Opinione

Kosova mes përballjes faktorizuese dhe zmbrapsjes izoluese (2)

Autori: Gazeta inFokus 08:44 | 10 June 2022

Ballkani i Hapur interes rus apo amerikan?

Shkruan: Agron Hoti

Askush s’e shpjegon më mirë rëndësinë e Ballkanit të Hapur për rajonin e Ballkanit Perëndimor sesa deklarata e Ambasadorit Amerikan në Beograd Chrostopher Hill dhënë televizionit shqiptar Abc kur thotë: “jam këtu (në Ohër v.i.) për ta mbështetur këtë projekt, pasi besoj se “Ballkani i Hapur” është një projekt origjinal bashkëpunimi dhe mjaft i vlefshëm për vendet përkatëse….Lavrov nuk është një mbështetës i “Ballkanit të Hapur”, ndaj deklarata e tij shpreh vullnet negativ.”

-Advertisement-

E tash, nëse Ballkani i Hapur do të ishte projeksion e interes rus, si paska mundësi atëherë që SHBA të përkrahë një iniciativë ruse, kur dihet që SHBA po bën pikërisht të kundërtën e asaj që po bën Rusia në rajon. Nëse Minischengeni dje dhe Ballkani i Hapur sot na qenkan iniciativa ruse, si paska pasur mundësi që SHBA t’iu paskësh thënë po iniciativave ruse bile edhe në Shtëpi të Bardhë në vitin 2020 në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit për Normalizimin e Raporteve Ekonomike Kosovë-Serbi? Pyetja: A është aq e paditur SHBA sa të nënshkruajë iniciativë ruse midis Shtëpisë së Bardhë?

Për më tepër, e njëjta Marrëveshje Uashingtonit e shtatorit 2020 midis Kosovës e Serbisë po mbështetet fuqishëm edhe nga Administrata Biden ku Ambasadori Hill dhe Gabriel Escobar iu bashkuan edhe personalisht/virtualisht Samitit të Ballkanit të Hapur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. E tash, a thua SHBA na qenka në funksion të Rusisë? Këtë s’e beson askush, përpos manipulimeve ruse e serbe që për synim kanë përçarjen dhe rritjen e antiamerikanizmit në rajonin tonë, sidomos në hapësira shqiptare, ku ende ka prezencë të theksuar serbe e ruse sidomos mediale keqinformuese. Si na qenka SHBA në funksion të Rusisë, kur si Administrata Trump ashtu edhe ajo e Biden që sa vite po paralajmëronin rrezikun e rrëshqitjes së Evropës kah Rusia, përfshirë Ballkanin Perëndimor?

Nëse vërtet Ballkani i Hapur do të çonte ujë në Rusi, minimumi i veprimit nga SHBA do të ishte mospjesëmarrja e Zyrtarëve të saj në iniciativa të tilla. Por, nëse kjo s’po ndodh, si paska mundësi atëherë që SHBA të na qenka në funksion të Rusisë, kur dihet tanimë që SHBA me aleatët e saj hapur po e mbështet Ukrainën, hapur po i kërkon BE-së të ndalë tregtinë dhe importin e energjisë ruse, hapur po iu kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përkushtohen në reforma, integrim rajonal dhe BE si dhe të rreshtohen drejt politikave të BE-së kundrejt Ukrainës e jo atyre ruse siç po bën Serbia.

Loja ruse e përvetësimit të Ballkanit të Hapur?
Deri me tani Rusia përmes Serbisë ja ka arritur qëllimit në Kosovë, sepse Kosova sot – ashtu siç do Rusia – është e përçarë dhe e polarizuar si kurrë më parë, me islam politik në rritje anekënd Kosovës që po prodhon antiamerikanizëm dhe antiperëndim në rritje, e thyer rëndë politikisht nga brenda, pa kurrfarë konsensusi nacional për tema të mëdha dhe nën tension të vazhdueshëm me Veriun e Kosovës dhe jo vetëm, saktësisht siç ka synuar Serbia e Rusia në këto 23 vite çlirim e 14 shtetësi.

Rusia e di që Ballkani Perëndimor është i rrethuar i tëri nga NATO dhe BE dhe se në rrethana të tilla çfarëdo depërtimi ushtarak apo ekonomik rus është i pamundshëm. Rusia e di po ashtu që ka interesa të papërfillshme ekonomike në Ballkan Perëndimor, ndaj në pamundësi shtrirjeje prezence fizike të saj në rajonin tonë, e përdor Serbinë për ta destabilizuar rajonin, ashtu siç investon shumë në secilin vend të Ballkanit Perëndimor për t’i thyer shoqëritë aq shumë nga brenda sa të mos jenë në gjendje të projektojnë të ardhme, aq më pak integrim rajonal drejt BE-së.

Për fat të keq, Rusia asnjëherë s’i kishte ndalur përpjekjet për minimin e demokracisë në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kosovë, Shqipëri, Serbi e Bosnje e Hercegovinë. Prezenca e theksuar e soft power e Rusisë dhe Serbisë nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor ushqen tensionet politike gjithandej rajonit duke nxitur tema përçarëse ditore për të shkaktuar demoralizim të përgjithshëm si dhe për të penguar kështu çfarëdo bashkëpunimi rajonal si kushti kryesor për të ecur drejt BE-së.

Si po e përçan Rusia rajonin?
Ballkanin e hapur apo Minischengenin ku ulet Ambasadori Amerikan Hill bashkë me Gabriel Escobarin të përkrahur nga Shtëpia e Bardhë po tenton ta përvetësojë Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, vetëm për ta ekspozuar Kosovën si refuzuese të integrimit rajonal si kundërpërgjigje ndaj SHBA-së që me çdo kusht po mundohet t’i ulë bashkë të gjitha shtetet e rajonit, bile edhe duke i bllokuar hapësirën ajrore ardhjes së Lavrovit në Serbi që po vinte për t’i futur zjarrin rajonit me Serbinë si ndezëse.

Rusia, ashtu siç ja kishte dalë me sukses ta bllokonte Procesin e Berlinit përmes Serbisë që edhe sot s’e pranon nënshkrimin e Kosovës si shtet, njëjtë do ta bllokojë edhe Ballkanin e Hapur. Derisa Kosova i thotë jo Ballkanit të Hapur, Serbia e Rusia do të mundohen ta përvetësojnë këtë iniciativë për ta ekspozuar sa më shumë Kosovën si refuzuese të integrimit rajonal që është qëllimi primar ruso-serb. Sapo Kosova t’i thotë po Ballkanit të Hapur (sigurisht me kusht që të trajtohet e barabartë mes të barabartëve), e para që do të mundohet ta tërheqë Serbinë prapa do të jetë Rusia, sepse kjo e fundit nuk do që Ballkani i Hapur të jetojë pa tensione.

Rusia përmes Serbisë – si në Procesin e Berlinit ashtu edhe në Ballkanin e Hapur – nuk e pranon Kosovën shtet, sepse si Rusia ashtu edhe Serbia nuk janë fare të interesuara për integrimin por saktësisht për dezintegrimin e rajonit. Sepse integrimi rajonal e nxjerr prej loje Rusinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, kurse dezintegrimi e fut në lojë Rusinë siç në fakt është duke e futur. Mospjesëmarrja e Kosovës në Ballkan të Hapur çon ujë te Rusia që pengon me çdo mjet integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. (vazhdon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera