Opinione

Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Agron HOTI 11:16 | 27 March 2020

Si rezultat i nevojës për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, skena politike në Kosovë dhe publiku i gjerë asnjëherë nuk kanë qenë më të polarizuara që prej pasluftës e deri më sot. Nuk ka temë më dominuese në diskursin politik kosovar se sa pyetja se si eventualisht do të dukej një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga amerikanët. Secili ka diçka për thënë për këtë temë dhe është mirë që ka, sepse po flitet për fatin e vendit, sepse nëse kjo marrëveshje arrihet në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës, do të jetë një hap i madh drejt zhbllokimit dhe shtetkonsolidimit të Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë tij, e nëse ajo nuk arrihet do të vazhdojë status quoja, fundi i së cilës është vështirë i parashikueshëm.

Telashja në këtë mes është se përpos polarizimit të spektrit politik të Kosovës, e polarizuar duket të jetë edhe bashkësia ndërkombëtare, pra SHBA e BE, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë më të ndara se sa sot jo vetëm rreth Kosovës, por edhe shumë temave tjera preokupuese në glob si mjedisi, marrëdhëniet tregtare, recesioni ekonomik, Lindja e Mesme, rrudhja e tregjeve për BE-në dhe SHBA-në si rezultat i rritjeve ekonomike në Azi Jugore, Juglindore dhe Amerikë Latine, etj.

Hezitimet, deri në kundërshtime të hapura të disa qarqeve brenda dhe jashtë Kosovës ndaj arritjes së shpejtë (gjatë këtij viti) të një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin amerikan, me arsyetimin se qenka duke u përgatitur një plan i fshehtë shkëmbimi territoresh, kanë stër-polarizuar skenën politike dhe publikun e gjerë, si rezultat i së cilës, përpos që raportet Kosovë – SHBA kanë lëvizur në drejtim të paduhur, ka filluar një ndjenjë anti SHBA mes segmenteve të caktuara në Kosovë, diçka që në vitin 1999 dhe 2008 do të konsiderohej çmenduri.

-Advertisement-

E për fat që keq kjo gjendje vazhdon edhe sot të thellojë krizën institucionale, politike dhe shoqërore në Kosovë, pasojat e së cilës vonë ose kurrë do të mund të riparohen. Kur kësaj i shtojmë edhe gjendjen e rëndë për shkak të koronavirusit që po mbretëron në Kosovë në rajon dhe tërë globin dhe rënien e qeverisë së tretë me radhë shkaku i dialogut me Serbinë, atëherë lirisht mund të thuhet se Kosova që prej luftës kundër Serbisë, asnjëherë tjetër nuk ka qenë në gjendje më të rëndë politike.

Të rrekur mos tollovisë politike ditore harrohet pothuaj tërësisht fakti se, krijimi i shteteve të reja asnjëherë s’ka qenë i mundur pa ndihmën ndërkombëtare. Harrohet fakti që Kosova nuk përbën asnjë përjashtim në këtë mes duke u çliruar nga vendosmëria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që udhëhoqi luftën dhe u mbështet fuqishëm nga SHBA dhe NATO. E për këtë liri shqiptarët e Kosovës kanë dhënë çmimin më të madh që një popull mund të jep, pra çmimin e jetës. Por, po ashtu harrohet se çmimin e jetës e kanë dhënë edhe shumë popuj tjetër që sot ose janë zhdukur tërësisht ose jetojnë në margjina të shtypur dhe në gjendje të pashpresë.

Nuk duhet kurrë të harrojmë se liria e Kosovës u bë e mundshme vetëm dhe vetëm atëherë kur në botë ngadhënjeu doktrina e SHBA-së për promovimin e lirive, të drejtat e njeriut dhe demokracisë. E ngadhënjimi i kësaj doktrine ndodhi vetëm kur demokracia fitoi përballë komunizmit në fund shekullit 20. Vetëm mbi këtë bazë qe arritur që Kosova përfundimisht të çlirohej e pavarësohej. Por, jo në çdo cep të globit arriti të depërtojë plotësisht doktrina amerikane e promovimit të demokracisë, jo sidomos në vendet me të ardhme të vështirë siç ishin dhe janë vendet nën ndikimin e sferës sovjetike (shih Ukrainën, Moldavinë dhe Vendet e Kaukazit), vendet e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikës.
Ndërkohë që, opinionalizimi dhe çlirimi i Kosovës – krahas triumfit të vlerave demokratike në glob, të promovuara fuqishëm nga SHBA dhe Perëndimi – kishin ndodhur në një kohë kur Bashkimi Sovjetik e më pas Rusia si trashëguese e tij, e përballur me probleme të brendshme politike, sociale dhe strukturore për shkak të triumfit të demokracisë amerikane përballë komunizmit sovjetik, kishte ‘mbyllur’ njërin sy ndaj humbjes së ndikimit në Jugosllavi e Ballkan, teksa po humbiste me radhë ndikimin që kishte pasur edhe në rajone të caktuara gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik.

Gjithsesi që Kosova është bërë shtet, kur Rusia e Putinit, ende s’kishte arritur plotësisht të ri-konsolidohej dhe ri-kthehej në arenën ndërkombëtare si bashkë-determinuese e politikave globale, përfshirë ndikimin e saj në Ballkan. Por, sot gjendja ka ndryshuar pothuaj rrënjësisht krahasuar me vitin 2008, sepse Rusia dhe Kina – edhe pse të përballura me rënie ekonomike, por jo me kapacitete ushtarake – sot përbëjnë sfidë për të gjitha interesat perëndimore në glob.
Sot është më se e qartë se si rezultat i rikthimit të ekspansionit rus në Euroazi, siç ndodhi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri më sot dhe si rezultat i fuqizimit të Kinës, si një pol tjetër sfidues për SHBA-të dhe tërë rendin ndërkombëtar, do të jetë e pamundur që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara pa ‘mbyllur’ njërin sy Rusia dhe Kina. E pa u bërë anëtare e OKB-së, Kosova ka zero mundësi të bëhet anëtare e BE-së. E pyetja që duhet shtruar nga secili kosovar sot do të duhej të ishte se kush mund ta vë në lëvizje Rusinë dhe Kinën në favor të Kosovës përpos SHBA-së? Përgjigja është e qartë: askush!

Nuk duhet ta harrojmë po ashtu faktin se ndryshimet e konstelacioneve ndërkombëtare karshi çështjes së Kosovës, kanë bërë që Kosova të mos jetë më top prioritet i bashkësisë ndërkombëtare, siç ishte në vitin 1999 dhe 2008. Kjo për një arsye krejt logjike, sepse Kosova u bë shtet që kontribuoi dukshëm në stabilizimin e rajonit.

Por, edhe pse Kosova u bë shtet, edhe pse institucionet saj prej vitit 1999 kishin bashkëpunuar pa asnjë rezervë me SHBA dhe BE-në dhe me çdo mekanizëm ndërkombëtar, problemi i veriut të Kosovës dhe serbëve të Kosovës asnjëherë s’kishte mundur të zgjidhej plotësisht. Jo pse nuk deshi Kosova, por se vazhdimisht kundërshtoi Serbia e përkrahur fuqishëm nga Rusia, me qëllimin e vetëm që Kosova si projekt i SHBA-së dhe NATO-s të dështonte. Kurse spektri politik i Kosovës ka vazhduar dhe vazhdon të hedhë akuza ndaj njëri tjetrit për pamundësinë e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi gërryes, për zgjidhjen e të cilit që mbi 10 vite na shkon tërë elani politik duke dialoguar me Serbinë, por pa rezultate konkrete. Pra, shkuan tri Qeveri njëra pas tjetrës për shkak të dialogut me Serbinë.

Dilema e madhe që po mbretëron sot në Kosovë, e që nuk do duhej të kishim dilemë për këtë, është se a duhet apo a do të jemi me SHBA-në apo BE-në, apo me të dyjat? Kur u çliruam dhe u pavarësuam si dhe gjatë tërë rrugëtimit tonë si shtet deri më sot, ishim me të dyjat dhe është shumë mirë që ishim. Nëse veç pak trokasim në historinë tonë më të vonshme shohim se Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Londrës përgjysmuan territoret shqiptare, kurse Konferenca e Jaltës pas Luftës së Dytë Botërore, përpos që cungoi edhe më tej trojet shqiptare, i la ata nën sferën e komunizmit të Bashkimit Sovjetik, diçka që ishte dërmuese për tërë popullin shqiptar.

Nëse kthehemi edhe më herët në histori shohim se nga Lindja qemë pushtuar tri herë (perandoria e bizantit, osmane dhe sllavo-greke), ndërsa nga perëndimi qemë pushtuar një herë (perandoria romake) dhe qemë çliruar një herë (nga SHBA-të, NATO, BE dhe aleatët e tyre). Prandaj, bilanci historik na thotë që duhet të jemi me dhe vetëm me perëndimin, për dallim prej disa vendeve fqinje tanë që hanë me dy lugë (Perëndim e Rusi), derisa shqiptarët hanë vetëm me një lugë (Perëndimin) dhe është mirë që veprojnë ashtu.

Nëse SHBA marrin rol drejtues në marrëveshjen Kosovë-Serbi, kjo nuk duhet parë si përjashtim i BE-së, ashtu siç nuk mund të thuhet se edhe BE përjashtoi SHBA-në derisa që nga viti 2010 vjet insistoi, inicioi dhe ndërmjetësoi dialogun Kosovë-Serbi. Pra, këto orvatje, nga SHBA dhe BE, për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë këtë çështje komplekse duhet parë më shumë si përplotësuese ndaj njëra tjetrës se sa si ndarëse. Nëse SHBA kanë pasur rol prijës në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, ka qenë BE ajo që prej vitit 1999 është donatori kryesor në Kosovë ashtu siç është dhe rruga jonë e vetme për sot dhe të ardhmen. (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera