjitha shtetet e tjera dhe ka rrugë të sigurt (presidenti Thaçi do të thoshte edhe “të garantuar dhe të shpejtë”) drejt integrimeve në BE dhe NATO. Dhe iluzionet e BE-së se me Kosovën do të mundë të kryejë të gjitha punët pa pasur nevojë që ajo të njihej nga të gjitha vendet anëtare dhe të trajtohej si shtet.

Këto iluzione edhe e kanë sjellë Kosovën në situatën në të cilën është, ku e ka të kontestuar brenda saj integritetin territorial, një pjesë e qeverisë nuk merr pjesë në kremtimin e Pavarësisë së shtetit dhe nuk e njeh atë shtet, në një pjesë të territorit nuk guxojnë të vendosin as flamuj shtetërorë, ndërsa në Bruksel kujt t’i teket bën pengesa edhe për gjëra që janë shumë sipërfaqësore, si mënyra e përmendjes së Kosovës në një strategji politike, e cila është edhe më pak ambicioze sesa ato të para 12 vjetëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera