Inflacioni do të bjerë më 2024, jo domosdo edhe çmimet
Autori: Gazeta inFokus
18:17 | 16 December 2023
Në raportimet zyrtare këtë vit inflacioni ka rënë, por jo edhe për kuletat e qytetarëve.
“Ky vit ka qenë mjaft i vështirë për të siguruar para për blerjen e produkteve elementare… Nuk pres asnjë ndryshim vitin tjetër”, thotë Mentor Berisha nga Prishtina.
Edhe për bashkëqytetarin e tij, Gafurr Kuqi, “gjithçka ka qenë më shtrenjtë – pemët, perimet, të gjitha”.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë për nëntorin dhe, sipas tyre, inflacioni në atë muaj ka qenë 2.9 për qind; në tetor ka qenë 3.3 për qind, në shtator 4.2 për qind…
Për krahasim, vitin 2022 Kosova e ka mbyllur me shkallë mesatare inflacioni gati 12 për qind.
Normës së rritjes së çmimeve – siç njihet inflacioni ndryshe – i ka dhënë shtytje pandemia e koronavirusit në vitin 2020/21, e pastaj edhe pushtimi rus i Ukrainës, më 2022.
Por, gjatë këtij viti, shumica e vendeve kanë raportuar rënie të inflacionit – kryesisht për shkak të stabilizimit të zinxhirit të furnizimeve.
Çka ndodh kur inflacioni bie?
Rënia e inflacionit nuk do të thotë edhe rënie e çmimeve, por do të thotë se çmimet rriten më ngadalë.
Vetëm herë pas here ato mund të bien pak në krahasim me muajin paraprak.
Gjatë këtij viti, REL-i ka raportuar disa herë për çmimet e larta në Kosovë dhe rritjen e vazhdueshme të tyre.
Në mars, çmimi i miellit ka rënë, por jo edhe i bukës. Sipas raportimit të atëhershëm, zbritja e çmimit të bukës nuk ka mundur të bëhet, për shkak të shtrenjtimit të rrymës dhe të fuqisë punëtore.
Në korrik, disa qytetarë që i ka anketuar REL-i, kanë thënë se e kanë të vështirë të bëjnë pushime, për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazike dhe shërbimeve.
Ndërsa, në shtator, perimet për turshi kanë qenë “të paprekshme”.
“Vitin e kaluar, nëse i ke marrë specat me thes [3 kilogramë], kanë kushtuar prej 1.5 deri në 1.8 euro. Sivjet, 3 euro e gjysmë është thesi i njëjtë, me kilogramë të njëjtë. Domatet… vjet i kemi marrë me 60 deri në 70 centë për kilogram. Sivjet i ke 1.2 deri në 1.5 euro”, ka treguar atëkohë Amir Simnica, blerës në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.
Një tregtar perimesh në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, 11 shtator 2023.
LEXONI EDHE KËTË:
Perimet për turshi, “të paprekshme”
Ekspertët thonë se konsumatorët nuk ndiejnë lehtësim të menjëhershëm edhe kur norma e inflacionit ngadalësohet, sepse shumë prej çmimeve të ngritura mbeten ashtu. Derisa pagat nuk e arrijnë inflacionin, ai do të vazhdojë të rëndojë, sipas tyre.
Në Kosovë, paga mesatare është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro – e pandryshuar qysh nga viti 2011.
Blendi Hasaj, nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP në Prishtinë, thotë se, në bazë të analizave që ka bërë, një familje që i ka shpenzuar 500 euro gjatë një muaji në vitin 2021, gjatë vitit 2022 është dashur ta rrisë këtë buxhet për rreth 60 euro. Ndërsa, gjatë vitit 2023, shuma që është shpenzuar në vitin 2021, është dashur të rritet për 80 euro “për t’u konsumuar sasia e njëjtë e produkteve sikurse në vitin 2021”.
Cilat janë parashikimet për 2024?
Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane janë se shkalla e inflacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor do jetë 3 për qind në vitin 2024.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, parashikon që Kosova ta përmbyllë vitin 2023 me normë mesatare inflacioni 5.4 për qind.
Në janar të këtij viti, derisa ka qenë në krye të BQK-së, Mehemti ka parashikuar rënie të inflacionit deri në 6 për qind në gjashtëmujorin e dytë të 2023-shit.
“Pritjet janë që në vitin e ardhshëm [2024] inflacioni vjetor, përafërsisht, të jetë rreth 3.6 për qind. Vetëm në vitin 2025 presim të kemi një inflacion prej 2 për qind”, thotë Mehmeti për REL-in.
Sipas tij, energjia elektrike është një ndër produktet që është shtrenjtuar më së shumti dhe efekti, pastaj, ka qenë zinxhiror.
“Ne te gjithë jemi familjarë dhe e dimë se çfarë kemi blerë me 100 euro para pandemisë… tani duhet shumë më shumë para për ta mbushur shportën e konsumit. Kemi inflacion më të lartë te produktet bazike”, thotë Mehmeti.
Duhet kujtuar se çmimet, vitin e kaluar, kanë marrë hov kryesisht nga çmimet globale të energjisë. Analiza të ndryshme thonë se ato do të bien – jo sa kanë qenë para pushtimit rus të Ukrainës – por se çdo rënie e çmimeve të energjisë do të marrë kohë për t’u vërejtur në ekonominë e gjerë.
Ekspertët, po ashtu, tërheqin vërejtjen se rënia e çmimeve nuk do të ishte domosdoshmërisht gjë e mirë, pasi do të sinjalizonte një ekonomi të dobët, me zvogëlim të produktivitetit.
Inflacioni negativ ose deflacioni ka të ngjarë të çojë, pastaj, në rritje të konsiderueshme të papunësisë dhe ulje të pagave.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në vend sillet në më pak se 12 për qind.
Të dhënat e publikuara nga ASK-ja në fund të shtatorit treguan se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në Kosovë u nda për blerjen e artikujve ushqimorë.
Sipas ASK-së, familjet kosovare shpenzuan rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim, vitin e kaluar./REL

T� tjera
-
Prizren: Nëna me fëmijën largohen nga shtëpia, policia nis kërkimin e tyre
Policia e Kosovës ka bërë me dije se të enjten rreth orës 13:00, është raport...
-
Disa raste të dhun*ës fizike dhe psikike në Kosovë, viktima edhe gratë edhe burrat
Disa raste të dhunës fizike dhe psikike janë raportuar në vende të ndryshme t...
-
A do t’i humbë Kosova Lojërat Mesdhetare? Kjo është përgjigja e ICMG
Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) nuk ka dhënë përgjigje kon...
-
Dita e tretë e qëndrimit në Kosovë: Jakup Krasniqi arrin tek familja, nën masa të shtuara sigurie
Jakup Krasniqi po vazhdon qëndrimin e tij në Kosovë, edhe pse nuk po lihet gj...
-
Graçanicë: Arrestohet i dyshuari për dhun*im
Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten (19 nëntor) një person të dyshuar pë...
-
Krimet Ekonomike intervistojnë drejtorin e Inspektoratit në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Hetuesit e krimeve ekonomike kanë intervistuar dje drejtorin e Inspektoratit ...
-
U dënua me 18 vjet burgim, rasti u kthye në rigjykim – Endrit Nika sot përballet sërish me akuzën për vra*sje të rëndë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot, më 20 nëntor, pritet të vazhdojë rig...
-
Sot u jepet lamtumira e fundit dy të rinjve nga Rahoveci që humbën jetën në Gjermani
Dy të rinjve nga Rahoveci, Leart Morina dhe Berhan Zeka, të cilët humbën jetë...
-
Rasti i Arlinda Zekajt, Komisioni Hetimor interviston sot 3 zyrtarë institucionalë
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lid...
-
Kuvendi miratoi në parim buxhetin prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, në vle...
-
Alarm për dronë në aeroportin e Xhenovas në Itali, mbyllet për dy orë
Një alarm për dron u lëshua në Aeroportin e Xhenovës mbrëmjen e djeshme, duke...
-
Erërat e forta përfshinë Kosovën mbrëmë, këto janë komunat më të prekura nga dëmet dhe ndërprerjet e rrymës
Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën gjatë mbrëmjes së së enjtes shkaktuan ...































