Lajme

INR: Kosova dhe Shqipëria, vendet më pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor

Autori: Gazeta inFokus 22:30 | 29 April 2024

Në një anketë të zhvilluar së fundmi në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Instituti Ndërkombëtar Republikan, gjeti një përkrahje të gjerë pro-perëndimore tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe shtete tjera të rajonit ku jetojnë ata.

Por, sipas drejtorit për Evropën të kësaj organizate këtu në Uashington, në kontrast të madh ndaj këtij orientimi pro-Bashkimit Evropian dhe NATO-s, qëndron Serbia, ndërkohë që përkrahja për kursin pro-evropian është zbutur edhe në vendet si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të dyja shtete anëtare të NATO-s.

Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan.

-Advertisement-

Në një rajon ku përkrahja për orientimin euro-atlantik po lëkundet përballë vonesave të integrimit apo sentimentit pro-rus, brenda publikut shqiptar kursi perëndimor vazhdon të konsiderohet si drejtimi i vetëm.

Në Kosovë, 87 për qind e të anketuarve shprehen se shteti i tyre duhet të ndjekë një politikë të jashtme që përputhet me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin, ndërsa në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, ky drejtim mbështetet nga 82 për qind e të anketuarve.

Në fund të listës qëndron Serbia, ku opinion publik është i polarizuar, me vetëm 10 për qind të të anketuarve që janë për një kurs pro-perëndimor dhe një shumice që synon një politikë të balancuar mes BE-së dhe Rusisë.

Anketa është kryer gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtori për Evropën i Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy thotë se në të gjashtë shtetet e rajonit, përkrahja për BE-në mbetet e fortë, me disa përjashtime të rëndësishme.

“Serbia dallon nga pesë shtetet e tjera të rajonit, duke qenë më pro-ruse, duke fajësuar Perëndimin për konfliktin në Ukrainë dhe me një mbështetje shumë të ulët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër shohim qëndrime shumë pro perëndimore në mesin e popullsisë shqiptare në rajon, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet ku ata jetojnë si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Një orientim të ngjashëm shumë pro-perëndimor, ndonëse pak më pak, e gjejmë edhe te muslimanët e Bosnjës, ku Turqia radhitet si vendi më i përkrahur, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dalin të dytat për këtë popullsi,” thotë ai.

Por në rast të një referendumi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në të gjitha shtetet e rajonit vihet re përkrahje nga një shumicë solide, ndërkohë që në vende si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, anëtarësimi mbështetet nga një shumicë dërmuese. Ato dallojnë në besimin që kanë nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë e synon integrimin e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera