Fokus

Greva në arsim po i dekurajon nxënësit e Kosovës

Autori: Anita Krasniqi 13:42 | 18 January 2019

Maida Bunjaku mezi po pret të përfundojnë grevat e mësimdhënësve e të kthehet në shkollë.

Tetëvjeçares që është në klasën e tretë në shkollën fillore “Martirët e Reznikut”, në fshatin Reznik të Vushtrrisë i mbeti në gjysmë një punë e nisur.

Ajo gjatë pushimit dimëror ishte përgatitur për të shkuar në gara në nivel lokal.

-Advertisement-

Tetëvjeçarja tha për inFokus se nuk e di çfarë do të ndodh me këto gara.

“Krejt pushimin i kam lexuar pyetjet që të ushtrohem për gara. Mësuesja ka thënë që pas pushimit kemi me u përzgjedh se kush do të shkojë. Po tash nuk e di pse nuk po shkojmë në shkollë. Unë ende po i lexoj që kur t’ia nisim me qenë e përgatitur”, është shprehur ajo.

Edhe Blertën Tërbunja, e cila është gjimnaziste po e preokupon kjo grevë e arsimit.

“Unë si gjimnaziste këtë grevë nuk e po e shoh që po na ndihmon diçka neve nxënësve. Në fund të qershorit e kemi edhe testin e maturës nuk e di si do t’ia dalim këtë vit”, tha Blerta për inFokus.

Sikur këto edhe rreth 350 mijë nxënës të tjerë nuk po mbajnë mësim si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

Të gjitha institucionet arsimore të Kosovës që nga data 14 janar kanë hyrë në grevë të përgjithshme.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i inspektimit të arsimit, Defrim Gashi.

“Po të gjitha shkollat në vend janë në grevë”, tha shkurt Gashi për inFokus.

E, Vjollca Shala nënkryetare e SBASHK-ut për gazetën inFokus bëri me dije se kjo grevë nuk ka ndonjë afat të caktuar se sa do të zgjas.

“Greva e përgjithshme vazhdon të jetë në afat të papërcaktuar derisa të  kemi realizim të kërkesave tona, do te thotë ngritjen e koeficientit për 30%”, tha ajo.

Shala pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me ministrin Shyqyri Bytyqi dhe me zëvendës-kryeministrin Fatmir Limaj por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. /Gazeta inFokus/

Lexo edhe: Alarmojnë psikologët, greva e dëmshme për nxënësit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera